Konkurenca e brendshme partiake mes demokratëve ende është e shëndetshme. Por po të zgjatet shumë, do të jetë një problem serioz për demokratët, thotë Carla Bleiker.
E vetmja pikë e re ishte konflikti midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, i cili fitoi ashpërsi të madhe në fillim të këtij viti kur Shtetet e Bashkuara vranë gjeneralin iranian Ghassem Soleimani me goditje me dron. Elizabeth Warren dhe Bernie Sanders duan të tërheqin sa më shpejt të gjithë ushtarët nga Lindja e Mesme, Joe Biden dhe Pete Buttigieg duan të lënë disa trupa në tokë. Por në tërësi, të katërt, si dhe Tom Steyer dhe Amy Klobuchar, pajtohen: politikë nuk bëhet ashtu si e bën Trumpi.
Dakordim për drejtimin themelor, dallime në detaje
Një tabllo e ngjashme u vu re për shumë nga temat e diskutuara. Mendimet dalloheshin në detaje, dhe kandidatët shfrytëzuan çdo mundësi për të treguar me mirësjellje, por me vendosmëri dallimet delikate. Por për drejtimin, në të cilin duhet të ecet, për këtë ka dakordësi. Këtë e konstatoi edhe Warren. “Ne mund të polemizojmë këtu midis nesh, por ne kandidojmë kundër një republikani, që ka anuluar sigurimin shëndetësor për miliona vetë,” tha senatorja e Masaçusetsit, kur u diskutua për kujdesin shëndetësor. “Unë preferoj anën tonë.”
Por as diskutimi i ndezur nuk mungoi – që nxori në pah citatin që demokratët duhet ta mbajnë në mendje, po të duan të kenë shans kundër Donald Trump-it në zgjedhjet e nëntorit. Të hënën, një ditë para debatit, mediat amerikane raportuan se Sandersi i kishtë thënë Warrenit në një takim në dhjetor 2018 që një grua nuk mund ta fitojë garën për Shtëpinë e Bardhë. Sandersi e mohoi me ngulm këtë deklaratë gjatë debatit, kurse Warreni i mbeti besnike paraqitjes prej saj të bisedës.
Në përpjekje për të hedhur poshtë akuzën, Sandersi tha se ai do të mbështesë secilin nga rivalet dhe rivalët e tij kundër Donald Trumpit. “Po të jetë dikush tjetër në këtë skenë që e fiton emërimin si kandidat demokrat, unë do të bëj gjithçka në fuqinë time për të siguruar që ai person fitojë zgjedhjet presidenciale,” tha senatori nga Vermonti. Një premtim i bukur – por i hidhur nga goja e Bernie Sandersit. Ishte Sandersi ai që e zgjati pa nevojë fushatën parazgjedhore kundër Hillary Clintonit katër vjet më parë, gjë nga e cila përfituan republikanët. Dhe ishin votuesit e Sandersit ata që në mënyrë masive preferuan të qëndrojnë në shtëpi në nëntor 2016 në vend që të votonin për Klintonin dhe kontribuan kështu në fitoren e zgjedhjes prej Donald Trumpit.
Frenoni egon vetjake, ndryshe fiton sërish Trumpi
Kur Sandersi tani i referohet Hillary Clintonit si shenjë e entuziazmit të tij për kandidatët femra dhe thekson se ajo kishte qenë në gjendje të fitonte tre milionë votues më shumë sesa Trumpi, kjo tingëllon thuajse si tallje.
Po të duan demokratët të fitojnë në nëntor, të gjithë kandidatët e mbetur duhet të jenë të gatshëm ta frenojnë egon e tyre. Nëse në zgjedhjet paraprake, që fillojnë në Iowa në 3 shkurt dhe zgjasin deri në qershor, del një fitues, të tjerët duhet të jenë të gatshëm t’i thonë lamtumirë ëndrrës së tyre. Dhe jo vetëm pak para kongresit të emërimit të partive në korrik. Republikanët tashmë kanë një epërsi të konsiderueshme në të gjitha sondazhet, sepse me lehtësi të gjitha fushatat e tyre ata i përqëndrojnë te mbajtësi aktual i postit. Me një ndarje të thellë të elektoratit demokratik si në vitin 2016, Trumpi është i sigurt për një fitore tjetër zgjedhore.