Komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, deklaroi të mërkurën në Shkup se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria janë të gatshme për fillimin e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian.
Pas takimit me kryeministrin maqedonas, Oliver Spasovski, Varhelyi tha se pret që vendet anëtare të BE-së të marrin një vendim para samitit BE-Ballkani Perëndimor, që pritet të mbahet në Zagreb në muajin maj.
“Kam një lajm të mirë për integrimin e Ballkanit Perëndimor: procesi do të vazhdojë. Për ta bërë këtë, ne duhet t’i shpejtojmë proceset dhe t’i bëjmë ato më të sigurta. Për Komisionin e ri (Evropian), zgjerimi nuk është një tabu, ai është një përparësi. Punën time do t’ia përkushtoj arritjes së zgjerimit”.
“Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria janë të gatshme për negociata, nuk ka asnjë ndryshim në atë qëndrim. Ne duhet t’i fillojmë negociatat e pranimit me këto dy vende”, tha Varhelyi, duke dhënë vlerësime pozitive për punën e bërë në kursin e reformave, por edhe duke theksuar nevojën për miratimin e Ligjit për Prokurorinë Publike në Maqedoninë e Veriut.
Ai po ashtu tha se zbatimi i Marrëveshjes së Prespës me Greqinë – për ndryshimin e emrit – dhe Marrëveshjes së Fqinjësisë së Mirë me Bullgarinë mbetet thelbësor, pavarësisht se kush do të udhëheqë qeverinë e ardhshme në Maqedoninë e Veriut.
“Dua ta lavdëroj Maqedoninë e Veriut për atë që ka bërë deri më tani. Shteti ka qenë shumë këmbëngulës në negociata, falë të gjitha qeverive. Ekziston një konsensus kombëtar dhe shpresoj se do të vazhdojë dhe të ndihmojë në sfidat që do të vijnë me negociatat e pranimit. Reformat duhet të zbatohen. Prioritet duhet t’i jepet Ligjit për Prokurorinë Publike dhe shpresojmë që ai të miratohet nga parlamenti aktual. Shpresoj që të kemi një partner të besueshëm në qeveri”.
“Unë kam shprehur gatishmërinë time për të bashkëpunuar me këdo që udhëheq qeverinë. Është gjithashtu e rëndësishme për të zbatuar Marrëveshjen e Prespës, pa marrë parasysh se kush do të drejtojë qeverinë”, tha Varhelyi.
Maqedonia e Veriut mban zgjedhjet parlamentare në muajin prill.
Nga ana tjetër, kryeministri Oliver Spasovski tha se Varhelyi e ka njoftuar se Komisioni Evropian, deri në fund të muajit, do të dalë me një metodologji të re për negociatat e pranimit.
Në tetor të vitit të kaluar, Bashkimi Evropian nuk e ka miratuar nisjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, me gjithë rekomandimin e Komisionit Evropian se ato i kanë përmbushur kushtet.
Vendimi është bllokuar nga Franca, e cila ka kërkuar reforma të mëtejshme nga dy vendet, por edhe reformim të procesit të zgjerimit.