Vazhdojnë punimet për «rehabilitimin» e lulishtes «Rinia». Kanë filluar verën që shkoi.
Në pllakatin e bashkisë së Tiranës, siç shihet edhe në foto, shkruhet se afati i «rehabilitimit» (nuk mund të përdorej një fjalë shqip?) është «8 Muaj Kalendarik nga fillimi i punimeve» (në 6 fjalë – 3 gabime drejtshkrimore!).
Po kur kanë filluar saktësisht punimet?
As datë fillimi, as datë mbarimi.
Afati «8 Muaj Kalendarik nga fillimi i punimeve» të kujton borxhin e Nastradinit.
-Nastradin, kur do të ma lash borxhin?
-Eja të hënën.
Të hënën zhdukej.
-Nastradin, erdha për borxhin, më the të hënën.
-Eja të hënën pra, sot është e martë.
Të hënën tjetër prapë s’ka Nastradin.
Dhe të martën tjetër prapë e njëjta përgjigje.
Ka pasë ndodhur edhe me “rikonstruksionin” e Pazarit të Ri. Shkruhej “afati 6 muaj”, pa datë fillimi a mbarimi. Dhe “6 muajt” qenë disafishuar.
Punë nastradinësh!
Nuk po merremi me përmbajtjen e projektit, është çështje në vete.
13 janar 2020