Çështja kryesore e shqiptarëve në Maqedoninë Veriore është zgjidhja e statusit juridik-kushtetues dhe politik, jo manovrat politike për pushtet të drejtuesve të partive politike dhe interesat fitimprurëse të grupeve të të ndryshme të interesit.

Subjektet politike të shqiptarëve në Maqedoni janë para momentit historik, kur duhet ta thonë shkurtë, prerë, qartë dhe zëshëm para qytetarëve shqiptarë, para qytetarëve të tjerë në vend, para faktorit politik maqedonas dhe të tjerëve në vend, si dhe para faktorit ndërkombëtar se, a janë për statusin juridik-kushtetues aktual, pakicë kombëtare, apo janë për rikthimin e statusit të popullit shqiptar, popull sovran dhe konstituiv në Republikën e Maqedonisë, duke pasur parasysh faktet se:

– shqiptarët janë popull autokton dhe jetojnë në trojet e veta etnike;

– përbëjnë shumicë të rëndësishme në numrin e përgjithshëm të popullsisë së këtij shteti;

– kanë traditë shtetformuese në formimin e këtij shteti, si element konstituiv, në të cilën thirret pala maqedonase;

– vendimet e KAÇKM (ASNOM) kanë pasur rëndësi vetëm për formimin e ish Republikës Socialiste të Maqedonisë në kuadër të federatës jugosllave (RSFJ) dhe njohjen e kombit maqedonas, të cilat nga shqiptarët janë pranuar vetëm si akt politik i vullnetit të mirë ndaj bashkëqytetarëve me përkatësi etnike maqedonase, ndërsa periudhën e regjimit komunist nën ish Jugosllavi shqiptarët e konsiderojnë si pushtim dhe sundim të tyre;

– shqiptarët e gëzojnë të drejtën për rikthimin e statusit të popullit konstituiv edhe sipas kushtetutën së ish RSM-së të vitit 1974, trashëgimtare e drejtpërdrejtë e së cilës është Republika e sotme e Maqedonisë;

– duke pasur parasysh se shqiptarët nuk kanë marrë pjesë në referendumin e 8 shtatorit të vitit 1991 për pavarësinë e Maqedonisë, për shkak të rrethanave të njohura politike, sipas formulimit të pyetjes me kuptim të dyfishtë të këtij referendumi, për pavarësi të shtetit dhe të drejtën për bashkëngjitje një federate të ardhshme me shtetet tjera jugosllave, në të cilën shqiptarët nuk kanë dashur të jetojnë edhe më tej nën sundimin e të tjerëve, prandaj ata organizuan referendum për Autonomi politike-territoriale të shqiptarëve në Maqedoni, jo jashtë kornizave të këtij shteti;

– për këto dhe arsye të tjera, shqiptarëve duhet t’u garantohet statusi juridik-kushtetues dhe politik i popullit konstituiv në Republikën e Maqedonisë.

Me këtë nuk rrezikohet mirëqenie e qytetarëve të këtij vendi, nuk rrezikohet integriteti territorial dhe sovraniteti i shtetit, nuk rrezikohet identiteti i popullit maqedonas, nuk cenohen interesat e shteteve fqinje dhe as rrezikohet paqja dhe siguria ndërkombëtare.

Me këtë edhe do të konsumoheshin idetë për ndarjen e Maqedonisë, për federalizmin e shtetit, si dhe ideja kontroverse për ridefinimin e shtetit si shtet qytetar, i të gjithëve dhe i askujt; kjo do të jetë edhe garanci e fortë ndaj rrezikimit të shtetit nga destabilizimi i brendshëm dhe kërcënimet nga jashtë; do t’i siguronte vendit sovranitet dhe integritet të qëndrueshëm, ruajtjen e identitetit të popullit maqedonas, popullit shqiptar dhe të tjerëve; si dhe do ta garantonte paqen dhe perspektivën euroatlantike të vendit.

Prandaj, kërkohet vullnet politik i të gjitha palëve që ia duan të mirën shtetit, përpiqen për të ardhmen më të mirë të tij dhe progres, duke siguruar mekanizma kushtetues dhe ligjorë për ndryshimin e preambulës së kushtetutës, në përputhje me këtë edhe të disa neneve në pjesën normative të saj, ku duhet të thuhet:

,,Qytetarët e Republikës së Maqedonisë, populli maqedonas, populli shqiptar, si dhe qytetarët që jetojnë në kufijtë e saj, të cilët janë pjesë e popullit turk, popullit vlleh, popullit serb, popullit rom, popullit boshnjak dhe të tjerë, në pajtim me traditat pozitive të bashkëjetesës dhe përpjekjet për krijimin e shtetit të tyre të përbashkët, të shprehur përmes Referendumit të 8 shtatorit të vitit 1991, si dhe të Referendumit të 11 dhe 12 janarit të vitit 1992, vendosën ta konstituojnë Republikën e Maqedonisë shtet të pavarur dhe sovran…”.

Në vend të Preambulës aktuale të Kushtetutës së Maqedonisë, ku pas ndryshimeve të vitit 2001, me pikën 1 të Amendamentit IV ndryshohet Preambula e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë*, mes tjerash thuhet:

,,Qytetarët e Republikës së Maqedonisë, populli maqedonas, si dhe qytetarët që jetojnë në kufijtë e saj, të cilët janë pjesë e popullit shqiptar, popullit turk, popullit vlleh, popullit serb, popullit rom, popullit boshnjak dhe të tjerë…, në pajtim me traditën e Republikës së Krushevës dhe Vendimet e KAÇKM dhe Referendumin e 8 shtatorit të vitit 1991, vendosën ta konstituojnë Republikën e Maqedonisë shtet të pavarur dhe sovran…”.

* Gazeta zyrtare e RM, nr. 91/2001.

(13 janar 2017)