Deputetët britanikë miratuan legjislacionin i cili do t’i lejojë Britanisë së Madhe të largohet nga Bashkimi Evropian, më 31 janar, përmes një marrëveshjeje, duke i dhënë fund përplasjeve tre vjeçare për kushtet e divorcit.
Deputetët votuan me 330 vota pro dhe 231 kundër.
Projektligji u miratua pas një debati tre-ditor.
“Koha është për të zbatuar Brexit-in. Ky projektligj do ta bëjë atë”, tha ministri për Brexit-in, Stephen Barclay, para deputetëve.
Legjislacioni tani dërgohet në dhomën e lartë të parlamentit dhe pritet të bëhet ligj në javët e ardhshme, duke lënë kohë të mjaftueshme për Britaninë e Madhe, të largohet në fund të muajit me një marrëveshje e cila do të minimizojë pasojat ekonomike.
Dalja e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian (Brexit), është shtyrë disa herë, pasi marrëveshja me Bashkimin Evropian, e arritur nga ish-kryeministrja britanike, Theresa May, ishte refuzuar tre herë në parlament.
Më pas, May dha dorëheqje nga posti dhe pasardhësi i saj, Boris Johnson, thirri mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, në fund të vitit të kaluar. Ai fitoi një shumicë të madhe duke promovuar përfundimin e procesit të Brexit-it në fund të janarit.
Johnson është i bindur se marrëveshja e tregtisë së lirë me Bashkimin Evropian, të cilën ai e dëshiron pas daljes së vendit nga BE-ja , mund të negociohet me kohë, por homologët e tij të BE-së janë më pak të bindur në këtë drejtim.