Familjet shqiptare shpenzojnë rreth 5100 lekë në muaj për transport, thonë të dhënat më të fundit nga anketa e buxhetit të familjeve, e cila i referohet vitit 2018.

Për frymë, kjo shumë fiksohet në 1387 lekë në muaj, ose 16.600 lekë në vit. Kjo shumë përkthehet në rreth 6.8% të totalit të shpenzimeve të tyre. Po në Europë sa është kjo përqindje? Eurostat ka publikuar të dhënat më të fundit, ku thotë se, në Europë, norma mesatare e shpenzimeve familjare për transport përkthehet në 13.2% të shpenzimeve totale, dy herë më shumë se familjet shqiptare. Kjo normë është e barabartë me 1.1 trilionë euro, 7.8% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të të gjithë Bashkimit Europian, ose 2200 euro për frymë.

Në vendin tonë kjo shifër fiksohet në vetëm 134 euro për frymë, ose 16 herë më pak se mesatarja e Bashkimit Europian. Sa i përket shpenzimeve për transportin mbi totalin e shpenzimeve familjare, Shqipëria krahasuar me Europën është e parafundit, vetëm me Sllovakinë më keq, ku norma fiksohet në 6.6%. Në vend të parë në Europë ndërkohë, është Sllovenia, me shpenzimet për transport të familjeve në 16.9% të totalit./Burimi: SCAN