Media shtetërore iraniane njoftoi të martën se një dyndje masive në funeralin e kryekomandantit ushtarak Qassem Soleimani la të paktën 40 të vdekur dhe rreth 200 të plagosur.
Dhjetëra mijëra njerëz ishin mbledhur në funeralin e gjeneralit Soleimani në qytetin Kerman pas shumë ceremonive të ngjashme këtë javë në Teheran, Qom dhe Ahvaz. Media shtetërore iraniane njofton se varrimi u shty si rezultat i shtypjes së dhjetëra njerëzve nga dyndjet masive.
Vrasja e Suleimanit javën e shkuar pas një sulmi ajror amerikan ka ngjallur frikën për një konflikt më të gjerë ndësa Shtetet e Bashkuara dhe Irani kërcënojnë për reagime të forta ndaj veprimeve të ndërsjellta.
Më herët të martën, udhëheqësi i Gardës Revolucionare të Irani Hossein Salami përmendi kërcënimet e fundit për një hakamrrje të njëjtë kundër sulmit ajror amerikan të së premtes pranë aeroportit në Bagdat.
Zyrtarët amerikanë e kanë fajësuar Soleimanin për vrasjen e trupave amerikane në Irak nga forcat e mbështetura nga Irani dhe e kanë akuzuar për komplot për sulme të reja kundër personelit amerikan në rajon, por nuk e kanë bërë publike natyrën e kërcënimeve.
Ndërsa janë shtuar tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, Uashingtoni i ka mohuar vizën Ministrit të Jashtëm të Iranit Mohammad Javad Zarif, për të udhëtuar drejt Nju Jorkut për të marrë pjesë në takimet e ardhshme të Kombeve të Bashkuara.
Pas sulmit ajror amerikan, Irani ka njoftuar se po tërhiqet edhe më tej nga zbatimi i marrëveshjes së vitit 2015 që kufizon programin e tij bërthamor. Presidenti amerikan Donald Trump, i cili u tërhoq nga marrëveshja dhe vuri sanksione ndaj Iranit, reagoi përmes një postimi në Twitter të hënën, “IRANI NUK DO TË KETË KURRË ARMË BËRTHAMORE !”
Presidenti amerikan u zotua të dielën se Shtetet e Bashkuara do të godasin “shumë rëndë dhe shumë shpejt” në 52 objektiva iraniane nëse ai vend kryen sulme ndaj personelit apo interesave amerikane. Numri 52 përfaqëson numrin e amerikanëve që Teherani mori peng për 444 ditë në vitin 1979.
“Ata lejohen të vrasin njerëzit tanë”, u tha Presidenti gazetarëve në bordin e avionit presidencial Air Force One. “Ata lejohen të torturojnë dhe gjymtojnë njerëzit tanë. Ata lejohet të përdorin bomba në rrugë dhe të vrasin njerëzit tanë dhe ne nuk na lejohet të prekim vendet e tyre kulturore? Kjo nuk funksionon siç duan ata.”
Presidenti iranian Hassan Rouhani hodhi poshtë kërcënimin e presidentit amerikan të hënën duke postuar në rrjetin Twitter: “Ata që i referohen numrit 52 duhet gjithashtu të kujtojnë numrin 290. #IR655. Kurrë mos e kërcënoni kombin iranian”.
Udhëheqësi iranian i referohej vitit 1988 kur Shtetet e Bashkuara gabimisht qëlluan dhe rrëzuan një avion iranian pasagjerësh në Gjirin Persik duke vrarë të 290 njerëzit në bord. Presidenti Ronald Reagan pati shprehur keqardhje të thellë rreth incidentit ndërsa Shtetet e Bashkuara paguan rreth 62 milion dollarë dëmshpërblim për familjet e viktimave.
Ndërsa vazhdojnë kërcënimet mes Teheranit dhe Uashintonit, shefi i Natos Jens Stoltenberg i kërkoi Iranit që të shmangë “dhunën dhe provokimet e mëtejshme”.