Kriza botërore e refugjatëve vazhdon të thellohet. Sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara bota po dëshmon nivele rekord të zhvendosjes së popullsisë. Numri i atyre që largohen pritet të rritet edhe më tej në të ardhmen jo vetëm si pasojë e konfliktit e persekutimit, por edhe ndryshimeve klimatike. Grupet që mbrojnë të drejtat e refugjatëve thonë se janë të shqetësuar me prirjen e vendeve të zhvilluara për të larguar refugjatët e azilkërkuesit, gjë që e vështirëson edhe më tej situatën e tyre. Korrespondetja e Zërit të Amerikës Ardita Dunellari njofton.
Konfliktet e persekutimet ishin ndër shkaqet për largimin e një numri të madh njerëzish nga komunitetet dhe vendet e tyre gjatë vitit 2019, duke rritur përmasat e një krize të pashembullt refugjatësh në nivel botëror.
“Numri i personave të zhvendosur është mbi 70 milionë, nga të cilët rreth 25 milionë janë refugjatë. Kemi vënë re zhvendosje të vazhdueshme nga Siria dhe Venezuela”, thotë Joung-ah Ghedini-Williams, zëdhënësi i UNHCR-së.
Sipas zëdhënësit të UNHCR-së Joung-ah Ghedini Williams gjatë 2019-s vetëm një numër i vogël refugjatësh u rikthyen në vendet e tyre, kjo për shkak të rrethanave të jomikpritëse atje.
Në 2019-n sikurse një vit më parë, numri më i madh i refugjatëve ishin sirianë, afganë, sudanezo jugor, rohinga e somalezë.
Ekspertët paralajmërojnë se ndryshimet klimatike do të jenë shkaku kryesor për lëvizjen e popullatës. Zyrtari i UNHCR-së thotë se katastrofat natyrore kanë shkaktuar ndërkohë zhvendosje në shkallë të gjerë nga vende si Sudani i Jugut dhe Somalia.
“Jo vetëm sepse njerëzit janë të detyruar të largohen pasi nuk mund të sigurojnë jetesën apo mundësi për t’u kujdesur për tokën e tyre, por edhe për shkak se në ato zona të thata, uji është shndëruar në armë që përdoret nga grupet ushtarake për të kontrolluar popullsinë”, thotë ai.
Por grupet e të drejtave të njeriut flasin për një “krizë solidariteti” në mesin e kombeve që i kanë mikpritur refugjatët historikisht. Sipas tyre ka një rritje të nivelit të largimit të detyruar prej vendeve të zhvilluara.
“Ka një mungesë të mbështetjes direkte. Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara, Australia dhe shumë prej vendeve të pasura i kanë bllokuar refugjatët”, thotë Bill Frelick, i Programit për të Drejtat e Refugjatëve.
Bashkimi Evropian dhe disa vende të zhvilluara kanë zbatuar gjithashtu të ashtuquajturat “politika të frenimit” me qëllimin për të zbutur numrin e refugjatëve dhe azilkërkuesve në kufijtë e tyre.
Politika të tilla thotë zoti Frelick u dërgojnë një sinjal të qartë vendeve që janë në vijën e parë të frontit, si Turqia, që të bëhen pengesë në kufi e të mos lejojnë kalimin e atyre që kërkojnë strehim e mbështetje.
“Mendoj se ekziston padiskutim një klimë shumë e vështirë për refugjatët. Ajo që po vihet re është një nga retorikat më të ashpra e të padëshirueshme që kemi përjetuar”, thotë Joung-ah Ghedini-Williams.
Në një kohë kur disa qeveri theksojnë nevojën për t’u kujdesur së pari për qytetarët e tyre, aktivistë si Bill Frelick vënë re një mungesë empatie si dhe politikanë që nuk arrijnë të përballen me racizmin, ksenofobinë dhe islamofobinë. Si rezultat thotë ai është zbehur mbështetja për të ndihmuar njerëzit në rrethana të vështira.
“E drejta për t’u larguar, për të kërkuar azil është në thelb e drejta e fundit njerëzore që ka një individ. Ajo është mundësia e vetme kur gjithçka tjetër ka dështuar, kur atyre u duhet të përballesh me genocid, kur shanset për të jetuar janë minimale”, thotë Bill Frelick, Programi i të Drejtave të Refugjatëve.
Viti 2019 përfundoi me një shfaqje solidariteti gjatë Forumit Botëror të Refugjatëve të organizuar nga UNHCR-ja në mesin e muajit dhjetor, gjatë së cilit disa vende, biznese dhe institucione ndërkombëtare premtuan mbështetje. Por ndërsa premtimet mund të mos jenë të qëndrueshme, UNHCR-ja shpreson se ata mund të rindezin angazhimin ndërkombëtar për të ndihmuar refugjatët në të ardhmen.