Me hyrjen në vitin e ri, Tajlanda ndaloi përdorimin e qeseve plastike, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas medias lokale, qeveria ka bërë të ditur se ndalesa e qeseve plastike njëpërdorimëshe e planifikuar prej kohësh do të fillojë të zbatohet në nivel të gjerë nëpër qendrat tregtare dhe dyqane nga ky vit.

Duke njoftuar ndalesën, ministri i Mjedisit dhe Burimeve Natyrore Varawut Silpa-Archa tha se deri në vitin e kaluar, Tajlanda ishte vendi i gjashtë në botë që ka derdhur më së shumti mbeturina plastike në det.

“Falë fushatave të zhvilluara në pesë muajt e fundit dhe me ndihmën e popullit tajlandezë, ne kemi rënë në vendin e dhjetë në këtë aspekt”, tha ai.

Varawut tha se përdorimi i qeseve plastike në tërë vendin ishte zvogëluar ndjeshëm vitin e kaluar, por tha se ndalesa nga viti 2021 do të përhapet tutje për të përfshirë të gjitha dyqanet dhe shitoret, me çka qeseve plastike do t’u jepet tërësisht fund.