Fillimi i presidencës së Koracisë do të shënohet zyrtarisht më 9 janar 2020 me ardhjen e anëtarëve të Komisionit Evropian në Zagreb
Në ditën e parë të vitit të ri 2020, Kroacia mori presidencën gjashtëmujore të Këshillit të Bashkimit Evropian (BE), raporton Anadolu Agency (AA).
Fillimi i presidencës së Koracisë do të shënohet zyrtarisht më 9 janar 2020 me ardhjen e anëtarëve të Komisionit Evropian në Zagreb dhe me një koncert në Teatrin Kombëtar Kroat.
Ndërkaq, ndërkombëtarisht, nisja e presidencës kroate do të shënohet më 15 Janar me një koncert në Bruksel, në ditën e njohjes diplomatike të Kroacisë.
Presidentja kroate Kolinda Grabar-Kitaroviç më herët ka njoftuar se vendi i saj do të synojë të kontribuojë për një Evropë më të mirë dhe më kompakte gjatë gjashtë muajve të presidencës dhe se ajo pret që Kroacia të fitojë një dimension të ri të pozicionit të saj ndërkombëtar gjatë kësaj periudhe.
Sipas saj, vendim i rëndësishëm që duhet të merret është miratimi i buxhetit evropian për periudhën 2021-2027 dhe një zgjidhje cilësore dhe e drejtë për marrëdhëniet midis BE-së dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Ajo ka thënë se prioriteti i parë i Koracisë është ai i titulluar si “Rritja e Evropës”, i cili përfshin kryesisht çështjen e rritjes demografike, ku vëmendje e veçantë do t’u kushtohet të rinjve në zonat rurale.
Prioriteti tjetër, sipas Kitaroviç, është “Evropa lidhëse”, i cili do të promovojë nisma që janë në dobi të transportit, energjisë, lidhjes digjitale dhe teknologjive të reja, por edhe në dobi të sportit, kulturës dhe arsimit.
Prioriteti i tretë të cilin e ka përmendur presidentja kroate është ai i emëruar si “Evropa që mbron qytetarët e saj”, që nënkupton sigurinë e brendshme dhe të jashtme dhe mbrojtjen e qytetarëve evropianë, si dhe mbrojtjen nga migrimi i paligjshëm, sigurinë në internet, ruajtjen e privatësisë dhe luftën kundër krimit të organizuar.
“Një Evropë që është e hapur dhe kategorike në fqinjësinë e saj të afërt dhe globalisht”, është përparësia e katërt e Kroacisë, ka theksuar Kitaroviç.