(Lindi më 22.02.1932 – Vdiq më 20.12.2019)

Të nderuar pjesëmarrës të këtij morti, sikurse jemi kështu së bashku, po e përcjellim me nderimet e merituara, për në banesën e fundit, për shumçka nënën simbol të këtyre anëve dhe jo vetëm, KUNE BRAHË (Avdiaj) LAUKA.

Ajo ka lindur në fshatin Berishë të kësaj krahine, me datën 22.02.1932, në shtëpinë e Brahë Alisë së Mashit, në të cilen u mbrujt për jetën dhe e formoi karakterin e saj të skalitur, i cili i shërbeu për të përballuar dhe kapërcyer në mënyrë shembullore jo pak vështirësi të jetës.

Që në moshë të re u martue më Shaban Sadik Laukën, i cili ishte rritur jetim, duke ju bërë jo vetëm bashkëshorte, por edhe krahë e shokë i afërt e i pandarë gjatë gjithë jetës së tyre të përbashkët. Populli ynë ka thënë e thotë: “Kur një çift mirëkuptohet dhe e don njëri-tjetrin, ata e begatojnë jetën e tyre edhe në rrásë të gjallë”. E materializim i kësaj shprehje të urtë e filozofike të popullit tonë të kesaj treve është edhe jeta e prosperiteti familjar i çiftit Shaban e Kune Lauka. Për ta nuk ka qënë e lehtë që të lindin, rritin dhe edukojnë duke i nxjerrur të aftë në jetë 12 femijë, të cilët për gjatë gjithë jetës së tyre nuk stonuan asnjëherë, jo vetëm në marrëdhëniet e tyre personale, familjare, por edhe në fshat, zonë e kudo në jetën e tyre deri më sot.

Sá u tha më lart, edhe pse nuk ka qënë lehtë e arritshme, është më e thjeshta për rastin në fjalë, që pasardhësit e këtij çifti të mos jenë problem në shoqëri e kudo, por ata deri tani kanë arritur që të jenë model e shembull referimi për arritjet e tyre intelektuale duke mbaruar masivisht jo vetëm arsimin e lartë, por duke arritur deri në gradën doktor shkencash, sikurse është rasti i fëmijës së tyre, Islam Lauka.

Por pasardhësit e kësaj nëne simbol përkushtimi, kanë qënë dhe janë edhe me kontributet e tyre të vyera shoqërore, duke ja siguruar asaj jo vetëm privilegjin që të shohin vet arritjet e pasardhësve të saj, por edhe duke ja dhënë në gjallje të sajë kenaqësinë që të vlerësohej më të drejtë nga ana e Presidiumit të Kuvendit Popullor të Republikës së Shqipërisë, me titullin e lartë “Nënë Heroinë”.

Në raport më kushtet dhe mundësitë e asaj kohe, ajo ishte një njeri i kompletuar, sepse ajo ishte lëvruese dhe ushtruese e traditave më të mira të artit popullor, përmes këngëve të djepit, interpretimit të spikatur e krijues të lojrave popullore të femrave në kanagjeçë e zijafete. Këto arritje të saja në artin e traditës ishin jo vetëm si dhunti të natyrshmë për të, por edhe si një traditë familjare e Brahë Alisë së Mashit-Berishë një burrë me emër të mirë, por i njohur edhe si një “Homer” i atyre anëve, pasi dinte përmendësh vargjet e Epikës Legjendare e shumë gojdhëna të tjera.

Kune Lauka u shque edhe si bamirëse në fushën e mjekësisë popullore, e cila dinte dhe mundej t’u bante derman shumë vetave, përmes kurimit të disa semundjeve, në saje të ushtrimit prej saj të mjekësisë popullore, sëmundje ato ndaj të cilave edhe mjekësia ishte e kufizuar në shërimin e tyre.

Vlen për t’u theksuar në këtë ditë se harmonia bashkshortore dhe përparimi i femijëve të saj në jetë, e ushqyen atë shpirtërisht dhe moralisht, që jo vetëm të ishte stoike, por dhe t’i kapërcente vështërsitë e panumrueshme të jetës, por edhe të ishte çdo herë optimiste, por pa e dhanë veten edhe hokatore, shakaxheshë, alegro, e mbi të gjitha edhe oponente e drejtpërdrejtë e goditjes me shpoti të dukurive e fenomeneve të gabuara shoqërore. Po gjithashtu edhe të individëve me vesé e dobësi, sado me pushtet qofshin ata.

Me rastin e përcjelljes sot për në banesën e fundit të Kune Brahës (Lauka) nuk është vetëm familja, që po ndahet me njeriun e tyre më të dashur, fëmijët me nënën e tyre të shtrenjtë, por edhe të gjithë ne sa patëm rastin ta njohim nga afër atë, po ndahemi sot me një vlerë e “lis” rrënjë e degëshumë të traditës e kujtimeve më të mira që ruajmë për të.

Ajo u largue nga kjo jetë në moshën 90-vjeçare me këmbë, dorë e mendje të kthjelltë si afirmim i genit të saj njerëzor.

Por njëkohësisht ajo u largue nga kjo jetë e mbushur plot në shpirt dhe qenjien e saj njerëzore, sepse lá pas jo vetëm djemë e vajza shembullorë, por tani edhe shumë nipa e mbesa, të cilat kanë vijuar dhe po vijojnë në rrugën e traditave më të mira të prindërve dhe gjyshërve të tyre, duke u bërë kështu pjesë e vlerave të shoqërisë tonë.

Edhe për fëmijët e saj, sot në përcjelljen e fundit, pavarësisht hidhërimit, është gjë e madhe për ta se nuk u mbetet peng sot e kësaj dite e përjetë, se nuk i qëndruan afër në të gjitha format e mundshe deri në frymën e saj të fundit.

Shoqata Mbarëkombetare “Bytyçi”, Tiranë-Prizren, ngushëllon fëmijët e saj, nipat, mbesat, e të afërmit e saj…! Shpirti i saj u prehtë në paqe të përhershme. I koftë i lehtë dheu i tokës së vet!

Në shenjë respekti propozoj të mbajmë 1 minutë heshtje.

I përjetshëm kujtimi i saj.

 

Për Shoqatën Mbarëkombëtare “Bytyçi”, Tiranë-Prizren,

                        Av. Agron Isa GJEDIA

 

Viliq, Bytyç, Malësi e Gjakovës, më 22.12.2019