Tryeza e Vitit të Ri padyshim nuk ka kuptim pa sallatat e ndryshme që shoqërojnë gatimet tradicionale që amvisat kujdesen të përgatisin.
Janë të ndryshme recetat e sallatave që amvisat mund të përgatisin për darkën e Vitit të Ri, por disa prej tyre të veçanta nuk duhet të mungojnë në tryezë.
AgroWeb.org ju sjell më poshtë tri sallata të shijshme të cilat shtojnë shijen e mirë të gatimeve speciale në darkën e Vitit të Ri.
Sallata Ruse
Përbërësit:
1 filxhan çaji me bizele
125 gr karrota
125 gr fasule
1 kokërr e madhe patate
3 gota me majonezë
Një lugë e vogël me kripë (sipas preferencës)
Një lugë e vogël piper
Gjysmë kavanoz kastraveca turshi
Tre speca të kuq turshi (gogozhare)
Një lugë vaj ulliri
Përgatitja:
Zjejmë të parat fasulet. Më pas karrotat, pataten dhe bizelet i hedhim në një enë dhe i zjejmë. Në momentin që shohim që janë të zjera i heqim dhe i lëmë të ftohen. Presim pataten dhe karrotat në kubikë të vegjël, i hedhim në një tas, bashkojmë fasulet e zjera, bizelet.
Presim në kubikë të vegjël edhe kastravecat dhe specat gogozhare (një spec e presim në vija të holla dhe e përim në fund për dekorimin e sallatës), i shtojmë në tasin me perime. Hedhim kripën dhe piperin dhe i përzjejmë. Në fund, shtojmë majonezën i përzjejmë të gjitha bashkë derisa sallata të jetë e njëtrajtshme.
Hedhim një lugë vaj ulliri sipër dhe e servirim duke vendosur për zbukurim shiritat e specave gogozhare. Shoqërohet me çdo lloj gatimi, sidomos me mishra, por edhe supra dhe gjellra të ndryshme.
Rukola me Shegë:
Një tas të madh me rukola
Kokrrat e një shege të qëruar
Dy lugë vaj ulliri
Kripë
Një lugë uthull balsamike
Fetëza shumë të holla djathi kaçkavall (sipas preferencës)
Përgatitja:
Pastrojmë mirë gjethet e rukolës (Sipas preferencës, gjethet mund t’i lini të plota ose mund t’i këpusni me dorë në copëza të vogla)
Qërojmë me kujdes shegën dhe në një tas hedhim të gjitha kokrrat e saj dhe i pastrojmë
Në një tas qelqi ose pjatancë vendosim gjethet e rukolës. Kokrrat e shegës i shtojmë sipër gjetheve të rukolës. Në fund hedhim kripën dhe vajin e ullirit
Uthullën balsamike kujdesemi t’a shpërndajmë me pika të vogla rreth gjithë sallatës
Sipas preferencës sipër sallatës vendosim edhe disa fetëza djathi kaçkavall dhe arra.
Lakër e kuqe dhe e bardhë me arra:
Përbërësit e sallatës :
Gjysmë kokërr qepe
200 gramë lakër të kuqe dhe e bardhë e prerë hollë
1 lugë çaji me mjaltë
1 lugë gjelle me uthull molle
1 lugë gjelle me lëng molle, pa sheqer shtesë
1 lugë gjelle me vaj ulliri
50 gramë arra të copëtuara
Gjysmë luge çaji me kripë
Një majë luge çaji me piper
Udhëzimet :
Priteni lakrën hollë. Prisni qepën dhe shtojeni në enë. Në vijim në një enë tjetër të shtoni uthullën e mollës, mjaltin, lëngun e mollës, vajin e ullirit, kripën, piperin dhe përziejini mirë. Më pas hidheni salcën e krijuar sipër sallatës. Shtypini arrat me dorë dhe më pas shtojini në sallatë.