Kur e tepron me ushqimin gjatë festave, nuk shton vetëm peshë, por gjithashtu mund të lodhësh sistemin tretës, të kesh urth e probleme me gjumin.

Mblidhemi me miqtë e familjen, gatuajmë e hamë ushqime nga më të ndryshmet, pijmë alkool dhe e teprojmë në shumë gjëra. Këtë e justifikojmë duke thënë se festat do kalojnë e do ndryshojme sjellje.

Por, çfarë i ndodh trupit?

Një nga funksionet kryesore të stomakut është sekretimi i acidit klorhidrik për të filluar procesin e tretjes dhe për të vrarë bakteriet ndërkohë që ushqimi zhvendoset nëpër sistemin tretës. Sa më shumë të hash, aq më shumë acid prodhohet. Dhe një pjesë e tij kalon në ezofag duke rezultuar në urth. Vaktet e mëdha e ngadalësojnë tretjen dhe ushqimi kalon më shumë kohë duke u procesuar. Kjo shkakton një ndjenjë fryrjeje.

Ndërkohë që trupi përpiqet me të gjitha mundësitë që ka të tresë ushqimin e ngrënë, ai çon më shumë gjak në traktin gastrointestinal. Kështu, më pak gjak është i disponueshëm për të transportuar oksigjen dhe lëndë ushqyese në pjesët e tjera të trupit, duke shkaktuar lodhje dhe pafuqi në trup.

Teprimi me ushqimin shkakton dhe rritjen e sheqerit në gjak, sidomos nëse konsumoni shumë sheqerna dhe karbohidrate. Kur sheqeri në gjak rritet mbi nivelet normale, çlirohen sasi të tepërta të hormonit insulinë, që shkakton një rritje të menjëhershme të energjisë, e më pas lodhje.

Trupi mendon se nuk i nevojitet e gjithë ajo energji dhe fillon ta depozitojë atë në formën e dhjamit.

Shtoni dhe alkoolin në këtë teprim të kalorive dhe do të bëni një gjumë të shqetësuar gjithë natën.

Kur të zgjoheni në mëngjes, do të ndiheni të uritur pasi pankreasi ka punuar gjatë gjithë kohës për të procesuar të gjithë ushqimet dhe pijet. Mund të keni gjithashtu dhimbje koke, vështirësi  për t’u përqendruar dhe lodhje.

Çfarë mund të bëni për të shmangur shtimin e peshës gjatë kësaj periudhe?

Një nga strategjitë më të mira është thjesht të thuash “jo”.

Gjëra të tjera që mund të bëni janë:

  • Përmbaju rutinës së përditshme sa më shumë të mundesh. Kur del për pazar, bëje rrugën në këmbë, ose parkoje makinën larg dyqaneve. Pasi të keni ngrënë një vakt të bollshëm dilni një xhiro nëpër lagje. Luani lojëra aktive me familjen tuaj brenda shtëpisë.
  • Rimendoni ushqimet e preferuara. Mundohuni të mos gatuani të gjitha gatimet tuaja të preferuara që kanë shumë kalori, ose gatuajini ato në një mënyrë që të kenë sa më pak kalori.
  • Shumë nga ne besojnë se nëse nuk hamë gjithë ditën, mund ta teprojmë gjatë darkës së festës. Problemi është që kjo gjë bën që organizmi  të ruajë sa më shumë kalori që të jetë e mundur sepse mendon se trupi po vuan nga uria. Një ide më e mirë është mëngjes pa yndyrna dhe me shumë proteina, një drekë e lehtë dhe një darkë festive e moderuar.
  • Dëgjojeni trupin tuaj. Filloni duke marrë porcione të vogla dhe lërini vend një ushqimi që e keni me më shumë merak.
  • Mendoni para se të pini. Një birrë mund të ketë 175 kalori, ndërsa një gotë verë 160 kalori.
  • Gjumi i mirë është i rëndësishëm për shëndetin në përgjithësi por edhe për aftësinë për të ruajtur peshën optimale.

Burimi: Healthline