Ballina Ravijëzime Shkrimtari dhe turma – Nga Myftar GJANA “Drita e publikut errëson...

Shkrimtari dhe turma – Nga Myftar GJANA “Drita e publikut errëson gjithçka” (Heideger)

Në përpjekje për të sqaruar raportin e shkrimtarit ose të “njeriut të letrave” me opinionin publik duhet të dallojmë së pari se pse kanë ndodhur fenomene të tilla lidhur me famën e shkrimtarit si “ai është shkrimtar i popullit”, “poet i popullit”, “artist i popullit”, etj. A është kjo nofkë frut i sistemeve totalitare, të cilat i emëronin shkrimtarët e tyre në zenitin zyrtar të lavdisë me anë të botimit në mijëra kopje {shpesh në më shumë kopje se lexuesit e tyre}, me anë të dhënies së çmimeve zyrtare në raste përvjetorësh të partisë së vetme në pushtet, me anë të renditjes hierarkike në faqet e shtypit ideologjik-letrar apo problemi duhet të shtrohet më gjerësisht?
Fillimisht ndoshta duhet bërë, siç ndodh shpesh, përcaktimi i qartë dhe pa ekuivok i dallimit midis popullit, turmës dhe opinionit publik. Dallimi midis opinionit publik dhe dy të parëve është i dukshëm; opinioni publik ka të bëjë me mendimin e shfaqur në masmedia në epokën moderne apo nëpër mbledhje popullore {si aeropagu} në kohët antike. Ndërsa për të qenë më afër të vërtetës për dallimin midis turmës dhe popullit le të citojmë një pasazh nga vepra e Hannah Arendt-it “Origjinat e Totalitarizmit” ku thuhet: “Turma është, kryesisht, një grup në të cilin përfaqësohen të gjitha mbeturinat e shoqërisë. Kjo e bën më të lehtë që turma të ngatërrohet me popullin, i cili, gjithashtu, përfshin të gjitha shtresat e shoqërisë. Ndërsa populli në të gjitha revolucionet e mëdha lufton për një përfaqësim të vërtetë, turma gjithmonë do të bërtasë për “njeriun e fortë”, “liderin e madh”. Pasi turma e urren shoqërinë, prej së cilës përjashtohet, si edhe parlamentin ku nuk përfaqësohet.
Por cili është raporti i shkrimtarit me turmën? A ka një raport me të vërtetë shkrimtari me turmën dhe nëse ekziston ky raport a ka efekt vepra e shkrimtarit mbi turmën? Për të mos rravguar në pyje të dendura pa hartë dhe busull, duke mos dashur të zgjatemi me tjerrje të stërzgjatura pa përgjigje, le t’i referohemi një dialogu të ditës që i ka ngjarë autorit të këtyre rradhëve. Një ditë duke diskutuar me disa shkrimtarë për shkrimtarët dhe famën e tyre, unë ngulja këmbë se të qenit shkrimtar apo poet i stërnjohur dhe i popullarizuar nuk ka lidhje thelbësore me vlerën e veprës së botuar, sidomos në regjimet totalitare, që kanë monopol të plotë mbi botimet, masmedian dhe censurën. Kolegu im kundërshtonte, duke thënë se s’ka mundësi që njerëzit të të lexojnë kur s’ke vlerë artistike dhe sillte shembuj të pavërtetueshëm nga asnjë metodë e pranueshme. Ndërkohë aty pranë nesh kaloi një lipës i moshuar dhe unë e pyeta:
-A e njeh Dritëro Agollin?
-Po, u përgjigj lipësi?
-Cfarë është ai?
-Shkrimtar-u përgjigj ai.
-Po, Gjergj Fishtën e njeh, çfarë është ai?
-Poet, u përgjigj lipësi, në pritje të monedhës që do t’i jepja.
-Po, Kutelin, Martin Camajn, Frederik Rreshpjen a i njeh?
-Jo, këto nuk i kam dëgjuar asnjëherë?
Ky dialog do të na shërbente për të vënë në pah më mirë raportin mes shkrimtarit dhe turmës. Në rregjimet totalitare, siç ka qenë Shqipëria, tabloja është e qartë dhe pranohet pa argumenta shtesë; shkrimtar i njohur dhe i popullarizuar , pra edhe që gëzon famë zyrtare, mund të ishte çdo njeri i arsimuar në nivelin e shkrim-këndimit, që shkruante libra sipas Metodës së Re {të soc-realizmit} dhe të vetme që lejohej, që botohej vit pas viti në mijëra kopje nga shtëpitë botuese shtetërore, që ishte në fokus të kritikës socio-ideologjike zyrtare dhe që patjetër hynte me një vendim zyrtar në antologjitë e tregimit apo prozës nëpër shkollat zyrtare të të gjitha niveleve nga fillorja në universitet. Por vargut të këtyre shkrimtarëve u shtoheshin edhe disa të tjerë nga tradita e afërt dhe e largët; shkrimtarë që kishin shkruar libra patriotikë pa ndomjë vlerë të mirëfilltë letrare ose të tillë që kishin qenë hapur në shkrimet e tyre kundër regjimit të mëparshëm të Mbretit Zog. Edhe këta shkrimtarë botoheshin të censuruar duke hequr nga qarkullimi veprat e botuara më parë ose duke shkurtuar pjesë nga këto vepra me rastin e ribotimit të tyre. Kështu është vepruar me Bogdanin, Budin, De Radën, Seremben, Migjenin, Mjedën, Poradecin etj. Të mos flasim këtu për shkrimtarët e ndaluar krejtësisht si Fishta, Camaj, Koliqi, Rreshpja apo të tjerë të burgosur dhe të pushkatuar.
Duke u përpjekur të shpjegoj fenomenin e lidhjes së shkrimtarit me lexuesin në kohën e postdiktaturës më vijnë nëpër mënd zërat e shkrimtarëve të popullarizuar që janë gjallë dhe bërtasin sot nëpër kafenera: Nuk ka letërsi sot; librat më të mirë botohen në 1000 kopje, ndërsa në kohën tonë botoheshin në 50000 kopje. Ka ikur lexuesi për shkak se të rinjtë nuk dinë të shkruajnë.
Është fakt se sot këtyre shkrimtarëve u mungojnë turmat e lexuesve të dikurshëm të detyrueshëm. Njerëzit janë të lirë për të mos lexuar më as Llazar Siliqin, as Dritëro Agollin, as Fatos Arapin, as Shevqet Musarain, as Enver Hoxhën. Madje edhe më tej, ata janë të lirë për të mos lexuar edhe Kafkën apo Sartrin, Kamynë apo Eliotin, etj. Por nga ana tjetër, ata , në këtë dënim të mrekullueshëm që sjell liria për të mos lexuar, kthehen në gjykatës të vlerave. Duke mos lexuar, bie fjala Agollin, ata nuk i ndalon askush të lexojnë për kënaqësi estetike Kadarenë apo Martin Camajn, Koliqin apo Kutelin, letërsi të përkthyer apo të traditës së ndaluar. Ky gjykim është një ndëshkim i madh në tregun e vlerave, blerësit e të cilit zvogëlohen gjithnjë, gjersa të krijohet shtresëzimi i elitave. I elitave të shkrimtarëve dhe të lexuesve në çdo brez, i elitave të qëndrueshme të vlerave. Kjo elitë shkrimtarësh do të shtohet në progresion aritmetik nga brezi në brez , ndërsa elita e lexuesve në progresion gjeometrik. Do fillojë normaliteti si në çdo shoqëri normale; shkrimtarët klasikë të traditës që i rezistojnë shijes estetike të çdo kohe me vlerat e tyre si p.sh. Kuteli apo Poradeci do të kenë më shumë lexues elitarë se sa një shkrimtar prodhimtar bashkëkohor në kuptimin kronologjik si psh. Brunilda Zllami apo Elvira Dones. Ndërsa të tjerët do t’i mbulojë harresa apo do të hyjnë me disa rradhë në muzeumet e historisë së letërsisë si modele të letërsisë së egër revolucionare dhe entusiaste.
Një çështje tjetër që dua të veçoj është ai i trishtimit të shkrimtarëve të gjallë të popullarizuar nga regjimi i djeshëm për mungesën e vetvetishme të turmës së lexuesve. E them me plot gojën që këta shkrimtarë nuk duhet të trishtohen pa shkak, por vetëm për inerci të vargjeve të Dantes: “Vuajtje më të madhe s’ka, kur kohën e lumtur në mjerim kujton”. Sepse tashmë ata janë më të lirë se dje , pikërisht nga se publiku lexues nuk ushtron më tiraninë e tij mbi veprën e tyre, dhe se asnjë qeveri apo parti nuk u imponon ndonjë metodë për ta ndjekur në shkëmbim të pagesës apo privilegjeve të përditshmërisë. Dhe mund të shkruajnë , sigurisht vetëm nëse e shplajnë trurin e tyre nga metoda e dikurshme dhe nga ekzistenca e publikut, libra për veten e tyre dhe për lexuesin që ka kohë dhe shijen e tyre, për të shkëmbyer emocionet me të. Sepse ndikimi i publikut mbi shkrimtarin/apo artistin ka qenë gjithnjë negativ në dëm të artit të vërtetë. Po citoj se çfarë thotë Oscar Wilde para më se 100 vjetësh lidhur me këtë problem: “Kurdo që një komunitet apo një sektor i fuqishëm i një komuniteti apo qeverie të çdo lloji orvatet t’i diktojë artistit çfarë të bëjë ai, Arti ose shuhet tërësisht , ose bëhet stereotip, apo degjeneron në një formë te ulët dhe të turpshme të zejes.{ Soul of Man under socialism, faqe 34}Në të vërtetë , në çastin që një artist i kushton vëmendje asaj çka duan njerëzit e tjerë dhe përpiqet t’u plotësojë kërkesën, ai pushon së qeni artist dhe bëhet një zanatçi i ngathët apo zbavitës, një tregëtar i ndershëm apo i pandershëm”. Dhe duke vazhduar më tej ai thotë:
“Publiku ka qenë gjithmonë dhe në çdo epokë i edukuar keq. Njerëzit i kërkojnë vazhdimisht artit të jetë popullor, të kënaqë shijen e tyre, të lavdërojë kotësinë e tyre, t’u tregojë çfarë u kanë treguar më parë, t’u shfaqin çfarë nuk duhet të lodhen duke e parë, t’i zbavitë ata kur ndihen të rëndë pasi kanë ngrënë shumë dhe t’u largojë mendimet kur ata kapiten prej budallallëkut të tyre. Tanimë arti kurrë nuk duhet të përpiqet të jetë popullor. Publiku duhet të përpiqet të bëhet vetë artistik.”
Sepse standarti popullor është i një niveli të tillë saqë asnjë artist s’mund të arrijë tek ai. Ja sepse nuk lexohet në masë të gjërë poezia e sotme moderne që shkruajnë F.Rreshpja, E. Hatibi, A.Tufa, R.Zekthi, etj. Ja sepse ato nuk ndiqen pas nga turma lexuesish si dikur. Është e habitshme po ta krahasosh Shqipërinë me perëndimin dhe lindjen e kulturuar sa i përket tirazhit të botimeve. P.sh në Amerikë poetë të tillë si T.S.Eliot apo E.Paund botohen në 500 kopje dhe askush nuk shqetësohet. Ndërsa në Shqipëri librat e poetëve botohen në 500-1000 kopje dhe shkrimtarët e vjetër të Metodës së Re shkulin flokët nga pikëllimi për dekadencën e letërsisë shqipe në krahasim me vitet e komunizmit, pikërisht duke u nisur nga krahasimi i tirazhit të botimeve midis dy kohëve; kohës së diktaturës dhe kohës së lirisë. Harrojnë se poezia dhe letërsia e mirë lexohet nga një lexues i kulturuar dhe nuk ndiqet nga miliona tifozë stadiumesh, sikundër simfonitë e Bahut kanë dëgjues të paktë në krahasim me fansat adoloshentë të Majkëll Xheksonit apo Bitëllsave.
Së fundi shkrimtari që ka vendosur që të mos e përdhosë talentin e dhuruar nga Zoti nuk ka asnjë lidhje me turmën e lexuesve e aq më pak me turmat e tjera që dinë vetëm shkrim dhe këndim. Nga njëra anë sepse vepra e artit është përgjithësisht e pakuptueshme dhe nga ana tjetër se vepra e artit nuk është e nevojshme dhe nuk i shërben askujt për të siguruar ekzistencën. Jo më kot, në fillim të shekullit, gjatë një bisede të lartë, ndërsa Konica po i tregonte Fan Nolit arkitekturën e disa veprave letrare që mund të shkruante në shqip në të ardhmen , Noli e pyeti: Mjeshtër, po pse nuk i shkruan, ç’të pengon?. Konica iu përgjigj: Po kush do t’i lexojë në shqip, se?!, duke pasur parasysh se 99 % e shqiptarëve asokohe ishin analfabetë.