(Vështrime mbi monografië “Tropoja në breza” e autorit Ibrahim Kadri Malaj. Botoi Shtëpia Botuese “Dardania”. Tiranë, 2003)

Shkruan: Ali DACI – Rrozhajë: Zëvendëskryeredaktor i “Gazeta e Alpeve” në Malin e Zi

Ibrahim Kadri Malaj vjen para lexuesit shqiptar me monografinë ”Tropoja në breza”, të parën dhe të vetmen vepër  të këtij lloji në trevat malore të viseve shqiptare, të trevave dhe viseve autoktone shqiptare në Gadishullin Ballkanik, të shkruar dhe të sistemuar mirë për vendlindjen e tij, Tropojën me rrethinë.

Një punë 5-vjeçare hulumtuese, kontaktet dhe bisedat me shumë individë dhe personalitete të kësaj treve, kanë bërë që autori të jetë shumë bindës në konkluzionet dhe të dhënat statistikore e rrëfimtare për të kaluarën e lavdishme të Tropojë, fiset dhe brezat e saj. Me këtë rast, çdo familje dhe vëllazëri tropojane  ka mundësi, kudo qoftë ajo, të gjejë veten sipas fisit, vëllazërisë dhe barkut familjar, breznitë dhe mbiemrat e fisit të tij, të njihet më historinë dhe të kaluarën e lavdishme të stërgjyshërve të tij duke e ndjekur vazhdimësinë e brezave gjatë shekujve të fundit.

Monografia ”Tropoja në breza” e Ibrahim Malajt është një vepër shumë dimensionale, ku lexuesi mund të kënaqet duke lexuar e kuptuar shpirtin dhe zemërgjerësinë e popullit tropojan. Lexuesi në këtë libër njeh trimërinë, mendjekthjelltësinë, krenarinë dhe bukurinë natyrore e njerëzore të popullit të trevës së paluhatshme me një etnogjenezë puro-shqiptare gjatë shekujve, ku spikat atdhedashuria e devotshme e popullit dhe e fiseve malësore të Tropojës heroike. Relievi i larmishëm tropojan, klima dhe flora e fauna e pasur e kësaj zone janë të skalitura në mënyrë prefekte  nga autori.

Dymbëdhjetë fiset, dymbëdhjetë bajraqet e apo lugjet e Tropojës, janë pikë studimi dhe pikësynimi shumëvjeçar studimor i autorit, i cili për çdo njërin fis jep të dhënat etnografike, historike e gjeografike shumëdimensionale në pozicionet etnografike.

Tropoja, si pjesë e Malësisë së Gjakovës, me ndarjen administrative të njëanshme nga Fuqitë e Mëdha në vitin 1913, jep gjerësisht dhe kuptimisht njëanshmërinë e ndarjes territoriale dhe kombëtare të popullit shqiptar në atë kohë. Shumë dekada kjo trevë u gjet e përgjysmuar, ku një pjesë e saj ndodhet në kufirin administrativ në mes të Kosovës dhe Shqipërisë e Malit të Zi. Kjo ndarje krahinore ka bërë që etnografët e Malësisë së Gjakovës këtë trevë ta quajnë “Malësi e Vogël” ose “Malësi e Gjakovës”, duke e dalluar nga “Malësia e Madhe” ose  “Malësia e Shkodrës”.

Popullsia e Bashkisë së Tropojës është e organizuar në 12 fise, të cilat janë: Fisi i Gashit, Fisi Krasniqe, Fisi Bytyç, Fisi Nikaj, Fisi Mertur, Fisi Berishë, Fisi Shipshan dhe degë fisesh siç janë Fisi Hot, Fisi Kelmend, Fisi Vuthaj dhe Fisi Shalë.

Siç shihet, autori ka paraqitur përmes skemave 7 fise të plota, të cilat janë të organizuara mirë e që njihen nga vendasit dhe që kanë shtatë bajraqe  në vete, më përjashtim të Berishës  që nuk ka bajrak në krahinën e Tropojës. Merturi që rrjedhë nga Berisha  është fis  me veti e me bajrak të tij në Shëngjergj, kurse Shipshani llogaritet si fisi më i ri për faktin se për një kohë të gjatë ka qenë nën bajrakun e të Bardhëve e pastaj të Gashit. Autori në skemën e dhenë paraqet degët e fiseve, të cilat në Tropojë  nuk formojnë as fis e as bajrak. Fiset e këtyre degëve janë jashtë kufijve administrativ të Shqipërisë, si p.sh. Berbati – kjo degë e fisit të Hotit sot është në Mal të Zi, ashtu siç janë Selimajt e Valbonës me prejardhje nga fisi i Kelmendit në Mal të Zi. Pastaj autori sqaron që Çeremi është degë e fisit të Vuthajve në Mal të Zi, kurse Rrogami në Valbonë është me prejardhje  nga fisi i Shalës i Njësisë Administrative të sotme të Shalës. Duke përshkruar të kaluarën e hershme të këtyre fiseve autori thotë se në mungesë të shkrimit, ku regjistrimi i popullsisë mungonte, por që të parët e fiseve e bënin evidentimin  e numrit të shtëpive dhe në kuvendet e atyre kohërave, krerët e tyre  flisnin në emër të atyre shtëpive që kishte fisi. Kështu në emër të 400 shtëpive Gash fliste i gashiani, në emër të 700 shtëpive Krasniqe fliste i krasniqasi, në emër të 600 shtëpive në Nikaj e Mertur fliste i nikajve ose merturasi, për 200 shtëpi Bytyç fliste bytyçasi dhe në emër të 200 shtëpive Shipshan fliste i shipshani. Ndarje të tilla kishte edhe brenda fisit, ku epeshin mendime dhe sugjerime në kuvende, por në kuvendet e fiseve si rregull fjalën e kishte i pari i fisit, fjala e të cilit kurrë nuk u bë dysh nga pjesëtaret e fisit që ai përfaqësonte.

Malaj nuk ka reshtur duke hulumtuar statistikat e regjistrimit të qeverive dhe pushtuesve të ndryshëm, të cilët kanë shkelë mbi trollin Tropojan. Kështu duke u bazuar në Defteret kadastralë të Osmaneve të Sanxhakut të Shkodres të vitit 1485 Krasniqja shënohet me emrin Hrasto, kurse autori konstanton se emri këtij fisi rrjedh nga i pari i këtij fisi Kraha (Krasa) më një shtrirje të gjerë në Kosovë e në Mal të Zi, ku shekulli i XVIII shënon asimilimin e pjesëtarëve të këtij fisi në serbo-malazezë bashkë me nënfiset e saj.

Autori jep fakte duke llogaritë të 18 brezat, që kanë kaluar nga ajo kohë (e që llogaritet me 30 vjet një brez) korrespondon me vitin 1450. Vetëm truri i malësorit ka mundësi që sot t’i numërojnë 18 breznitë e paraardhësve te tij e që kapin shifrën e 540 vjetëve të shkuara.

Autori heton rregjistrimet e popullsisë nga koha e pushtuesit austriak, ku Tropoja  me rethinë ka patur 14.070 banorë e që është regjistrimi i parë i vitit 1916-1918. Ndërkaq pas një dekade në vitin 1927 Tropoja ka 14.705 banorë, kurse nga statistika e vitit 1984 Tropoja kishte 42.515 banorë, ndërkaq sipas regjistrit të Zyrës së Gjendjes Civile të rrethit të Tropojës të bërë në vitin 1990 kjo Malësi kishte 42.932 banorë, nga të cilët meshkuj ishin 21.746, kurse femra 21.186. Pos regjistrimit të përgjithshëm të popullsisë autori  ka nxjerrë nga statistikat edhe numrin e fshatrave sipas fiseve, ku Krasniqja në vitin 1990 ka 21 fshatra  me 11.152 banorë, si fisi më i madh në Tropojë dhe fisi Berishë si më i vogli me 3 fshatra me gjithsejt 656 banorë.

Një tjetër nocion shumë i rëndësishëm, i studiuar më vëmendje nga autori, është edhe nocioni “Shok” e “Kumbar”. Pasi që fiset përbëhen nga vëllazëritë, e këto lidhen në mes veti me kushëri, shok-ë e kumbarë, ku kusherinjtë janë më të afërmit e fisit me gjak e që quhen kusheri deri në brezin e gjashtë si rregull, kurse “shok-ë” quhen pjestarët e vëllazërisë, që kalojnë lidhjet e gjakut midis tyre në mbi shtatë breza.

Esenca e fenomenit për të gjitha mënyrat e lidhjes së kumbarisë qëndron në faktin se me këtë është lidhur ngushtë besa shumë e fortë ndërmjet dy familjeve të vëllazëruara. Kumbaria sipas autorit ka dy forma:

a)- “Kumbar shtëpie” është një pjesëtar i një familjeje që qethë ose rruan flokët  për së pari të një fëmije të familjes tjetër e që këto familje mund të jenë të një fisi apo të dy fiseve apo dy rretheve të tjera. Këtu nuk ka lidhje gjaku, bile kumbarohen edhe familje të besimeve të ndryshme.

b)-“Kumbar vëllazërie”, d.m.th. lidhje midis dy a më shumë vëllazërive, që kanë lidhje gjaku midis tyre, pa zënë famull midis tyre që do të thotë pa marrë flokët e fëmijëve.

Për nga gjaku, shpjegon autori, kumbarët e shokët janë të barabartë afërsisht në breza, pra rrjedhin nga i njëjti paraardhës. Esenca e këtij fenomeni në Malësitë e Veriut qëndron në faktin se ndryshe nga vendet e  tjera, malësori nuk lidhte krushqi brenda fisit pa marrë parasysh largësinë në breza.

Pas Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912, pas kësaj periudhe, krahas ndryshimeve të mëdha politike, shoqërore dhe ekonomike, ndryshuan edhe format e organizimit e të drejtimit të vendit duke filluar nga baza deri në qendër. Në përudhen e Ahmet Zogut u krijuan institucionet shtetërore në të gjithë Shqipërinë, ku për herë të parë  krijohet nënprefektura  me qendër në Tropojë, që varej nga Prefektura e Kukësit, kinse në disa zona u krijuan komunat si ajo e Kolgecajve, komuna e Bytyçit, ajo e Nikajve, kurse Gashi e Shipshani drejtoheshin nga Nënprefektura e Tropojës. Kjo formë e administrimit zgjati deri në vitin 1939, vit në të cilin Shqipëria u pushtua nga Italia fashiste, të cilët bënë organizimin e ri territorial. Kështu zona e Nikaj-Merturit i kaloj Rrafshit të Dukagjinit të Prefekturës së Shkodrës, ndërsa Tropoja në vartësi të Prefekturës së Kosovës me qendër në Krumë. Pas renjës së pushtuesve italianë, vendi u çlirua dhe organizimi territorial tashme është i njohur për lexuesin.

Kaptinë shumë të gjerë dhe me interes të veçantë e përbën kaptina e fiseve në Malësinë e Gjakovës, ku Malaj shkruan se “Dardania përbëhej nga 12 fise, katër prej të cilave u shtrinë  edhe në Malësinë e Tropojës, si Gashi, Krasniqja, Bytyqi dhe Berisha. Për secilin fis autori  jep të dhëna të shumta për gjenezën, shtrirjen gjeografike dhe atë etnografike, ku spikasin skemat e breznive që shtrihen nga dita e sotme deri në breznitë e largëta stërgjyshore që kapin 18 breza. Një numër kaq i konsiderueshëm i numërimit të brezave për fiset në fjalë ka hapur rrugë për shumë studiues të etnografisë ngado qofshin ata. Kështu, sot, shumë pjesëtarë të fiseve  shqiptare, që jetojnë jashtë kufijve administrativ të Shqipërisë, kanë mundësi që pemën familjare, vëllazërore e të fisit ta lidhin më bazën që korrespondon me një përbërje kohore prej 540 vitesh. Për pesë shekuj e gjysmë pjestarët e sotëm të fiseve, që aktualisht shtrihen në Tropojë, Kosovë e Mal të Zi, mundën që pasardhësve të tyre t’ua lanë një trashëgimi të artë për brezat në kalim. Malaj, gjeneratën e re e shpie rrugës së drejt numërimit të brezave pa e shmangur asnjë familje tropojane drejt trungut të parë të tij duke filluar tash 540 vjet më parë.