Deri afër orës 10 të mbrëmjes ajo e përballi pa vështirësi vendimin për t’i kaluar në vetmi këto krishtlindje. Nuk deshte asnjë njeri pranë. I ishin neveritur të tëra ato festat e zhurmshme të viteve të mëparshme duke ndjellë gjoja lumturinë me shampanjë që shkumëzon mbi koka kërcimtarësh pas se cilave, kur herët në mëngjes i dashuri radhës të përcillte në shtëpi, zhgënjeheshe aq shumë tek ai binte e flinte në kanape si i vdekur pa i hequr as këpucët, e kur zgjoheshe në mëngjes ai kish ikur vjedhurazi. Jo sot do ti përcillte këto krishlindje në vetmi.
Për shoqëri do kish vetëm këtë flakë të zbehtë qiriri dhe këtë gotë verë të kuqe. Do reflektonte në qetësi rreth jetës së saj.Tridhjetekatërvjeçare tani, uao sa shpejt ! Ata që ishin bashkë gjithë vitin le të ishin bashkë edhe këtë natë. Ndërsa ajo vetëm kish qënë gjithë vitin e vetëm desh të ishte edhe këtë natë.
I erdhi keq që nuk e pranoi ftesën e miqve të saj pleq, Betës dhe Smithit.
Ata e kishin ftuar me zemër në dorë të vinte tek shtëpia e tyre në Totenhem Kort. Të pinin shampanjën e krishlindjeve së bashku dhe të shkonin në kishë, po së bashku, që herët në mëngjes.
« Jo Beta, jo! Do rri në shtëpi këtë radhë.” – i kish thënë ajo Betës.
“E mirë po ndërrove mendje ne të presim » -i kish thënë Beta.
« As më i bukuri i Londrës nuk ma ndërron mendjen sot!»
« Si të duash ! »- i kish thënë Beta në telefon.
Mirëpo ja, në këtë sekonde, tek rrinte me faqen mbështetur mbi tavolinë e shihte hijet e qiririt të luanin në perdet e dritares së mbyllur ndjeu vetminë t’i rendonte si këmbanare kishe mbi vete e t’i merrte frymën…
Dhe brofi në këmbe.
Do shkonte tek Beti dhe Smithi! Do blinte shampanjën me vrap në supermarketin « Samerfild » që desh edhe pesë minuta të mbyllej, do kapte trenin dhe tek miqtë me vrap. Jo, asnjë minutë më me krishtlindje të vetmuara.
Ajo doli me nxitim nga dera e shtëpisë së saj dhe i hodhi një sy dritareve të fqinjëve.
Tek Bobi kishin ardhur dy vajzat dhe djali nga kolegji dhe festa kish filluar që në orën 8-te. Devidi kish ftuar mikun e tij të fundit. Një tunizian trupmadh që mezi fliste një anglishte çapaçule. Edhe tek Merri kish dritë. Po asaj kush i kish ardhur ?! Po nuk e lodhi shumë trurin t’i gjente përgjigje pyetjes. Të nesërmen Meri do ja thosh vetë fije e për pe gjithçka.
Sa budallaqe kish qënë që desh ti kalonte në vetmi krishlindjet. Si i erdhi xhanëm ky vendim idiot. Qeshi me vete në vrap e sipër.
Hyri me vrull mes dyerve të hapura kanat automatikisht të « Samerfild » – it dhe rendi drejt sektorit të verërave. Atje do blinte shampanjën për Betin e Smithin. Asnjë njeri rreth e qark. Kasieret po shikon orën dhe diç i thanë njëra tjetrës kur ajo i kaloi pranë.
« Nuk vonohem erdha, erdha ! » – u tha ajo në nxitim për tek verërat.
Dhe pikërisht atje, ku ajo e dinte se ishin shishet e shampanjës, përpara rafteve, qëndronte më këmbë një djalë i ri, me një profil të pashëm, i gjatë nja një pëllëmbë më shumë se ajo.
Më i bukuri i Londrës, mendoi.
Ai mbante në dorë një shishe shampanjë dhe e kundronte me vëmendje etiketën e saj.
Ajo ndali dy hapa larg tij dhe i nguli sytë pa turp.Troç filloi ta gjuante.
Ishte ai dhurata e këtyre krishlindjeve për të ? Me siguri. Ndryshe si do takoheshin tre minuta para se të mbyllej supermarketi ndërsa të tjerët kishin orë që kishin filluar festën?
-Më falni,- ju drejtua ajo djaloshit pa ndrojë.
Ai ktheu kokën. Ajo nuk u zhgënjye aspak. Edhe pamja ballore ishte po aq e bukur sa profili i tij. Shalli rrotulluar rreth qafës pa kujdes të madh i shtonte më shumë hijeshinë.
– Urdhëroni zonjushë , si mund t’ju ndihmoj ?
Ajo hodhi sytë nga shishet në raft.
– Po ja. Më duhet të zgjedh shampanjën e krishtlindjeve dhe nuk di…Është hera e parë që më duhet ta ble vetë shampanjën. Kupton ?!
-Oh, nuk është detyrë e vështirë për t’u bërë. Në fillim duhet të më thoni se si do e pini. Vetëm apo në shoqëri ?
Ajo i nguli vështrimin përtej xhamave të syzeve skeletarta.
Ai kishte dy sy si dy kokrra ylliri. « Me siguri që është mesdhetar. Nuk ka si të jetë anglez. Ndoshta është student a ndoshta bën masterin. Duhet të jëtë ndonja dhjet vjet më i vogël se unë po ç’prishi?! Është dhurata ime e krishtlindjeve dhe dhuratës nuk i shihet çmimi”.
-Nëse doni ta pini në vetmi është kjo shampanja këtu.
-« Veuve »-ja ?
-Po, tamam. « Veuve » nuk bën shumë shkumë. Kur hapet derdhet me mërzi nga gryka. I shkon vetmisë.
Ajo nuk shikonte nga “Veuve”-ja. Shihte atë në sy.
– Po nëse do ta pish në shoqëri. Vetë i dytë. Me një mik gjatë vallëzimit…
-Ah, tha ai. ”Bollinger” s’ka të sharë. Derdhet si fontanë nga tapa e të shkumëzon si deti Jon kur rreh shkëmbin.
Duhet të jetë ose grek ose shqipëtar, mendoi ajo rrufeshëm duke sjellë në mendje brigjet e dy shteteve fqinjë që lagte deti Jon.
Ajo zgjati dorën e mori një « Bollinger » në fillim e një « Veuve » më pas. I bëri me shenjë atij të mos merrte gjë për vete dhe t’i vinte pas.
Pastaj shkoi gati me vrap tek kasieret. Pagoi dy shishet e shampanjës dhe priti tek dera e « Samerfild »it që djali bukurosh t’i afrohej.
-Gëzuar krishtlindjet ! – i tha duke i zgjatur shishen me shampanjën « Bollinger ».
Djaloshi e mori shishen e shampanjës në duar dhe po e mbante sikur mbante një foshnjë para se ta shtrëngonte në kraharuar.
Pastaj u zgjat drejt saj dhe e puthi në faqe.
Ajo mbylli sytë. Po fluturonte në qiell nga lumturia.
Ai me siguri tani po hezitonte ta puthte apo jo në buzë.
« Jepi, mos e zgjat ! – po thosh ajo gjithë me sy mbyllur ndërsa falenderoi zotin që e kish lindur në Londër. Në këtë qytet të mrekullueshëm ku në çast mërzia të kthehej në lumturi nga puthja e një djaloshi mesdhetar që ta pranonte shishen e shampanjës dhe ish gati të ndante me ty natën e krishlindjeve.
Ajo ëndërroi në të qindën e sekondës rrugën e kthimit në shtëpinë e saj, kapur për mesi me djaloshin bukurosh duke u puthur pa çarë kokën nga zilia e fqinjëve që sa si thyente xhamat e dritareve të shtëpive të tyre të kohës viktoriane.
Ndjehej më e lumtura në botë nga kjo dhuratë e zotit.
Hapi sytë të nxitonte ta bënte ëndrrën realitet . Por …
Askush s’ishte përpara saj.
Djaloshi, dhjetë metra tutje po puthej me një vajzë tjetër. Ajo tjetra mbante në dorë pas kurrizit të djaloshit shampanjën që ajo sapo ja kish dhuruar atij.
Një lëmsh gulshi erdhi dhe ju ngjit në grykë.
Deshte të vraponte drejt çiftit e t’i ndante me zemërim.Ti ulërinte në sy asaj tjetrës se ai djalë ishte dhurata e saj. Se shampanjën « Bollinger » ja dha ta pinin bashkë në shtëpine e saj, se…
Por në çast e mblodhi veten.
Shau me mendje Londrën që zoti e kish bërë të tillë ku djem të bukur të mesdheut vinin e të ngrinin në qiell me një puthje në faqe dhe në sekondë të zhysnin shtatë pashë thellë vetmisë blu të syve të tyre.
Vetëm një sekondë kështu se në çast e ndau mendjen të shkojë tek Beti dhe Smithi plak me shishen e shampanjës « Veuve » dhuratë.
Ajo shpresonte që ata,të paktën ata, të mos e dinin se ç’ndryshim kish ajo nga shampanja « Bullinger ».

(Nga libri me tregime”Damaret e ujit”)