Kroatët po votojnë sot në zgjedhjet presidenciale, ku konservatorët në pushtet do të përpiqen të mbajnë pushtetin, pak kohë përpara se Kroacia të marrë për herë të parë presidencën e radhës të Bashkimit Evropian.

Rreth 3.8 milion votues në Kroaci, anëtarja më e re e Bashkimit Evropian po zgjedhin mes 11 kandidatëve, por vetëm tre prej tyre konsiderohen si konkurrentë të fortë.

“Unë mendoj se do të jetë një garë e fortë dhe e pasigurt në raundin e parë”, thotë Antun Karagic, banor i Zagrebit.

Edhe pse posti është kryesisht ceremonial në Kroaci, presidenti është komandant i ushtrisë dhe përfaqëson vendin në arenën ndërkombëtare.

“Unë pres disa ndryshime të buta, por edhe kjo nuk është realiste të pritet nga ky grup kandidatësh”, thotë Milan Tomjanovic, banor i Zagrebit.

Presidentja konservatore Kolinda Grabar Kitaroviç po kandidon për një mandat të dytë, e sfiduar nga ish-kryeministri i majtë Zoran Milanoviç dhe këngëtari i krahut të djathtë Miroslav Skoro.

Analistët parashikojnë se do të ketë nevojë për një balotazh brenda dy javësh sepse asnjëri nga kandidatët nuk pritet të fitojë shumicën e nevojshme që në raundin e parë të zgjedhjeve.