Jusuf Buxhovi, në radhë të par është shkrimtar, po e cilësojmë me këtë epitet, sepse kështu ia do zemra ta trajtojmë, por sa qëndron kjo si e vërtetë(?!), faji bie mbi te, sepse Buxhovi me punën e tij studiuese në fushën e historisë, sikur e ka mundur baraspeshën e shkrimtarit, dhe kur kësaj ia shtojmë edhe studimet pasuniversitare në fushën e historisë, kushdo që t’ia caktojë vendin e historianit nuk do të gaboj, madje nuk do të  bëjë as një mëkat.

Ndërsa një pjesë tjetër e lexuesve dhe bashkëkohanikëve të tij, Jusuf Buxhovin e njohin si gazetar të vyeshëm, madje edhe si kritik letrar, i cili me shkrimet e tija të njohura ka bërë emër edhe në fushën e publicistikës, kurse me trilogjinë “KTHESA HISTORIKE”, edhe përkundër dëshirës së tij(?!), Ai e ka marrë epitetin edhe të publicistit, dhe mendja ma thotë sikur tani t’ia venim vetëm epitetin e një “publicisti”, përsëri nuk do të bënim asnjë mëkat, sepse nëse këto gjëra janë për mëkate, përsëri fajtor është veta Ai, pse është marrë kaq shumë, kaq dendur e kaq mirë me publicistikë.

Këto tri fusha krijuese në të cilat ka shkëlqyer Jusuf Buxhovi, e përbëjnë një trilogji të angazhimeve të tija si shkrimtar, publicist dhe historian. Angazhime këto që nuk e zbehin edhe një angazhim tjetër i cili del më në pah, pikërisht në trilogjinë “KTHESA HISTORIKE”.

Fjala është për Jusuf Buxhovin, politikan, ku në asnjërën nga tri fushat e theksuara, mendja ma thotë, se nuk ka pasur më shumë suksese se sa në politikë, ndonëse ai vet, as nuk e thotë dhe as nuk do ta pranojë vetveten si politikan?! Po, faktet flasin në favorin e mendimit tim, sepse pikërisht me emrin e Jusuf Buxhovit, herëdokurdo do të lidhen jo vetëm proceset që kanë ndodhur, por me te lidhen epokat që ndryshuan Kosovën. Ky konstatim, për mendimin tim, nuk është i panjohur, por pse hezitojmë ta pranojmë është çështje krejtësisht tjetër. Apo ky na qenka një paradoks i sojit të vet, se duhet të vdiset, (tamam siç e kam thënë në një poemë kushtuar Visar Zhitit), për t’ia pranuar famën. Ndoshta është kjo arsye, pse vazhdimisht po e lus Zotin, bile të paktën Buxhovi ta përjetoj të kundërtën, pra t’ia pranojmë famën për të gjallë të tij.

E, nëse dikush mendon se në shkatërrimin e Jugosllavisë, drejtpërdrejt ka ndikuar Kosova, dhe nëse e pranojmë se për ndryshimet e koncepteve politike në këto hapësira rol themelor, rol specifik, dhe rol të veçantë ka luajtur Lidhja Demokratike e Kosovës, atëherë duhet ta pranojmë edhe rolin që ka pasur në këto procese, (qysh në embrion), vet Jusuf Buxhovi, qoftë si ideator, e qoftë si kreator i këtyre proceseve, që pashmangshëm ndikuan në të gjitha zhvillimet e më pastajme në Kosovë dhe përgjithësisht në hapësirën shqiptare në ish Jugosllavi.

Këto elemente, ku më shumë e ku më pak, shfaqen në tërë veprimtarinë e tij krijuese, veçmas në librin e parë të trilogjisë “KTHESA HISTORIKE”, përkatësisht te libri “Vitet e Gjermanisë dhe epoka e LDK-së”, në të cilin sjell argumente të pamohueshme për zhvillimet e asaj kohe, duke e pasuruar krijimtarinë e tij në fushën e studimeve historike me trilogjinë tjetër mjaftë voluminoze “KOSOVA”, (tash në 8 vëllime), ku do t’i kristalizoj, si askush tjetër, jo vetëm angazhimet e tija, por do t’ia vejë edhe konturet e shkencës së historisë së këtij vendi.

Kurse për mua, si anëtarë dhe veprimtar i LDK-së, jo vetëm që mi freskoi kujtimet, por përmes këtij libri kam kuptuar se paskam qenë afër, shumë afër atyre burimeve, ose thënë më mirë, vazhdimisht qenkam informuar drejtpërdrejt nga protagonistët e librave, të cilët më paskan pajisur me të dhëna të sakta (qysh në atë kohë!), për rolin e madh të autorit, në krijimin, themelimin dhe zhvillimin e LDK-së, dhe jo vetëm të LDK-së.

Këtë pohim, nuk besoj se mund ta mohojnë as të “gjallët e vdekur?!” të LDK-së, të cilët në përvijim kohërash kanë lakuar, kanë devijuar e janë konvertuar sipas rastit e çastit, madje jo pak duke u përpjekur të shembin edhe “Epokën e LDK-së”, këtë epokë për të cilën ka shkruar me kompetencë dhe dashuri Jusuf Buxhovi. Madje nuk mund ta mohojnë as konvertuesit e koncepteve të vonuara të cilët në emër të demokracisë, po bëjnë diferencime klasike sipas recetave të një kohë tashmë të harruar.

Natyrisht se, LDK-ja, ishte strumbullari i lëvizjeve të mëdha ku do t’i bie edhe merita për shembjen e epokës së errët të komunizmit bolshevik edhe në hapësirën tonë, përkatësisht LDK-së i bie merita specifike pse e trandi marksizëm – leninizmin dhe stalinizmin shqiptar, ku pa asnjë mëdyshje, “Epoka e LDK-së”, ishte vendimtare për kahen e Kosovës Evropiane, pa të cilën vendi ynë, Kosova jonë kurrë nuk do të vinte në të tashmen e pritur. Por, Jusuf Buxhovi i mësuar të bëjë “Epoka të mira”, tani me trilogjinë historike për “Kosovën”, (tash në 8 vëllime), i ka sublimuar angazhimet e tija edhe në fushën e shkencës historike, duke u bërë historiani i parë që për shkencën e historisë së Kosovës e bëri “epokën e historisë shkencore“, të këtij vendi.

Por, siç dihet autori për vite të tëra ka jetuar dhe vepruar në Gjermani, mendja ma thotë se në vetëdijen e tij janë ngulitur tipare gjermane, d.m.th. Jusuf Buxhovi është gjermanizuar, e më këtë e ka shtuar veprimtarinë e vet prodhuese të tipit gjerman. Se mbase prodhimtaria e këtij vendi (Gjermanisë), duke vërshuar e ka dominuar tregun, jo vetëm atë evropian, por dominimet janë me përmasa kontinentale, dhe dosido me kalimin e kohës ky vend e kjo prodhimtari u tregua, jo vetëm dominuese, por e pëlqyeshme, bile edhe e pranueshme.

Shtrohet pyetja: Çka ndërlidhet veprimtaria krijuese e Jusuf Buxhovit me politikën e industrializimit gjerman?! Mendoj, se në një plan a në një tjetër ka ngjashmëri të forta, sepse Jusuf Buxhovi edhe pa ndihmën e LDK-së për të cilën ka bërë shumë, edhe pa ndihmën e qeveritarëve që po e përjashtojnë edhe nga “Tribunat shkencore”, ai po ecën në pozitë vertikale, dhe përkundër heshtjes së Shtetit, dhe heshtjen e pakuptimtë  të vet partisë – LDK-së, për të cilën Ai bëri shumë, prodhimtaria e tij kaq e begatshme po çanë drejt pushtimit të hapësirës globale – kuptohet në suazat e globalizmit nacional e kombëtar.

Më duket se pikërisht këtu qëndron ajo esenca e ngjashmërisë për të cilën unë po aludoj, përkatësisht te fuqia e tij krijuese, te prodhimtaria e tij e begatshme në disa fusha, ku në secilën fushë është treguar më i suksesshëm se sa në tjetrën, dhe me kalimin e kohës edhe prodhimtaria e Buxhovit, (si ajo gjermane), po bëhet dominuese, e pëlqyeshme, bile edhe e pranueshme!

E nëse industrializimin gjerman e shikojmë me llupen dhe precizitetin zviceran, (gjithmonë në kërkim të kualiteteve), që kanë të bëjnë me disa kërkesa specifike për prodhimtari më precize dhe më të mirë, atëherë edhe krijimtaria e Jusuf Buxhovit, ka mundësi të lëngon, a të ketë defekte në plotësimin e disa kritere profesionale, veçmas të aspektit teknik, të cilat një shoqërie e emancipuar, një shoqëri e kulturuar e cila pretendon se është demokratike dhe që mëton për integrime Euro – Atlantike, shoqëri kjo që punon me përkushtim për vendin e vet, duhet t’u rreket gjërave nga prizmi pozitiv për t’i perfeksionuar e avancuar këto vlera, e jo sipas metodologjisë komuniste, duke i mohuar e shkatërruar pa arritur kurrë për t’i rinovuar e le më për t’i ndërtuar të tjerat, ashtu siç ka bërë me mund e sakrifica Jusuf Buxhovi.

Prandaj po e sugjeroj shoqërinë tonë që sa më shpejtë të vetëdijesohet dhe dali nga kjo letargji e amulli ku është pllakosur, dhe të vlerësoj realisht angazhimin dhe kontributin e Jusuf Buxhovit, pa dilema e hipoteka, që ta shpërblej autorin me “NJOHJEN E MERITAVE”, për punën e tij krijuese e shkencore, në shërbim të letërsisë, historiografisë, shkencës dhe përgjithësisht t’ia pranoj meritat si ideolog për ndryshimet e mëdha gjeostrategjike, konceptuale e Euro Atlantike për Kosovën, që falë mendjes dhe dijes së tij të gjitha proceset e ndryshimeve të mëdha që nga datat 23 dhjetor 1989, kanë vulën dhe nënshkrimin e tij.

Shefqet Dibrani