Bashkimi Demokratik për Integrim mbajti të shtunën Kongresin e tij të katërt në të cilin u rizgjodh kryetari i partisë, Ali Ahmeti. Në Kongres nuk pati asnjë kandidat tjetër për postin drejtues të partisë shqiptare në pushtetin e Maqedonisë së Veriut.

Në Kongres janë miratuar edhe ndryshime statusore dhe përparësitë programore, duke përfshirë mes tjerash nevojën e vetingut në gjyqësor. Partia bëri të ditur se mbi 800 delegatë ishin të pranishëm në kongres, ku u zgjodhën edhe anëtarët e organeve të reja partiake: Kongresi i vazhdimësisë, Këshilli Kombëtar, Komisioni qëndror zgjedhor si dhe Këshilli i Përgjithshëm, i cili më pastaj në mbledhjen e vetë konstituive zgjedh kryesinë e partisë, nënkryetarët dhe sekretarët.

Zoti Ahmeti është në krye të Bashkimit Demokratik për Integrim që nga themelimi i partisë në vitin 2002, menjëherë pas konfliktit të armatosur ku ai drejtoi guerilën shqiptare, Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare. Asnjë kryetar partie në Maqedoninë e Veriut deri tani nuk ka qëndruar aq gjatë në post sa z. Ahmeti.

Kongresi u zhvillua në një kohë të ftohjes së raporteve të BDI-së me partnerin kryesor në koalicionin qeveritar, Lidhjen Social Demokrate për shkak të Kodit zgjedhor. Partia maqedonase synon që vendi të jetë një njësi e vetme zgjedhore, nga gjashtë sa janë aktualisht, por ligjvënësit e BDI-së kanë paraqitur mijëra propozim-amendamente sa për ta bllokuar procesin parlamentar lidhur me çështjen. Partia shqitare vlerëson se me një njësi zgjedhore do të ulej numri i deputetëve shqiptarë në parlamentin republikan, por analistët nuk pajtohen me këto konstatime.

Zgjedhjet e parakohëshme parlamentare në Maqedoninë e Veriut pritet të mbahen më 12 prill, 2020.