Kandidatja e parë grua për të drejtuar qeverinë e Kosovës, Vjosa Osmani i fitoi më shumë 190 mijë vota nga qytetarët në zgjedhjet e 6 Tetorit, e cila njëherësh është edhe gruaja më e votuar në historinë e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Nëse e marrim si kriter mbështetjen e fuqishme të zonjes Vjosa Osmani nga elektorati i LDK-së, atëherë ajo duhet të merrë me automatizëm edhe timonin e partisë.
Shpërthimi vullkanik i LDK-së post-rugoviane
Pas ngulfatjes së vullnetit të elektoratit në procesin e brendshëm zgjedhor, mbështetjen e fuqishme të elektoratit të LDK-së për Vjosen kryeministre, duhet kuptuar si dëshirë të elektoratit që ka shpërthyer si vullkan për ndryshime në LDK dhe mbarë Kosovën.
Sikur zonja Vjosa Osmani të ishte propozuar si kandidate për kryeministre vetëm 5-6 muaj më parë para procesit të brendshëm zgjedhor, fitorja e LDK-së jo vetëm që do të ishte bindëse, mund të ishte fitore apsolute e zgjedhjeve të 6 Tetorit.
Mënyra e kandidimit të Vjoses vetëm 5 minuta para orës 12-të, nuk erdhi nga gjeneroziteti dhe dëshira e kryetarit si dhe as e kryesisë qendrore, por erdhi nga frika e ndëshkimit nga elektorati për shkak të procesit të deformuar zgjedhor të partisë.
Si pasojë e ngulfatjes së vullnetit të elektoratit, paradoksalisht kandidatja për kryeminstre, Vjosa Osmani është e vetmja kandidate që nuk është lidere dhe që nuk pyetet për asgjë në parti!
Prandaj, vota për Vjosa Osmanin në zgjedhjet e 6 Tetorit nuk ishte rastësi, por shpërthim vullkanik i LDK-së post-rugoviane për çkapjen e partisë nga klanet dhe për rikthim të identitetit politik.
Duhet të ndahet “shapi nga sheqeri” në LDK
Është momenti i duhur që Vjosa të reflektoj në përputhje me besimin e marrë nga elektorati, për të justifikuar vullnetin dhe forcën e ndryshimeve në LDK.
Vjosa Osmani nuk guxon të sillet vetem si ish kandidate për kryeministre dhe as si nënkryetare e emëruar vetëm 5 minuta para orës 12, por si e ngarkuara me përgjegjësi nga elektorati i LDK-së.
E meqë është personi me i votuar, askush nuk e ka të drejtën para Vjoses të merrë vendime në LDK.
Vjosa Osmani është vullneti i elektoratit në zgjedhjet e 6 tetorit, dhe atë vullnet nuk e ka të drejtën askush që ta shpërdoroj dhe abuzoj për qëllime meskine klanore apo përsonale siq po bëjnë klanorët e LDK-së.
Fol e mos hesht Vjosa Osmani
E nderuara Vjosë, e keni për obligim dhe përgjegjësi morale para votuesve që të dëshmoheni se jeni produkt i elektoratit e jo e klanit Riinvest.
Tani është momenti më i përshtatshëm në prag të 30 vjetorit të themelimit të LDK-së, që të bëhet kthesa historike në partinë-lëvizje të shtetformimit të Kosovës, që të bëhet shkëputja nga “Lidhja” e klaneve dhe grupeve të interesit në LDK.
E nderuara Vjosë, po të lutem jo nga simpatia që kam ndaj jush dhe as nga urrejtja ndaj dikujt tjetër, por nga dashuria e pakufishme qe kam ndaj atdheut dhe bashkombasve të mi, që të ndërmerrni hapin e guximshem për çkapjen e LDK-së nga klani Riinvest dhe klanet tjera më të vogla që e kanë kthyer shtëpinë e madhe rugoviane në “Bastore” të fatit personal të individeve me ego të sëmurë karrieriste.
E nderuara Vjosë, ngrite zërin e arsyes dhe vullnetit të elektoratit për ndryshim, për t’u dëshmuar para të gjithë qytetarëve të vendit se nuk jeni produkt i klaneve dhe grupeve të intetesit, por shprehje e vullnetit të elektoratit për ndryshime në partinë shtetformuese dhe shtetndërtuese të Kosovës.
Momenti i papërseritshëm historik për Vjosa Osmanin
Me hapin e guximshëm për ndryshim, e nderuara Vjosë, duhet të dëshmosh vlerat e pastra rugoviane dhe përcaktimin për një LDK çfarë e shprehu elektorati që të dha besimin më 6 tetor 2019.
Besimi i marrë nga elektorati rugovian nuk është dhuratë për klanorët dhe grupet e interesit, por është shprehje e besimit që ka elektorati i LDK-së në ju.
Andaj ketë besim të marrë nga elektorati duhet ta ktheni në forcë dhe veprim për ndryshim dhe reforma të thella në LDK.
Primati i drejtimit të partisë, i ardhur jo si dhuratë e liderit aktual, por si vullnet i elektoratit të LDK-së, duhet materializuar sa më parë me thirrjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në parti, nga të cilat duhet te dali një udhëheqje e re, e aftë dhe e guximshme që të përballet me sfidat e mëdha që ka vendi 20 vjet pas përfundimit të luftes, si: për zhvillimin ekonomik, përmirësimin e sistemit shëndetësorë dhe arsimor, ashtu edhe për reformimin e sistemit të drejtësisë, ku pushtetarët t’i kenë frikën drejtësisë e jo drejtësia pushtetarëve, ku qytetarët ndjehen të mbrojtur nga ligjet shtetit të cilit i paguajnë tatime, e jo nga nga haraçi që u paguajne grupeve e klaneve mafioze për të siguruar bizneset e tyre.
Mbase ky është momenti më i përshtatshën, do të thoja i papërseritshën dhe historik që Vjosa Osmani të merrë në dorë timonin e drejtimit të lokomotivës së madhe që bëri ndryshimet e mëdha historike në vitet e ’90-ta.
Sikurse atehërë kur u shkëputëm nga sistemi kriminal i Milloshevit, edhe sot kemi nevojë të shkëputemi nga sistemi kriminal i qeverisjes së vendit.
Është koha dhe momenti më i përshtatshëm që zonja Vjosa Osmani të dëshmohet se është forcë e ndryshimit, e jo hambar i grumbullimit të votave në LDK!