Ballina Bota Poloni, mijëra vetë në protestë kundër reformës në gjyqësor

Poloni, mijëra vetë në protestë kundër reformës në gjyqësor

Mijëra vetë në të gjithë Poloninë protestuan të mërkurën kundër një propozimi të partisë nacionaliste në pushtet që nëse miratohet do të lejonte shkarkimin e gjyqtarëve nga detyra nëse ata vënë në dyshim legjitimitetin e reformës në drejtësi të ndërmarrë nga qeveria.

Pas fitores në zgjedhjet e muajit tetor partia qeverisëse për Ligj e Drejtësi (PiS) u angazhua të kryejë reformën në sistemin e drejtësisë, gjë që e futi atë në një kurs përplasjesh me Bashkimin Evropian. BE-ja ka argumentuar në mënyrë të përsëritur se reforma shkel ligjet i BE-së dhe kushtetutën e Polonisë. Por PiS-ja thotë se reforma është e nevojshme për ta bërë sistemin gjyqësor më efikas.

Disa mijëra vetë u mblodhën përpara parlamentit në Varshavë. Protestuesit thërrisnin “liri për gjyqësorin!” dhe “ne do të fitojmë!”. Projekligji i qeverisë pritet të diskutohet në parlament ditën e enjte.

Sipas një opinioni të zyrës për kërkime të parlamentit polak, projektligji ashtu siç është paraqitur mund të jetë në kundërshtim me ligjet e BE-së, teska vë në dyshim pavarësinë dhe paanshmërinë e gjykatës e gjyqtarëve. Në fillim të këtij viti në Poloni u zhvilluan protesta pas pezullimit të një gjyqtari nga qyteti i Olsztyn-ut i cili vuri në pikëpyetje reformën gjyqësore të propozuar nga partia në pushtet.