Rikthehet moti i keq në Itali. Stuhia ‘Santa Lucia’ solli reshje të shumta shiu dhe dëborë duke bërë që pjesa më e madhe e shkollave të mbyllen.
Kryebashkiakja e Romës njoftoi se përveç shirave në kryeqytet, shtrëngatat dhe stuhitë e forta parashikohet të godasin edhe bregdetet. Erërat e forta që i kalonin 70 km/h si dhe reshjet e dendura të shiut kanë pushtuar rajonet perëndimore. Autoritetet iu kanë bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes.
Situatë e vështirë paraqitet edhe në rajonin e Kampanjës, ndërsa bora ka sjellë probleme në qarkullimin rrugor në Milano, Lacio dhe Napoli. Autoritetet në këto zona kanë nisur hedhjen e kripës për të shmangur aksidentet rrugore dhe kanë apeluar qytetarët të përdorin transportin publik.
Departamenti Italian i Mbrojtjes Civile paralajmëroi se reshjet e shiut si dhe erërat e forta do godasin edhe zonat jugore dhe qëndrore të Italisë, ku më të goditurat duket se do të jenë Calabria dhe Puglia. Sipas autoriteteve, moti pritet të përmirësohet ditën e dielë.