Ndërsa qeveritë botërore vazhdojnë bisedimet për klimën në Madrid, ekspertët thonë se ata duhet të rrisin ndjeshëm prodhimin e energjisë së rinovueshme për të përmbushur synimet për pakësimin e çlirimit të gazrave serrë në përputhje me marrëveshjen e Parisit. Energjitë e rinovueshme si ato të prodhuara nga era dhe dielli po rriten me shpejtësi, por jo me shpejtësi të mjaftueshme. Nga fshati spanjoll i Maranchon-it, Lisa Bryant njofton për Zërin e Amerikës mbi sfidat dhe rëndësinë e industrisë së prodhimit të energjisë nga era.

Ky mot dimri është një lajm i mirë për fermat me erë si kjo.

“Ne prodhojmë këtu energji që brenda një viti i nevojitet një qyteti me 600,000 banorë.”

Një dekadë më parë, ferma e prodhimit të energjisë nga era, me 104 në Maranchon ishte më e madhja në Spanjë. Tani ajo ka konkurrencë.

Spanja ka industrinë e dytë më të madhe të enerëgjisë së erës në Evropë, pas Gjermanisë. Ka shumë mundësi për rritje. Qeveria spanjolle dëshiron që energjia e ripërtërishme të gjenerojë tre të katërtat e nevojave të energjisë elektrike të vendit deri në vitin 2030 dhe 100 për qind deri në vitin 2050.

“Ne mund të konkurrojmë kundër industrisë së karburanteve, gazit, dhe fosileve. Pse? Sepse nëse shihni prirjen në 10 vitet e kaluara, çmimet kanë rënë shumë si për energjinë e erës ashtu edhe për energjinë PV (fotovoltaike)”, thotë inxhinieri Alonso Soberon i kompanisë Iberdrola.

Gjigandi spanjoll i energjisë, Iberdrola, që kontrollon fermën Maranchon, prodhon gati një të katërtën e energjisë së erës në Spanjë. Kompania gjithashtu është duke investuar në sektorin e energjisë së erës edhe në zona të tjera të Evropës, në Shtetet e Bashkuara, Amerikën Latine dhe Australi. Kompania kohët e fundit njoftoi se planifikon të mbyllë dy fabrikat e saj të fundit të qymyrit, megjithëse ende ofron shërbmet e furnizimit me gaz.

Deri në vitin 2050, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë, ose IEA, thotë se burimet e rinovueshme si era dhe dielli do të ofrojnë më shumë se 40 për qind të energjisë elektrike në botë.

Një nga zonat më premtuese, era në det të hapur, mund të gjenerojë mbi 18 herë në shumë se kërkesat totale globale për energji elektrike. Por IEA thotë se në përgjithësi, rritja e prodhimit të energjisë së rinovueshme është shumë më poshtë se ç’duhet për të arritur objektivat për energji të qëndrueshme.

“Energjia e erës do të ketë një rol shumë të rëndësishëm në të ardhmen e dekarbonizimit dhe të ardhmen e energjisë elektrike”, thotë Ivan Pineda, Drejtor i Komunikimit në kompaninë WindEurope.

Industria e prodhimit të energjitsë nga era gjithashtu siguron vende pune, afro 300,000 vende pune në të gjithë Evropën, prodhuesi i dytë më i madh në botë i energjisë së erës pas Kinës.

Në Maranchon, banorët fillimisht ishin skeptikë për turbinat, por kryebashkiaku i tij thotë se kjo ka ndryshuar tani.

“Ata janë të lumtur sepse falë të ardhurave që turbinat e erës i sjellin bashkisë, qyteti ka qenë në gjendje të rinovojë sistemet e tij të ujit, kanalizimet, rrugët, dhe jo vetëm në qytetin e Maranchon, që është selia e rrethit, por edhe në pesë komunitete që janë pjesë e kësaj komune”, thotë kryebashkiaku i qytetit, Jose Luis Sastre.

Kundërshtimi ndaj ndërtimit të fermave me erë mbetet ende i fortë në disa zona. Ambientalistët thonë se nëse ato instalohen keq mund të ndikojnë në disa lloje tokash dhe speciet detare.

“Sigurisht që ne duhet të mbështesim energjinë e rinovueshme, por duke marrë parasysh biodiversitetin, jo vetëm zogjtë, por edhe lakuriqët po preken nga kjo prirje”,thotë Ramon Marti, Drejtor i Rrjetit Jeta e shpendëve në Spanjë.

Por sfida më e madhe e industrisë mund të jetë rritja e mbështetjes politike dhe investimet në mënyrë që ajo të mund të ndihmojë në plotësimin e nevojave në rritje të energjisë në botë dhe të luftojë kërcënimin në rritje të ndryshimit të klimës.