Aktivistja suedeze e klimës, adoleshentja Greta Thunberg u shpall Njeriu i Vitit nga revista prestigjoze Time.
Kryeredaktori Edward Felsenthal e bëri njoftimin të mërkurën në programin “Sot” të rrjetit NBC.
Felsenthal tha se Greta Thurnberg “u bë zëri më i fuqishëm për çështjen më të madhe me të cilën përballet planeti këtë vit. Ajo erdhi nga askund dhe u bë udhëheqëse e një lëvizjeje mbarëbotërore.”
Thundberg është personi me moshën më të re që fiton këtë çmim.
Protestat që ajo zhvillonte e vetme çdo të premte përpara parlamentit suedez gjatë orëve të shkollës, kur ishte 15 vjeçe, u bënë shkak për një lëvizje globale për të luftuar ndryshimin e klimës.
Lëvizja u bë e njohur si “E Premtja për të Ardhmen” dhe bëri që miliona njerëz në rreth 150 vende “të veprojnë në emër të planetit”, tha Felsenthal.
Stili i saj i të folurit hapur tërhoqi vëmendjen e udhëheqësve botërorë dhe si rezultat Thurnberg mori ftesa për të folur në forume të profilit të lartë, si Kombet e Bashkuara dhe Kongresi amerikan.