E keni vënë re që gjithmonë e më shumë komunikimi mes palëve po kalon nga rrjetet sociale dhe aplikacionet popullore si Whatsapp, Viber, Skype, Messenger, Instagram apo me dhjetëra të ngjashëm. Është e pamundur që dikush që zotëron një celular mos ketë të instaluar të paktën një prej tyre. E janë pikërisht këto aplikacione që po zbehin komunikimin tradicional që mundësohet në telefonat celularë. Konstatimi mbështetet edhe tek shifrat zyrtare që tregojnë se në tremujorin e tretë të 2019-ës rritje ka pësuar vetëm internet.
“Konsumi mesatar mujor për përdorues aktiv i shërbimeve celulare gjatë T3 2019 ishte: 184 minuta dalëse, 31 SMS dhe 3.4 GB Internet. Krahasuar me T2 2019, konsumi mesatar i thirrjeve pati një rënie me 2.6%, konsumi mesatar i SMS-ve pati një rënie me 7.2% dhe konsumi mesatar i internetit u rrit me me 13.6%” nënvizon Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare.
Vetëm sasia e trafikut data (Internet) në rrjetet celuare gjatë T3 2019 ishte rreth 20.2 Milion GByte. Një përdorues aktiv i aksesit broadband celular ka përdorur 3.4 GB Internet në muaj në T3 2019, që përbën një rritje me 13.6% në krahasim me T2 2019 dhe një rritje me 23.2% krahasuar me T3 2018.
“Numri i pajtimtarëve të shërbimeve celulare sipas kartave SIM në fund të T3 2019 ishte rreth 3,507,658 që përbën një rritje me 0.2% në krahasim me tremujorin e mëparshëm, dhe një rënie me 24.3% në krahasim me T3 2018. Numri i përdoruesve aktivë të telefonisë celulare gjatë T3 2019 arriti në rreth 2.5 milionë që përbën një rritje me rreth 5.1% me T2 2019 dhe rënie me 5.4% në krahasim me T3 2018” thuhet në raport.
I njëjti nënvizon se numri i përdoruesve aktivë të aksesit broadband në Internet nga rrjetet celulare në T3 2019 ishte rreth 1.9 milionë që përbën një rritje me 13.8% me tremujorin e mëparshëm, dhe një rënie me 0.2% në krahasim me tremujorin e tretë 2018. Totali thirrjeve dalëse të gjeneruara nga pajtimtarët celularë në Shqipëri në T3 2019 ishte rreth 1.4 miliardë minuta, me një rritje prej 2.3% në krahasim me tremujorin paraardhës dhe me një rënie prej 8% me T3 2018.