Presidenti i Francës, Emmanuel Macron në një deklaratë të tij ka shprehur mbështetje të plotë për Shqipërinë, pas tërmetit të tmerrshëm të datës 26-nëntor. Ai shton se Franca ka dërguar menjëherë ekipet e emergjencës civile të cilët kanë bërë një punë të jashtëzakonshme.
“Dua të them një fjalë miqësie dhe mbështetje për miqtë tanë shqiptarë. Shqipëria përjetoi një tërmet të tmerrshëm, javën e fundit me më tepër se 50 të vdekur, mijëra persona që kanë humbur shtëpitë dhe janë të pastrehë. Franca dërgoi ekipet e emergjencës civile menjëherë pas tragjedisë, të cilat bënë një punë ekzemplare ashtu si dhe Rama ma konfirmoi ditën e djeshme dhe ne do të vazhdojmë mbështetjen teknike. Dua të shpreh edhe një herë më shumë mbështetjen time për të gjithë Shqipërinë dhe shqiptarët”, tha ai.
Presidenti shton se javën e ardhshme, në një mbledhje të KE do të vendoset për një përgjigje të përbashkët, në mënyrë që të organizohet një konferencë për partnerët publik dhe privat për të organizuar donacionet për rindërtimin dhe shpenzimet imediate në ndihmë të Shqipërisë.
“Shpresoj që javën e ardhshme në KE të vendosim për një përgjigje të përbashkët për këtë çështje dhe shpresoj të jemi në gjendje të organizojmë një konferencë me partnerët publik dhe privat, për të organizuar donacionet për rindërtimin dhe shpenzimet imediate në ndihmë të Shqipërisë. Franca është e gatshme të organizojë një konferencë solidariteti për Shqipërinë”, tha presidenti.
Ai është kundra ndarjes së Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut dhe tregon se në shumë shtete në tryezën e Këshilli ishin pro Maqedonisë dhe jo ndaj Shqipërisë, gjë të cilën Macron e cilëson si një gabim të rëndë.
“Jam kundra ndarjes së Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut, nuk do ishte aspak gjë e mirë të ndanim të dy vendet. Përsa i përket çështjes së integrimit kishte shumë shtete në tryezën e Këshillit që ishin pro Maqedonisë së Veriut dhe jo ndaj Shqipërisë. Ky do të ishte një gabim i rëndë”, ka përfunduar fjalën e tij Macron.