Edhe populli i Malësisë së Gjakovës-Tropojës e priti me urrejtje të thellë e me shqetësim të madh pushtimin e Shqipërisë nga Italia Fashiste. Në ditët e para të prillit, kur u mor vesh se Italia fashiste do ta pushtonte vendin tonë, kudo shpërthyen protesta të fuqishme. Në qendër të nënprefekturës mblidheshin për ditë qindra malësorë, të cilët protestonin me parulla: Poshtë Italia Fashiste”, “Rroftë Liria”, ”Rroftë Shqipëria”, “Duam armë”, “Duam armë”. Qeveritarët vendor e qendror heshtën. Mbreti dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë u arratisën jashtë shtetit. Shqiptarët mbetën pa prijës, të çoroditur, të çorganizuar.  Qëndresa e shqiptarëve në portet Durrës, Vlorë, Sarandë, Shëngjin që e fortë, por fashistët kishin marrë masa të gjithanshme dhe arritën t`i pushtonin, pastaj edhe gjithë Shqipërinë..

     7 PRILLI 1939 E PREMTJA E ZEZË PËR SHQIPTARËT

Italia, për të tmerruar popullin dhe për të kontrolluar vendin, më 6 prill dërgoi mbi qiellin shqiptarë  100 aeroplanë luftarakë  bombardues  mbi Durrës, Elbasan e Vlorë[1]. Më 7 i parapriu sulmit duke hedhur mbi Vorë kundër një detashmenti  ushtarësh shqiptarë 160 bomba  16kg, ndërsa hodhën  në portet shqiptare tri batalione tankesh; 2 divizione këmbësorësh; katër regjimente bersalierësh; dy batalione këmishëzij[2]; një regjiment granatahedhës; shtatë anije kryqëzorësh luftarakë, disa nëndetëse dhe një flotë të madhe ajrore në të katër  portet e Shqipërisë[3]. Në aeroportin e Tiranës zbarkuan 1200 vetë . Gjithsej 35-40 mijë forca  ushtarake një herësh[4] . Shumë nga qeveritarët qendror e vendorë e pritën pushtuesin si çlirues dhe se do të bashkonte Kosovën me Shqipërinë, do të zhvillonte ekonominë  etj.  Për këtë organizuan në çdo qytet “mitingje mikpritje”, që u paraprinin njësi të motorizuar ushtarake për të frikësuar popullin.  Këto u reklamuan  në shtyp veçanërisht në Itali, sidomos nëpërmjet filmit dokumentar me shumë seri  “La  luçe”[5]. Në këto ceremoni merrnin pjesë  qeveritarë të korruptuar, pari dhe të tjerë  grupe shoqërore antizogiste që kishin qenë në mërgim. Bashkë me ta u bënë edhe disa  klerikë të  gjitha besimeve fetare. Brenda pak ditëve u vendosën në të gjithë prefekturat e nënprefekturat forca ushtarake italiane; u bënë “zgjedhje” mashtruese të qeverisë qendrore. Pushtuesi përdori me mjeshtëri dy mjete: Kush nuk nënshtrohej e nuk  korruptohej -kërbaç, burg e internim; të nënshtruarve- poste në rangje të ndryshme të administratës , që do të ishte një vegël e tij. Shqipëria u shndërrua në një bazë mësymje e fashistëve kundër popujve fqinj, sipas planit strategjik të mbretërisë italiane për Ballkanin; mobilizoi forca ushtarake, milicie, xhandarmërie, karabinierie vendase. Kudo u vendos një regjim i egër pushtimi. Ngriti Akademinë e Shkencave me 32 anëtarë, 15 prej tyre ishin italianë. Qëllimi ishte krijimi i bindjes te shqiptarët se e kishin të lidhur fatin e tyre vetëm me Italinë, prandaj vërshuan me të gjitha mjetet për italianizmin e shqiptarëve. Vendosën armatën  e IX me 100.000 ushtarakë; nxorën dekret për mbledhjen e armëve; punonjësit do të bënin betimin për besnikëri ndaj mbretërisë italiane, për shërbimin ushtarak; ndaluan me ligj protestat dhe demonstratat. Qeveria kukull nënshkruante ligje pas ligjesh; të cilat forconin kthetrat e pushtuesit. Brenda vitit 1941 numri i italianëve: ushtarakë dhe civilë ( punëtorë, kolonë italianë të  gjitha fushave) arriti në 650mijë vetë. Atëherë Shqipëria kishte pak  më shumë se  1003068 banorë[6]. Kështu u krijua një pështjelliimi madh në radhët edhe të intelektualëve, të cilët nuk u bashkuan dot për të udhëhequr popullin e çorientuar e të revoltuar. Disa u bashkuan me pushtuesit; të tjerë qëndruan indiferent; të tjerë menduan se nuk kishte ardhur koha e tj. E vetmja forcë politike u bë PKSH që mori përsipër udhëheqjen e luftës pa kompromis kundër pushtuesve me synim çlirimin dhe vendosjen e një rëndi demokratik të ngritur mbi barazinë.

Me gjithë këtë presion të madh fizik, psikologjik, moral e ushtarak, kudo qëndresa  shqiptare vazhdoi pa ndërprerje.

    NJËSITET E PARA DHE ÇETA E MALËSISË  KUNDËR FASHIZMIT

Nga protestat dhe demonstratat, deri te njësitet e armatosura kundër pushtuesve, kaluan më se dy vjet. Gjatë kësaj periudhe u bënë disa aksione individuale. Këtë ngadalësim e kanë shkaktuar faktorë të shumtë të brendshëm e të jashtëm. Disa i theksuam më sipër. Po shumë ndikuan faktorët ndërkombëtar ku mbizotëronte ideja se Boshti Romë-Berlin-Tokio është i pathyeshëm. Paria mbajti qëndrim pajtues ose u vu në shërbim të italianëve. Lëvizja dhe lufta antifashiste nacionalçlirimtare edhe në rrethin e Tropojës u organizua nga poshtë. Duhet kuptuar se nuk ka qenë kjo periudhë paradë suksesesh, por ndeshjesh shumë të ashpra mendimesh, të kundërta që çonin në edhe në ballafaqim me armë.

Në korrik të vitit 1941 Grupi Komunist i Shkodrës dërgoi në Tropojë, BeqirNdoun[7]. Ky  takohet me Hysni Zaimin[8] që ishte nësues  në Rrugë të Gashit, Kërrnajë. Përsëri në dhjetor të atij viti PKSH e dërgon në Tropojë dhe  e ngarkon me detyrë mobilizimin e njerëzve në luftë. Lidhjen do ta mbante me Gjakovën ku ishte formuar celula e parë komuniste shqiptare  me  EminDurakun sekretar  për Gjakovën, Malësinë (Tropojën) dhe Podrimën[9]. Ai u përpoq sa mundi të përhapte idetë antifashiste të luftës; bashkëpunoi edhe me individë të ndryshëm, kryesisht nga shtresa të varfera e të mesme të popullsisë, por edhe nga  me individ nga radhët e parisë  Tropojës, pse lufta do tëishte gjithëpërfshirëse.  Si rrjedhim në pranverë të vitit 1942 u krijuan tri njësite partizane, i Gashit, i Krasniqes dhe i Bytyçit. Më 3 maj 1942 në shtëpinë e ZeqHysenit në Tpla formohet celula e parë e PKSH për Malësinë e Gjakovës me  BeqirNdoun, Veli Niman Doçin, Mal SadikMalaj, ZeqHyseni, Ali UkshinMargjeka[10]. Celula mori përsipër udhëheqjen politike të luftës.

Lidhja e bashkëpunimi i njësiteve me njëri-tjetrin çoi në  organizim më të lartë luftarak, në atë të çetës antifashiste[11] që u emërua  Çeta e Malësisë. Kjo ishte çeta e dytë në Shqipëri pas asaj të Pezës[12]. Kështu me 12 maj 1942  u bë  takim i tri njësiteve  te Guri i Lumit në Grykë të Dragobisë. Çeta zgjodhi komandant Ram Mujen, komisar Fadil Hoxha, z/komandant Shaban Haxhi Paci nga Bytyçi, Mal SadikMalaj nga Gria, Ali UkshinMargjeka nga Bujani, Ram Sadiku nga Luzha, Rexhep Zeqa nga Tplani, , ImerZeneli  nga Kovaçi, Ahmet Sadria nga Luzha, Hasan Haxhi Paci, Idriz Dini. Ishte një sukses i rëndësishëm, sepse ishte çetë e përbashkët me komunistëve me nacionalistët me të njëjtin qëllim: luftë kundër pushtuesit italian për çlirimin e vendit.

Kjo veprimtari organizuese dha efektet e para; këputen  linjën  telefonike në Qafë të Luzhës dhe në Ahmataj; Prenë litarin e  lundrës (trapit) mbi Drin në Vaun e Fierzës  nëpërmjet të cilit lidhej Tropoja me Pukën. Gjatë verës u kryen edhe disa aksione kundër postave të xhandarmërisë  në Babinë, Dragobi, Kolgecaj. Në korrik u prenë linjat telefonike midis Gjakovës dhe Pejës. Çeta mori pjesë aktive edhe në aksionin kombëtar të prerjes së linjave telefonike, tela e shtylla në Bytyç, në Qafë të Luzhës, në Okol të Gashitetj duke paralizuar komunikimin shtetëror e ushtarak në gjithë Shqipërinë. U shtua numri i të arratisurve nga ushtria. Ata dilnin kaçakë në mal e pastaj një pjesë e tyre i bashkoheshin çetës së malësisë. Kështu  bënin edhe ata që nuk pranonin të shkonin ushtarë . Çeta kryente  punë  sqaruese e  bindëse që fshatarët t`i mobilizonte në luftë. Kjo ishte shumë e vështirë, sepse përplaseshin qëndrime, pro e kundër luftës. Në anë të pushtuesit ishin njerëz me influencë, që kishin njohje e autoritet në popull.

Heqja e kufijve të 1913 dhe bashkimi i Kosovës me Shqipërinë nga ana e Italisë krijoi një mëndim të ri, sikur pushtuesi na kishte çliruar. Në fakt, Kosova dhe territoret e tjera shqiptarëve jashtë kufijve politik të vitit 1913, ishin ndarë në tri zona pushtimi[13]: italian, gjerman dhe bullgar. Këto  zona u quajtën “toka të liruara” dhe u administruan nga “shteti shqiptar”; u hapën shkolla fillore dhe Shqipëria dërgoi mbi 560 mësues. Administratorët e komunave e prefekturave ishin shqiptarë. Gjithë këto për shumë njerëz  krijuan bindje profashiste. Megjithë këtë   lëvizja u shtua me luftëtarë, lëkundi  një masë njerëzish  për
politikën dredharake të italianëve; vuri në ndjenjë frike administratën dhe postat e xhandarmërisë.

Çeta e Malësisë bënte takime e aksione të përbashkëta me çetën “ZenelHajdini” dhe “EminDuraku”  të Kosovës. Në gjashtëmujorin e dytë të vitit 1942 dhe vitit 1943 u shtuan aksionet e përbashkëta të tri çetave. Përmendim: Aksionin e prerjes së linjave elefonike Gjakovë-Pejë-Prizren; atentatit kundër spiunëve Beqir Maloku e Nazmi Kryeziut; pjesëmarrje në demonstratat me 28 nëntor 1942 në Gjakovë[14]ku morën pjesë 4000  vetë; me 2 janar aksioni kundër një autokolone ushtarake italiane në rrugën Prizren-Ferizaj ku u vranë disa ushtarë; aksioni në rrugën Gjakovë-Pejë në shkurt 1943 kundër punonjësve të financës, megjithëse ishin të shoqëruar me xhandarë, u morën 25mijë franga. Këto u përdorën për nevoja të çetave. Në kohë të shtimit të terrorit fashist, në janar-shkurt 1943, tri çetat  u tërhoqën e u vendosën në Shkëlzen, jashtë rrezikut[15].

    VITI 1943 SHËNON KTHESËN RRËNJËSORE DREJT ÇLIRIMIT TË POPUJVE NGA PUSHTIMI FASHIZTO-NAZIST

Qysh në fillim të vitit 1943 e në vazhdim në arenën e Luftës së Dytë Botërore u shënuan beteja të mëdha. Forcat angleze dhe amerikane thyen ushtrinë gjermane e  italiane, në Lindjen e Mesme, në  Egjipt, në Marok, [16] në Mesdhe dhe i çuan drejt disfatës së pashmangshme. Tri armatat hitleriane me një milion ushtar u thyen në frontin rus; vetëm  në bëtejën në Stalingrad[17],  u zunë robër 330000 mijë trupa gjermanë me komandant feldmarshallin gjerman Paulus.

Tri Fuqitë e Mëdha: ShBA, Britania dhe Bashkimi Sovjetik e njohën luftën antifashiste që bënte populli shqiptar dhe të drejtën e fitores së lirisë e të pavarësisë nëpërmjet luftës që po zhvillonte.

Edhe brenda vendit tonë, nëpërmjet qëndresës e luftës së armatosur të popullit, pati arritje pozitive. Pas Konferencës së Pezës që formoi programin  të luftës për çlirim dhe për një rend demokratik të bazuar mbi barazinë[18], u ngritën 41 çeta[19][20] dhe u formuan batalionet e para. Këshillat nacionalçlirimtare  merreshin me organizimin e luftës. Radhët e forcave partizane shtoheshin, megjithëse mjaftë ngadalë. Shkak kryesor ishte bashkëpunimi i parisë dhe i krerëve të Malësisë më fashistët.

KRIJIMI I KËSHILLIT ANTIFASHIST NACIONALÇLIRIMTAR PËR MALËSINË E GJAKOVËS 10 MARS 1943.

Fitoret e arritura në vend dhe në botë u shtuan besimin forcave antifashiste që të dendësonin aktivitete antifashist. Edhe në Malësinë e Gjakovës-Tropojë lindi nevoja e ngritjes së luftës në një shkallë të re. Me porosi të celulës së partisë, më 10 mars 1943 në fshatin Bërbat-Shkelzën u bë mbledhja e 25 përfaqësuesve partizanë e nacionalistë, të cilët pas diskutimeve për gjendjen e detyrat që dilnin, zgjodhën Këshillin e Parë Antifashist Nacionalçlirimtar të Tropojës të përbërë me 7 anëtarë kryesie. Ata zgjodhën  kryetar Tahir Hoxhën[21], i cili nuk e pranoi detyrën dhe u largua. Ky veprim shënoi krisjen e parë midis forcave partizane dhe atyre nacionaliste. Mbledhja zgjodhi Veli Niman Doçin kryetar.  Këshilli ngarkoi me detyra anëtarët për ngritjen e këshillave në të gjitha fshatrat e rrethit; forcimin  e besimit për fitoren e luftës ; shtimin e çetës më luftëtarë të rinj;  sigurimin e ushqimit dhe të strehimit të çetistëve. Në këtë mbledhje morën pjesë edhe luftëtarë nga Kosova [22].

    AKSIONI I ÇETAVE NË QAFË-SHLLAK TË SHUMËRISË

Detyra kryesore  e këshillit ishte zgjerimi i luftës. Çeta e Malësisë dhe “EminDuraku” e kryen një aksion të rëndësishëm kundër  një autokoloonë që po  udhëtonte nga Shkodra për në Prizren. Çetistët, më 15 mars, kaluan Drinin duke u lidhur me litarë, zunë pritë  në Qafë-Shllak të Shumërisë. Sulmi ishte i befasishëm dhe rezultati[23] pozitiv. Pati disa ushtarakë të vrarë e  të plagosur. U shkatërruan 10 automjete; u morën 32 pushkë, 2 mitraloza; disa arka me fishekë; një sasi e madhe veshmbathje e ushqime[24]. Forcat partizane kaluan përsëri  Drinin dhe më 17 mars u përqëndruan në Malin e Dobrejt të Luzhës. Ndërkohë forcat ushtarake italiane, në shënjë hakmarrje, hynë në fshatin Mëgull, vranë disa  burra të pafajshëm dhe  dogjën tetë shtëpi.

Analiza që iu bë këtij aksioni, nxori në shesh kontradikta të thella midis pjesëmarrësve. Komandanti i çetës Ram Muja doli hapur kundër aksioneve, hoqi dorë nga

     Luftëtarë të çetës Bajram Curri. Në mes Ahmet SadriAbazaj në Dobrej të Luzhës, 20 mars 1943

detyra dhe bashkë me disa të tjerë, u largua[25]Çeta pësoi një tronditje të thellë. Komandant u emërua Shaban Haxhi Paci[26]. Çeta mori emrin e ri “Bajram Curri”; ndërsa ajo  “EminDuraku” u largua nga Malësia e Gjakovës. Kjo mori përsipër që të shtojë aksionet, sepse vetëm me aksion e luftë do të fitohej liria.

Armiku shtoi forcat ushtarake në qëndër të Tropojës. Reaksioni u gjallërua dhe

Ram SadikNeziraj, BrahimBashkurti dhe BrahimBekAbazaj

bashkë me italianët  e shtoi aktivitetin. Në Okol të Gashit, në korrik, u bë një mbledhje e organizuar nga paria, ku morën pjesë nga gjithë Malësia. I deleguar  nga

Tirana ishte Ded Qoku[27], një profashist, i cili shpalli amnistinë për të gjithë ushtarët e arratisur,  kërkoi vendosjen e besëlidhjes  për të luftuar partizanët me çdo mjet[28]. Besëlidhja nuk ia arrit qëllimit për shkak të konflikteve të ashpra që u shfaqen. U bë thirrje për një bashkim të ri forcash. Por situata po ndryshonte me shpejtësi që çoi në kapitullim Italinë Fashiste me 8 shtator.

    Besëlidhja e Malësisë së Gjakovës më 28 gusht te Ura e Valbonës  në Kolgecaj[29]

Çeta nëpërmjet anëtarëve njoftoi për këtë tubim dhe për rëndësinë e tij, duke synuar bashkimin e të gjithëve në Frontin Nacionalçlirimtar. Por edhe paria nga ana e saj kishte bërë thirrje  që të krijonte një front kundër partizanëve. Morën pjesë afro 1000 vetë. U shpalosën pikëpamje e qëndrime krejt të kundërta. Çeta partizane “Bajram Curri” hodhi kushtrimin për bashkim të gjithë njerëzve pa dallim feje, ideje, shtrese shoqërore e krahine, të gjithë bashkë luftë kundër pushtuesve. Folën me këtë rast: Veli NImam Doçi, BeqirNdou, FahriRamadani, Hasan Haxhi Demaliaj, Mal SadikMalaj e tj, të cilët treguan arsyet pse ishte bërë ky tubim. Shumica e pjesëmarrësve u shprehën në krah të luftës për çlirim.

Ky tubim ishte deri atëherë  suksesi më i madh i celulës së partisë dhe i çetës  për të bindur popullin që të luftojë kundër fashizmit.

   Lufta për çlirimin e Gjakovës nga italianët më 7-10 shtator 1943

Forcat ushtarake italiane që ndodheshin në Huk të Tropojës, nga fundi i gushtit, kishin ikur fshehurazi natën për në Gjakovë, ku ishin grumbulluar rreth 4 mijë ushtarë e karabinierë italianë dhe bashkëpunëtorë të tyre nga Gjakova me rrethinë. Çeta “Bajram Curri” mbas Besëlidhjes së 28 gushtit shtoi radhët dhe më datën 7 shtator, në koordinim më çetën “EminDuraku”,  “ZenelAjdini” dhe njësitin e  Hasit rrethuan Gjakovën[30]. Me gjithë pengesat që sollën trathëtarëtHasan Kryeziu e Ismet Shaqiri të Gjakovës, u zhvilluan  tri ditë luftime të ashpra. Ato përfunduan  me fitoren e forcave partizane,  të cilat çliruan  qytetin më datën 10 shtator; u liruan më se 40 të burgosur politikë. Forcat ushtarake italiane dhe bashkëpunëtorët e tyre shqiptarë, me humbje të shumta në njerëz e materiale, u larguan. Në këto luftime  ranë dëshmorë 28 luftëtarë si Sherif NuhGjonaj, IbishZymerImeraj, HalilHamëzMalaj, Hasan Ahmet Malaj, BrahimSylMustafaj e tj. U plagosën mbi 40 partizanë të tjerë. Shumica e pjesëmarrësve në luftime u kthyen nëpër fshatrat e tyre.

Në rrethana të tilla në Gjakovë zbarkuan forcat ushtarake gjermane. Çeta u tërhoq. Pasdisa ditësh  udhëtimi arriti në Plavë e Guci në ndihmë të luftës që bënte atje çeta e kësaj krahine.

       Nga çeta,në tri batalione partizane

Besëlidhja e Malësisë ndikoi në shtimin e partizanëve.  Prandaj pas lufts në Gjakovë , në Gjyriq të Plavës u formua  batalioni partizan “Bajram Curri” me afro 200 vetë. Komandant u zgjodh Shaban Haxhi Paci, komisar Qamil Brovina, z/komandant Mal SadikMalal dhe z/komisar Enver Dajçi. Në luftime me çetnikët malazezë ranë dëshmorë  komandanti i çetës së Plavës  dhe të Gucisë, HajroShahmanaj, Hysni Zaimi, komisar i kompanisë së tretë  të batalionit “Bajram Curri” e tj.

Pushtimi gjerman solli probleme të reja edhe më të ndërlikuara. Forcat reaksionare, shumica nga paria  vendase që u shërbyen fashistëve, u bënë mbështetësit kryesorë të gjermanëve. Kësaj situate edhe më të vështirë duhej përgjigjur me shtimin e forcave në

Luftëtarë të çetës Bajram Curri. Në mes Ahmet Sadi Abazaj në Dobrej të Luzhës, 20 mars 1943

krah të luftës. Me punën e celulës së  partisë dhe të këshillave  nacionalçlirimtare  u rrit numri i partizanëve. Prandaj me 26 nëntor 1943 në fshatin Tpla,  me 27 në Livadhin e Shtjerrave po në Tpla, u formua batalioni Rinia me 150 të rinj me komandant JahoMulosmanin, komisar Mehmet Dermanin dhe z/komandant HasanIsuf

Shaban Paci, Ram Sadiku, MushakKadria, Shaban Zeneli, etj.në Bjeshkët e Sharrit, 1943.

Haklaj; njëkohësisht u formua edhe batalioni territorial me komandant Mehmet Mulosmanin, komisar XhaferrVokshi[31], z/komandant IsufÇujQerimaj. Të dy këto batalione rrinin të shpërndarë, por në rast thirrje, mblidheshin  menjëherë në vendin e caktuar. Në këtë prag dimri  në Tropojë me rrethinë kishte, 4 batalione përfshi edhe batalionin “Përlat Rexhepi” të Shkodrës që ishte në fshatrat Gri, Geghysen, Tpla e Degë.

   Besëlidhja e Kosovës. Konferenca e Bujanit 31 dhjetor 1943-1,2 janar 1944.

Në fundvjeshtën e vitit 1943  Malësia e Gjakovës, me përjashtim të qendrës Tropojë, zotërohej nga forcat partizane. Gjermanët vendosën një regjim shumë të rreptë dhe krijuan dy regjimente SS me të rinj kosovarë. Forcave partizane atje u ndodhen në rrezik. Prandaj në bashkëpunim me komandën e batalionit “Bajram Curri” e “Perlat Rexhepi”, Komiteti Qarkor i Partisë për Kosovën dhe Shtabi i Kosovës, mbas mbledhjes që bërë në Sharri, kërkuan që të organizonin një konferencë  dhe për siguri ta mbanin në Malësi. Për zhvillimin normal të saj, u angazhuan forcat e batalioneve  partizane, si edhe të çetës “ZenelAjdini” dhe “EminDuraku”. Ajo zhvilloi punimet  në shtëpinë e Sali Man Bajraktarit me pjesëmarrjen e 49 delegatëve nga gjithë Kosova. “Është hera e parë që në historinë tonë të vjetër dhe të përgjakur që shqiptarët dhe malazezët njëmendësohen   për çështjen e Kosovës dhe të firmosin të gjithë rregullisht që kjo  çeshtje të zgjidhet në favor të bashkimit  të Shqipërisë”[32]. “Këtë konkluzion Konferenca miratoi një rezolutë për të luftuar në krah  tëkolacionit anglo-sovjeto-amerikan mbi bazën e Kartës së Atlantikut, e cila u garantonte popujve të drejtën për vetëvendosje kombëtare[33]. Konferenca zgjodhi Këshillin Antifashist Nacional Çlirimtar për Kosovën e Dukagjinin të përbërë prej 53 anëtarësh. Kryetar u zgjodh Mehmet Hoxha. Lufta nacionalçlirimtare e Kosovës mori përmasa më të gjera. Më vonë përmbajtja e rezolutës u trathëtua nga gjithë jerarkia ushtarake e civile e Jugosllavisë gjatë luftës e në vazhdim. Në fund të vitit 1944 Shtabi Jugosllav , me urdhër të Titos, dërgoi  në Kosovë tri divizione me 30 mijë forca, të cilat masakruan popullin e Kosovës.

   Operacioni i dimrit 13-20 shkurt 1944

Ashtu si në gjithë Shqipërinë edhe në Tropojë nazistët organizuan një operacion ndëshkimor me qëllim që t`i jepnin fund luftës partizane. Për këtë Komanda gjermane e korpusit  XXI  ngarkoi komandën e divizionit 297.  Me 13 shkurt nisi operacioni në dy kolona. Njëra nga Qafa e Morinës për në Tropojë e cila u nda në dy drejtime: Njëra nga Tropoja në Sopot-Luzhë-Degë; tjetra Tropojë-Sopot-Bujan-Gri-Rajë. Kolona e dytë: Qafë-Prushi, Zogaj-Kepenek-Pac-Berishë e Bytyçit-Degë. Kolona e tretë: Gjakovë-Kukës- Brigjeve të Drinit-Firëz.  Siç duket, do t`i bëhej një rrethim i plotë gjithë Tropojës. U angazhuan afro  3 mijë forca gjermane dhe bashkë me ta edhe 800 mercenarë bashkëpunëtorë të tyre  vendas[34].

Raporti i forcave ishte në favor të armikut. Koha ishte dimër i egër; kishte afro një metër borë; armë e municione partizanët kishin pak dhe të cilësisë së dobët. Në përpjekje me forcat e batalioninit “Bajram Curri” dhe të batalionit “Rinia” lufta në fshatin Gri që e ashpër dhe pati të vrarë e të plagosur nga të dy palët. Nga radhët partizane ranë dëshmor JahoSalihMulosmani, komandant i batalionit “Rinia”,  Mal Vladi, ZeqBashkurti, HamëzQerimaj, Xhemail Berberi, (Shkollolli)-nga Peja, SalihAbdullahi, DaviqZvetozvarLekiq nga Mali i Zi. Gjithashtu, po atë natë në Qafë të Gashit u zhvillua lufta me forcat gjermane të shoqëruara me ballistë nga njëra anë dhe  batalionit “Përlat Rexhepi”  ku ranë  dëshmorë: FahriRamadani (Hero i Popullit), Ruzhdi Tyli, Nexhip Luli, Esat Gramshi, dhe ZahoNikolla (malazez), si edhe partizani italian Galdo Galdarizi. Plagosën disa të tjerë, ndër ta edhe. Edhe nga gjermanët pati të vrarë e të plagosur, por  nuk dihet numri i tyre. Në këto kushte të vështira dimri dhe operacioni të egër, batalionet u shpërndanë më në thellësi, brigjeve të Drinit. Mbanin lidhje me anë të korrierëve që sillnin informacione nga fronti i luftës në mbarë vendin. Kryesia e Këshillit Antifashist dhe celula e partisë vendosën që të bëhej riorganizimi i partizanëve.

     Mbledhja e Këshillit Antifashist dhe e dy batalioneve në Valbonë

Për këtë u bë mbledhja në Valbonë më 10-13  korrik. Morën pjesë të dy batalionet partizane, nga batalionet rinia e territorial, si  dhe banorë të fshatrave të afërta. U punuan Vendimet e Kongresit të Përmetit, të cilat i miratuan. Gani Kryeziu dhe LlazarFundo[35] i kundërshtuan dhe u larguan bashkë me disa që i mbante me rroga që i vinin nga Anglia.  Ngritën Shtabin Operativ  që përbëhej nga Veli Niman Doçi, komandant, komisar BeqirNdou, anëtarë Shaban Haxhi Paci, Din Zenel Bajraktari, Mehmet Bajram Mulosmani, Mehmet Ram Dollapi, IsufÇujQerimaj dhe ColQerimi. Më 14 korrik  të dy batalionet mësynë Plavën e Gucinë  për t`i çliruar nga çetnikët malazezë dhe për të ngritur këshillat nacionalçlirimtare.

   Masakra gjermano-balliste e verës 1944 në Bytyç dhe në mbarë Malësinë e Gjakovës

Komanda e Përgjithshme e UNÇL me Enver Hoxhën  në krye, pas Kongresit të Përmetit, maj 1944, dha urdhër për mësymje të përgjithshme ushtrisë  për shkatërrimin përfundimtar të forcave gjermano-balliste në të gjithë vendin, drejt çlirimit të plotë të Shqipërisë. Në këto rrethana ushtria gjermane që ndodhej në Gjakovë, bashkë me disa qindra ballistë e mercenarë e sulmuan Malësinë e Gjakovës . Bytyçi ishte bërë vatër shumë e rëndësishme e luftës antifashiste në krahinë e Tropojës. Për t`u hakmarrë dhe shuar lëvizjen e LANÇL në këtë zonë, u organizua një operacion me pjesëmarrjen e rreth 2500 forca gjermano-balliste, mercenarë dhe xhandarë. Në një dokument të  nënprefekturës Tropojë, drejtuar Ministrisë së Punëve të Brendshme , thuhet: “Operaconi i bamë  nga ushtria gjermane në rajonin e komunës Bytyçit me datën 27 qershor 1944 asht djegë krejtësisht më aktet e regjistrat komuna e postëkomanda e Bytyçit, si edhe gjithë shtëpitë e katundeve Pac, Veliq, Vlad, Tutaj e Zherkë, me përjashtim të 5-6 shtëpive. Xhandarmëria bashkë me vullnetarët, në bashkëveprim të ngushtë me trupat gjermane, vazhduan veprimet e operacionit rreptësisht në të gjitha anët e juridiksionit të kësaj nënprefekture”. “Zunë në befasi kryetarin e këshillit nacionalçlirimtar të Vladit Haxhi Abdyl Ymeraj dhe vëllezëritZeqir e XhemalHalilMustafaj nga Zherka, të cilët i varën në Gjakovë më 15 korrik. Dogjën edhe fshatrat Zogaj, Kepenek, Kam , Leniq e Çorraj. Ky operacion i  shoqëruar edhe  nga XhferDeva e  Pashuk Bibë Mirakaj që vazhdoi edhe gjatë muajit gusht, jo vetëm që dogji 310 shtëpi, nga të cilat 290 në rajonin e Bytyçit, por vranë edhe  65 vetë; nga këta 35 gra, fëmijë e pleq i dogjën në zjarr të shtëpive të tyre si edhe foshnjën 7 ditëshe, duke ia shpuar trupin me 13 plumba të automatikut gjerman. Po kështu edhe 10 vetë të shtëpisë  së BinakMetXhedisë në Zherkë; Musli Mehmet Hajdarmataj 4 veta e të tjerë”[36].

Kalimi i dy batalioneve partizane në Plavë e Guci dhe lënia e gjithë Malësisë së Gjakovës pa asnjë mbrojtje, ishte gabim fatal i të dy batalioneve, prandaj  populli  pësoi humbje kaq  të madhe në njerëz e materiale. Kjo ishte masakra më e madhe gjatë gjithë historisë së kësaj Malësie gjatë shekujve. Po ashtu duhet theksuar se as për operacionin e dimrit, as të  verës nga celula e partisë e Gjakovës nuk pati asnjë informacion që mund të merreshin masa.

Çlirimi i qendrës së nënprefekturës Tropojë dhe krijimi i Brigadës XXV partizane Sulmuese

Gjatë verës brigadat partizane me veprime të shpejta e të suksesshme luftarake çliruan Kukësin, Hasin dhe  arritën në Malësinë e Gjakovës. Forcat e batalionit” Bajram Curri” e “Perlat Rexhepi” në  muajin shtator  goditën forcat gjermane në minierën e kromit  në  Kam. Në minierë nxirrnin krom për nevojat e Gjermanisë  rreth 5000 robër. Gjermanët u tërhoqen për në Gjakovë, ndërsa robërit u liruan.  Në këto luftime mori pjesë edhe Gani Kryeziu me “çetën e tij”. Nuk pati asnjë konfrontim midis partizanëve dhe zogistëve. Pas kësaj lufte, ishin çliruar të gjitha fshatrat e Tropojës. Me 15 tetor bashkë me forcat e batalionit të katërt  të brigadës së tretë e rrethuan nënprefekturën Tropojë, dhe me 16, me  sulm  e çliruan. Forcat xhandarë e mercenare gjithsej 50-60  të komanduara nga rrethkomandanti Tahir Hoxha, Ram Muja e Nik Sokoli, morën arratinë. Në përpjekje ranë  dëshmorë Birçe Sinemati, komisar i batalionit të tretë dhe  Kapo Ademi  partizanë nga Vlora. Deri me 5 nëntor goditen forcat reasionare qe kishin dalë në male.  Në këto rrethana me 6 nëntor mbi bazën e batalionit Bajram Curri, u formua Brigada e XXV Partizane Sulmuese. Në këtë brigadë u rreshtuan  700 partizanë tropojanë dhe 200 hasjanë. Komanda dhe shtabi përbëhej si më poshtë: Komandant brigade Veli Niman Doçi, komisar Nuri Arapi; zev.komandatÇelo Arrëza; zëv/komisar  SpiroPano; përgjegjës i rinisë, JovanAndoni, intendent, MaxhunNiman Doçi; shef operativ Shaban Niman Doçi. Brigada përbëhej prej katër batalioneve, të cilat u plotësuan me organikën përkatëse. Kjo arritje ishte ngjarje shumë e rëndësishme në historinë e Malësisë së Gjakovës.

Ndërkohë  formohet Divizioni i Parë dhe i Dytë sulmues i UNÇL dhe drejtohen për në krahinat e Miditës, Pukës, Dibrës, Kukësit, e Kosovës. Në Tropojë arrin Brigada e VI partizane, mbasi mori pjesë për çlirimin e Mirditës dhe të Iballës së Pukës, kaloi Drinin dhe u vendos në Krasniqe, në gatishmëri për të kaluar Qafen e Kolçit dhe për të luftuar mbeturinat e reaksionit të Mirditës, Pukës të grumbulluara në NikajMerturë, si strofka e fundit e tyre. Këto ishin furnizuar me armë nga misionet engleze. Bashkë me forcat e Brigadës XXV sulmuan më se dy mijë forca reaksionare dhe disa gjermanë të mbetur me ta në NikajMertur. Opracioni ishte shumë i vështirë në një terren të ashpër malor dhe kundër  një forcë të madhe në numër, por arriti të kalojë Qafën e Kolshit, të hyjë në çdo fshat të kësaj zone, kaloi Qafen e Agrit, kaloi nëpër Dukagjin të Shkodrës. Reaksioni,  në bashkëveprim me forcat gjermane bënë përpjekjet e fundit për riorganizim. Në Iballe të Pukës u bë Kuvendi i 64 bajrakëve të Veriut, ku vendosën me lëçit çdo shtëpi që lejon hyrjen e partizanëve në Pukë. Në  Shkodër ngrihet Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare me Gjon Marka Gjonin, KolëBibMirakajn z/kom dhe të një ushtrie me pagesë 1000 franga shqiptar dhe kërkohet mobilizim i përgjithshëm për të ndaluar marshimin e forcave partizane. Misionet engleze kërkojnë Shtabit të Përgjithshë të UNÇL të mos nisen drejt Shqipërisë së Veriut . Në Prizren mblidhet Konferenca e Dytë e nacionalistëve  që kërkon krijimin e një ushtrie prej 150 mijë trupash për të ndale forcat partizane. Qenë përpjekje pa sukses dhe dështuan plotësisht.

Brigada e XXV sulmuese kreu dy detyra gjatë muajit nëntor e në fillim të dhjetorit: Çlirimin e Plavës e të Gucisë nga forcat e reaksionit çetnikë-malazez, ndërsa bashkë me Brigadën  VI çliruan Nikaj-Merturin dhe Dukagjinin nga më se 2000 forca reaksionare të grumbulluara nga disa rrethe të Veriut..

Me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm të UÇNL Brigada e XXV inkuadrohet në Divizionin e V partizan mori detyrën luftarake për çlirimin e Ferizajt që ndodhej 80 km larg. Çlirimi i tij u arrit me vështirësi të mëdha pas luftimesh që zgjatën 6 orë, ku pati të vrarë e të plagosur. Largimi i partizanëve shqiptarë nga qyteti dhe lënia pa mbrojtje,  ishte fatkeqësi shumë e madhe për qytetarë e fshatarë të kësaj komune. Më pas në Ferizaj u krye një masakër  nga brigada partizanoçetnike maqedonase. Lënia pa mbrojtje e Ferizajt ishtë një gabim i rëndë e i pafalshëm.  Brigada mori  udhërin e marshimit luftarak që zgjati 20 ditë në kushte dimri shumë të ftoftë dhe reshjeve të mëdha dëbore për Lipjan-Prishtinë-Vuçitern-Mitrovicë-Rashkë-Novipazar-Senicë. Brigadës iu shtuan edhe 350 partizanë kosovarë. Në fund të dhjetorit ajo mori në dorëzim një front nga Miloshevdoli (Mali i Judovnikut), Supotnicë-Strojan-Gëvoset e Bukovikut. Luftimet zgjatën 14 ditë. Brigada e XXV bashkë me Brigadën e V i detyruan forcat gjermane të lëshojnë pozicionet dhe të largohen. Shumë  të ashpra u zhvilluan luftimet për çlirimin e Prijepoljës (Jug i Bosnjës) me 14

XhemalSadriAbazaj, dëshmor

janar 1945.  Këto luftime zgjatën 45 ditë. Me urdhër të Komandës së Divizionit të pestë Sulmues, Brigada  e XXV, III dhe V,  u kthye ne Kosovë.

Konkluzion

Populli i Malësisë së Gjakovës-Tropojës dha kontribut të rëndësishëm për çlirimin  jo vetëm të territorit të saj, por edhe të Kosovës, të Plavës e të Gucisë me popullsi e territor shqiptar, por edhe të  një territori të Bosnjës Jugore të ish Jugosllavisë. Në këto luftime  ranë në fushën e nderit për të mos vdekur kurrë 40[37] dëshmorë vetëm nga Brigada e XXV, ndërsa nga gjithë luftimet për çlirimin e Shqipërisë populli i Tropojës dha 115[38] dëshmorë.

 

[1]Prof.Dr.Muharrem Dezhgiu, “Shqipëria nën pushtimin Italian”, botim I ASHSH, 2005, f.63

[2]Sherbimi secret Italian.

[3]Historia e Shqipërisë, vëll II, 1965, f.675

[4]Profesor Dr.M. Dezhgiu, “Shqipëria nën pushtimin italian”, botim ASHSH, f.63-64.

[5]Ky dokumentar është shfaqur në vitet nëntëdhjetë.

[6]Atlas në italisht “Bota me 1935.” F.111 ( e ka autori I ketij shkrimi).

[7]Ishte nxnës I Gjimnazit 28 nëntori Shkodër dhe bënte pjesë në Grupit Komunist të Shkodrës.

[8]Dëshmor I LANÇL (ngaGjakova)

[9]Fadil Hoxha, Kur pranvera vonohet.

[10]Ali Lushaj, Shipshani I Malësisë së Gjakovës, botim Tiranë, 1999, f.246.

[11]Fjalori Enciklopedik Shqiptar, botim 1985, f.157.

[12]Fjalori Enciklopedi Shqiptar, botim 1985, shkronja “Ç”

[13]Profesor Ali Hadri “Gjakova në Levizjen Nacionalçlirimtare”, botim Prishtinë, f

[14]Josif Zegali, Kronikë e Luftës së Dytë Botërore, botim 1998, f.72-73

[15]Ali Lushaj, veper e cituar, faqe 244-250.

[16]Josif Zegali, Kronikë e Luftës së Dytë Botërore, botim 1998, f.68-69; 75-77

[17]Qytet I rëndësishëm I ish Bashkimit Sovjetik mbi lumen Vollga. Sot Vollgograd.c

[18]Berd Fisher Shqipëria gjatë Luftës 1939-1945

[19]Muharrem Dezhgiu Shqipëria nën pushtimin Italian, botim 2005, f.269-270

[20]AQSH, fondi 260, viti 43, Dosja 53, fl.1, datë 31 maj 1943. Në këtë document shkruhej:2.çeta e Malesië-Ram Muja, të gatshëm 40 vetë; grupim 60…(Dmth. Në rast se thirren grupohen 60 vetë me armë).

[21]Tahir Hoxha nuk e pranoi detyrën. Më vonë kaloi hapur kundër forcave nacionalçlirimtare, u bë komandant I xhandadrmërisë së nën prefekturës dhe luftoi forcat partizano. U arratis jashtë Shqipërisë..

[22]Ali Lushaj, veper e cituar.

[23]Fadil Hoxha, Kur pranvera vonohet.

[24]Historia e Shqipërisë, botim 1965, faqe

[25]Ram Muja iu bashkua xhaxhait tij Tahir Hoxhës, që nuk pranoi të ishte kryetar I Këshillit Antifashitë të Tropojës dhe të dy iu kundërvinë luftës.

[26]Shaban Haxhi Paci është luftëtari dhe komandati më I shquar tropojan I Luftës Nacionalçlirimtare në Shqipëri dhe në Kosovë. Në Kosovë ai ishte Komandati I Brigadës së 7-të Kosovare me 14.500 luftëtarë.

[27]Ded Qoku ishte pronar I madh në Breg-Mat të Lezhës.

[28]Kuvende të tilla janë organizuar gjatë verës edhe në Pukë, në Malësi të Madhe e tj.

[29]Sot qyteti BajramCurri.

[30]Ali Hadri, Lëvizja Nacionalçlirimtare në Gjakovë, vepër e cituar.

[31]Si në çetë dhe në batalione janë luftëtarë edhe nga Gjakova, Peja, Deçani, Podrimja, pa dallim kufijsh politik të cilët nuk njiheshin më pas pushtimit Italian të Kosovës, prandaj në udheheqje ka edhe shiptarë të Kosovës.

[32]Mark Pal Nika, Beqir Ndou, botim 2011, faqe 400.

[33]Bernd J. Fishër “Shqipëria gjatë Luftës 1939-1945,  faqe 310.

[34]Adil Kaloshi, Bytyçi, fq 418-423

[35]Gani Kryeziu nga Gjakova u zu rob dhe u internuanga Italia ne Ventotene  (ishull ne Itali). Pas lirimit u bashkua me ënglezët.Llazar Fundo, shqiptar, anëtar I internacionalës s së Tretë Socialiste, u kthyenga Franca dhe u hodh në krah të ënglezve prandaj ishte komisar I Gani Kryeziut. Forcat partizano I zunë robë në Bytyç në verën e vitit 1944. Gani Kryeziun, me që ishte me nënshtetësi jugosllave, u lirua, ndërsa Llazar Fundo u pushkatua.

[36]Ali Lushaj, Shipshani I Malësisë së Gjakovës, botim 1999, faqe 292-302

[37]Fjalori Enciklopedik Shqiptar f. 122

[38]Ali Lushaj ,Dëshmorët e atdheut të Malësisë së Gjakovës, botim 2015.