Luftërat dhe moti ekstrem kanë vënë përballë krizave humanitare rreth 168 milionë banorë kudo nëpër botë. Adresimi i këtyre sfidave përbën një sfidë si financiare, edhe politike, që nuk lë pa ndikuar as jetën e afro 60 milionë fëmijëve.

Rreth 168 milionë banorë në 45 shtete pritet të kenë nevoja humanitare vitin e ardhshëm.

Një raport i Kombeve të Bashkuara vlerëson se kërkesat për ushqime, banesa dhe shërbime shëndetësore do të rriten nëse nuk adresohen problematikat si ndryshimet klimatike dhe luftërat.

“Konfliktet e armatosura po vrasin dhe gjymtojnë një numër rekord fëmijësh, më shumë se 12 mijë vitin e kaluar dhe më keq në 2019-ën. Këto konflikte po shfarosin brezin e rinjve, gratë dhe vajzat po dhunohen seksualisht dhe në bazë të gjinisë, dhe 1 ne 5 persona po zhvillojnë sëmundje mendore,” deklaroi zv.sekretari i përgjithshëm i OKB-së për emergjencat humanitare, Mark Loukok.

Sipas organizatës, krizat humanitare nëpër botë kërkojnë mbi 30 miliardë dollarë për t’u zgjidhur.

Edhe për vitin e ardhshëm, fondi humanitar i OKB-së do shkojë në shumicë për situatën e refugjatëve në Siri dhe për të adresuar zinë e bukës në Jemen, ku 80 për qind e popullatës vuan pasojat e një konflikti 5-vjeçar.

Të mërkurën, edhe Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët, bëri apel për donacione.

UNICEF njoftoi se planifikon të mbledhë 4,2 miliardë dollarë për t’u ardhur në ndihmë 59 milionë fëmijëve në rrezik urie, sëmundjesh infektive dhe me mungesa banesash si pasojë e motit ekstrem.