Ballina Kulturë Vështrim rreth romanit “Baladë muhaxhire” të autorit, Nimon Muçaj – Shkruan: MSc....

Vështrim rreth romanit “Baladë muhaxhire” të autorit, Nimon Muçaj – Shkruan: MSc. Adem Lushaj

Roman që shpalos historinë e përndjekjes së shqiptarëve

“Baladë muhaxhire”, romani më i ri i Nimon Muçaj, një vepër letrare që trajton dyndjen e popullit shqiptar nga Nishi, Kurshumlia dhe Prokupla, si rrjedhojë e dhunës serbo-ruse (1870-1876).Nimon Muçaj, me këtë vepër ka arritur të krijojë një realitet të përfytyruar, por i cili ka ndodhur. Një realitet i trishtë që është regjistruar edhe në mbamendjen historike. Nëpërmjet këtij romani, aktori dhe shkrimtari, Nimon Muçaj, tregon se krimi asnjëherë nuk mund të futet në harresë, për sa kohë njerëzit që e kanë përjetuar, e ruajnë në kujtesën e tyre, e pasardhësit e njohin historinë. Më këtë roman, edhe pse në mënyrë të përfytyruar, autori shpalos historinë e përndjekjes së shqiptarëve, të cilët kishin marr rrugën drejtë Turqisë. Edhe pse më profesion nuk është historian, por ngjarja e shtjelluar në roman, jep me kuptua se është njohës i historisë së popullatës së dikurshme shqiptare, në: Nish, Prokuple dhe Kurshumli. Më këtë roman, autori tregon se, Selishta dhe vende tjera në Serbi, ishin troje të shqiptarëve! Ndërsa, Rainca apo vendi i muhaxhirëve, ishte vendi ku kishin gjet strehimin një pjesë e atyre që ishin detyruar ta lëshojnë Selishtën e tyre apo trojet tjera shqiptare. Shqiptarët në Raincë, edhe pse më vite jetojnë në këto vend, assesi ta shmangin emërtimin “muhaxhir”, çka edhe varrezat e tyre i kanë emërtuar kështu. Autori, në këtë vepër, shquhet për formën e rrëfimit të personazheve në raport me ngjarjet e rënda që zhvillohen në periudhën e viteve 1876-1890.

Elez Gërguraj, (Arnaut Omerogllu), profesor (okulist) në Stamboll, në moshë të shtyrë, befasisht i rikujtohet ngjarja e vitit 1876, ku e kishte lënë nënën e tij. Diku, në një vend të largët, prapa bjeshkëve apo përtej detrave. Në një katund, që nuk ia dinte as emrin. Edhe pse kishin kaluar vite nga ngjarja e ndodhur( nga ndarja me nënën e tij), Elezi kishte vendosur ta kërkonte varrin e saj, varrin e nënës Fatime, apo Fatës së Qerimit. Elezit, nëpër kokë i sillej ndarja nga nëna, gjatë rrugëtimit nga Nishi,  Prokupla dhe Kurshumlia, drejtë Turqisë. Elezit i kthehet mbamendja dhe rikujton gjithë historinë , që nga katundi Gërguraj, e deri në Izmir të Turqisë. Gjithë ato tmerre, që ka përjetuar gjatë ikjes nga forcat sero-ruse. Njerëz të vdekur në rrugë. Të mbuluar me borë dhe të ngrirë. Masakra nga më të ndryshme. Shtëpi dhe prona të djegura. Kjo të kujton këngën popullore, “Prej Prokuple, deri në Nish,…”!.

Elezit, xhandarmëria serbe, ia kishte vërbuar nënën me hanxhar. Nëna e tij, ashtu e verbuar, ishte munduar ta fshehë Elezin, nën terlik e pështjellak. Elezi iu kishte bashkua grupit tjetër që kishin marrë rrugën e ikjes. Me të mbërritur në Turqi, shkollohet në medrese dhe arrin të specializohet si okulist.

Pas shumë vitesh, Elezi arrin në Raincë, në kërkim të nënës. Në kërkim të varrit të saj. Ashtu i kishin thënë. I kishin thënë se nëna e tij, ishte diku në Raincë. Ai, kishte mbetur duke kërkuar nga njëri fshat, në tjetrin. I lodhur dhe i mërzitur, Elezi, kishte arritur ta gjen varrin e nënës së tij.

Përmes fatit individual të Elez Gërguraj, Nimon Muçaj, ka treguar për fatin që e kishte përcjell popullin shqiptar të asaj kohe. Përmes ngjarjes së përfytyruar, ka shpalos memorien historike të shpërnguljes dhe pastrimit e atyre viseve shqiptare. Largimin e dhunshëm të shqiptarëve nga Nishi, Kurshumlia dhe Prokupla.

Nimon Muçajn e njohim si aktor dhe regjisor të shquar. Autor i disa veprave të çmuara letrare. “Sali Çekaj, gurëthemeli i pavarësisë”, “Guximi s’ka gojë”, “Baladë për borën e kuqe”, “Ditët e bubrrecit”, “Vdekja e kalit”, janë vetëm disa nga botimet e Nimon Muçajt, i cili është aktor dhe regjisor i shumë shfaqjeve skenike. Figura e Nimonit është shumëdimensionale, apo më mirë të shprehim se është intelektual i profilit të lakmueshëm, nga secili prej nesh!