Prestigjiozja ‘New York Times’ në një artikull kushtuar tërmeti në Shqipëri shkruan se Bashkimi Europian është vendosur në krye të përpjekjeve për rimëkëmbjen e Shqipërisë.

“Bashkimi Europian dhe Kombet e Bashkuara po koordinojnë përpjekjet ndërkombëtare në ndihmë të vendit të gjunjëzuar nga fatkeqësia natyrore”, thuhet në artikull ku theksohet sesi një ekip i bllokut europian është duke udhëhequr vlerësimin dhe shpërndarjen e ndihmës.

“Gjashtë shtete anëtare kanë dërguar 50 inxhinierë strukturorë, e të tjerë pritet të mbërrijnë për të vlerësuar dëmet së bashku me homologët vendas.

Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar gjithashtu ka dërguar gjithashtu inxhinierë strukturorë nga departamentet e zjarrfikësve të Kontesë Fairfax dhe asaj të Los Angelesit për të ndihmuar në këtë proces”.

Qeveria e Shqipërisë, vazhdon shkrimi, i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar për ndihmë financiare dhe asistencë në nivel ekspertësh, duke thënë se nuk është e aftë ta bëjë e vetme një gjë të tillë.

Të enjten, Komisioneri i ri Europian për Menaxhimin e Krizave, Janez Lenarcic, i cili e mori detyrën të hënën, pritet të vizitojë Tiranën për të folur rreth planeve të rindërtimit.