Dhjetëra qytetarë drejtues e përfaqësues të institucioneve të shtetit, shoqëri civile e grupe të ndryshme bamirësie, ndezën sonte qirinj në hapësirën para ndërtesës së Komunës së Ferizajt në solidarizim e bashkëndarje të dhembjes me viktimat e tërmetit vdekjeprurës në Shqipëri.

Ata u shprehën të pikëlluar me tragjedinë që shkaktoi ky tërmet për bashkatdhetarët tanë, por edhe njëkohshëm krenarë për aktivizimin e jashtëzakonshëm të qytetarëve anekënd Kosovës e veçanërisht në Ferizaj për t’i dal në ndihmë banorëve të zonave të prekura nga tërmeti.

Ndryshe, që nga mbrëmë, Komuna e Ferizajt ka aktivizuar gjithë mekanizmin institucional të emergjencave dhe bashkë me qindra qytetarë e grupe vullnetmira, ia dolën të grumbullojnë për më pak se 24 orë, mijëra pako ushqimore e veshmbathje që tashmë kanë arritur te banorët e zonave të prekura nga tërmeti.