Komuna e Gjilanit ka vendosur që të gjitha mjetet që janë planifikuar për aktivitetet kulturore të festave të nëntorit t’i dedikohen familjes Abazi e cila humbi dy djem në tërmetin që goditi Shqipërinë ditën e djeshme. Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri ka konfirmuar për Gazetën Express se të gjitha këto mjete do t’u barten familjes së dy viktimave dhe familjeve të tjera të prekura nga tërmeti në Shqipëri.

Tërmeti i fuqishëm prej 6.3 shkallë të Rihterit që goditi Shqipërinë ditën e djeshme ka shkaktuar deri më tani 31 viktima. Që nga dita e djeshme, Forcat e Armatosura të Kosovës, Policia e Kosovës dhe qytetarë të shumtë nga Kosova me një mobilizim të madh kanë ofruar ndihmë në kërkim-shpëtim dhe ndihma të tjera për të prekurit nga tërmeti në Shqipëri.

Në mesin e viktimave janë edhe dy vëllezër nga Gjilani të cilët u gjendën të pajetë nga gërmadhat e një hoteli në Durrës.

Komuna e Gjilanit ka vendosur që mjetet për shpenzimet e festave të nëntorit të ju dhurohen familjes Abazi që humbi dy djemtë nga kjo tragjedi.

Kryetari i kësaj komune, Lutfi Haziri tha për Gazetën Express se aktivitetet për festën e flamurit do të anulohen dhe mjetet do t’u barten familjes Abazi.

“Të gjitha mjetet e planifikuara për aktivitet kulturor të festave të nëntorit i dedikohen familjes Abazi në Gjilan dhe familjeve që kanë pasur viktima nga tërmeti në Shqipëri”, tha Haziri.

Kryetari i Komunës së Gjilanit tha se nuk e di shumën e saktë por që do të llogariten shpenzimet e planifikuara dhe Kuvendi Komunal do të ndajë mjetet.

“Nuk e di saktë shumën e mjeteve, por ne tash kur t’i anulojmë aktivetet e shohim se sa kemi pasur shpenzime dhe i ndajmë me Kuvend Komunal”, u shpreh Haziri.

Ai u shpreh po ashtu se iniciativat e qytetarëve të Gjilanit për të ju ndalë në ndihmë të prekurve nga tërmeti në Shqipëri janë duke i përkrahur institucionalisht.

“Iniciativat qytetare për ndihmë jemi duke i mbështetur dhe janë duke grumbulluar ndihma në ushqim dhe veshmbathje në qendër të qytetit të Gjilanit dhe shumë qytetarë kanë ofruar shtëpitë e tyre për strehim në rast nevoje që nëse familjet vendosin me ardhë në Kosovë me u strehu derisa të kalojë situata emergjente. Jemi duke i mbajtur evidencat të atyre që janë lajmëruar për të ofruar strehim”, u shpreh Haziri./GazetaExpress/