Në vigjilje të 10 vjetorit të themelimit, Shoqata Humanitare dhe Kulturore “Salih Çekaj” në Zvicër, të shtunën e 23 nëntorit 2019 në Büron, mbajti manifestimin tradicional dhe jubilarë, të dhjetin më radhë të “Darkës së Lamës”, në një ambient impozant, të ngrohtë dhe vëllazëror, me një pjesëmarrje enorme të bashkatdhetarëve të ardhur nga të gjitha anët e shtetit zviceran, nga Gjermania, Italia dhe Kosova.
Si zakonisht manifestimi filloj me intonimin e hymnit dardan „Kur ka ra Kushtrimi n’Kosovë“, i pasuar me monologun “Zogu i Diellit” nga Din Mehmeti, interpretuar në mënyrë briliante dhe në nivel të lartë artistik nga moderatori Qamil Çekaj, sekretar i shoqatës “Salih Çekaj”.
Pas intonimit të hymnit, moderatori i këtij aktiviteti, z. Qamil Çekaj në emrin e tij personal dhe të kryesisë i përshendeti të gjithë pjesëmarrësit e këtij aktiviteti, duke ju uruar mirëseardhje mysafirëve të kësaj mbrëmje, si: Smajl Çekaj vëlla i heroit Salih Çekaj, Sylejman Kollçaku (ndihmës i ministrit të mbrojtjes Ahmet Krasniqi dhe zv. komandant i Zones Operative të Pashtrikut, grupin e oficierëve të Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës në krye me oficierin e karrierës Jahir Maleta, analistin Florim Zeqa nga Italia, fotografin dhe kameramanin Reshat Murati nga Gjermania, si dhe mysafirin e ardhur enkas nga Kosova, ushtarin e Koshares legjendare, Bekë Osmanaj, bashkëpunëtor dhe përfaqësues i shoqatës “Salih Çekaj” për Kosovë, pastaj Daniel Rosaj, përfaqësues i shoqatës “Nënë Tereza” në Zvicër së bashku me anëtarët e kryesisë, Besnik Rraci, përfaqësues i Muzeut të Kosovës dhe zonja Ylfete Fanaj, nënkryetare Parlamentit të Kantonit të Lucernit.
Në ndërkohë, tubimit ju bashkangjit edhe Hysen Çekaj, djali i kryeheroit të Kosovës Salih Çekaj.
Pas prezentimit të mysafirëve, moderatori për një fjalë rasti e ftoi kryetarin e shoqatës “Salih Çekaj”, z. Xhemajl Haxhiu, i cili i përshendeti edhe një herë pjesëmarrësit dhe mysafirët e kësaj mbrëmje, për të vazhduar më pas me historikun e Darkës së Lamës, duke shtuar se Darka e Lamës është festë e moçme sipas traditës shqiptare e rikthyer në kujtesën tonë nga presidenti Rugova.
Në Vazhdim, për prezantimin e raportit vjetor të aktiviteteve humanitare të shoqatës, fjala ju dha arkëtarit të shoqatës, z. Lush Mulaj, i cili në mënyrë të detajuar i njoftoj anëtarët e shoqatës për shumat e grumbulluara dhe ato të ndara për nevojat e bashkatdhetarëve, nga të cilat ia vlenë të veqohet ndihma prej 100 mijë eurove për nevojat e Spitalit të Bajram Currit në Shqipëri dhe shuma tjera të konsiderueshme për ndërtimin e shtëpive, shërimin e të sëmuarëve, bursa për student, për botimin e Monografisë për Salih Çekaj si dhe sponsorizimin e videoklipit të vëllëzërve Alimusaj, kushtuar heroit Salih Çekaj dhe shumë ndihma tjera për bashkatdhetarët tonë në Kosovë dhe trojet tjera etnike shqiptare.
Në fund, Lush Mulaj i permendi me emra dhe i falenderoj të gjithë sponsorët e “Darkës së Lamës”.
Më pas, para të pranishmëve u ftuan këngëtarët e mirënjohur në mërgatën tonë, vëllëzërit Sami e Avni Alimusaj me këngën premierë “Fol o Salih Çeku”, e cila u përcjellë me duartrokitje të gjata nga të pranishmit në sallë.
Pas kësaj kënge të bukur, me nga një fjalë rasti prezentuan: Smajl Çekaj, analisti Florim Zeqa, oficieri Sylejman Kollçaku i cili ndau evokime nga takimet me heroin Salih Çekaj, duke e vlerësuar lartë figurën e tij, si njeri fjalë pak e punë shumë.
Me ketë rast, shoqata “Salih Çekaj”, i ndau një dhuratë të veçantë oficierit Sylejman Kollçaku, një punim artistik me figurën e Salih Çekajt, të cilën ia dorëzoi arkëtari Lush Mulaj. Por e gjitha nuk përfundoj me kaq, edhe “Bashkimi i Intelektualëve Shqiptarë” në Zvicër e kishte përgatit një mirënjohje për kolonelin Sylejman Kollçaku, të cilën ia dorëzoj kryetari Abas Fejzullahu.
Shoqata “Salih Çekaj” në këtë 10 vjetor të themelimit të saj e kishte përgatitë një dhuratë të veçantë për veprimtarin Selman Mulaj, e cila ju dorëzua djalit të tij, Labinot Mulaj si dhe ndau dy mirënjohje për veprimtarët Sefedin Vokshi dhe Driton Alimusaj.
Në vazhdim fjala ju dha veprimtarit të dëshmuar të çështjes kombëtare, Hamëz Morina, i cili foli për librin monografik me titull: “Kontributi i presidentit historik Dr. Ibrahim Rugovës në shtetformimin e Kosovës”, me autor: Dr.Sadik Krasniqi dhe Mr.Besnik Besnik Rraci, i cili u ekspozua gjatë Darkës së Lamës.
Mirënjohjen që kryetari i Pejës, z. Gazmend Muhaxheri i cili kishte ndarë shoqatës “Salih Çekaj” në Zvicër, luftëtari i Koshares dhe veprimtari nga Kosova, Bekë Osmonaj ia dorëzoi kryetarit Xhemajl Haxhiu.
Pjesa më kulmore e Darkës së Lamës ishte shtruarja e “Sofrës Dardane” me të gjitha llojet e ushqimeve tradicionale, të përgatitura nga gratë, nënat dhe motrat tona, të cilat edhe këtu në mërgim po e ruajnë me xhelozi traditën e gatimit të ushqimeve nga kuzhina tradicionale shqiptare.
Bashkimi i grupit të burrave rreth sofres së bekuar dardane, ishte simbolika e unifikimit të gjakut të pastër dardan, e bashkimit të shpirtërave dhe zemrave rreth vizionit rugovian.
“Darka e Lamës” në Büron, ishte më e veçantë dhe më madhështore sesa herave të tjera, ku në ballë të “Sofrës Dardane” qëndronin veprimtarë dhe atdhetarë të njohur në Zvicra, Gjermania, Italia dhe Kosova.
Kësaj radhe, salla e madhe në Büron ishte tepër e ngushtë për pjesmarrjen masive të mërgimtarëve të ardhur në këtë aktivitet nga të gjitha kantonet e Zvicrës dhe shteteve për rreth, si Gjermania, Italia, etj.
Pastaj u vazhdua me programin muzikor me këngëtarët e rinjë, por shumë të talentuar, vllëzërit Arbnor dhe Rrezar Kuqi, këngëtarin Gëzim Jaha dhe vëllëzërit Alimusaj.
Padyshim, pjesa më kulmore dhe më ekzaltuese ishte këndimi i përbashkët rreth Sofres Dardane, me këngët autoriale të vëllëzërve Alimusaj për kryeheroin Salih Çekaj dhe presidentin historik Ibrahim Rugova.
Progarmi muzikor me këngë e vallëzim të përbashkët vazhdoi deri pas orës 23, kur edhe u përcjellën mysafirët sipas zakoneve dhe traditave tona nga anëtarët e kryesisë së shoqatës.
Në mesin e mbi 500 pjesëmarrëve në këtë manifestim, prezent ishin edhe Arbër Gashi (veprimtar), Haki Latifi (veprimtar), Vesel Xhaferi (fotograf dhe veprimtar), Tahir Buqolli (nënkyetar i degës së LDK-së në Gjermani) dhe shumë të tjerë.
Shoqata Humanitare dhe Kulturore ”Salih Çekaj” në Zvicër, me nder dhe krenari është duke mbajtur emrin e kryeheroit kombëtar, intelektualit të shquar, veprimtarit të orëve të para dhe komandantit të luftës çlirimtare në vijen institucionale të presidentit historik Dr.Ibrahim Rugova.
Shoqata “Salih Çekaj” në Zvicër, gjegjësisht veprimtarët dhe anëtarësia e gjërë, me shpirtin e tyre human, me dashuri dhe solidaritet të lartë njerëzorë kanë hyrë në zemrat e çdo shqiptari.
Meritat për sukseset e pandalshme të shoqatës “Salih Çekaj” në Zvicër i takojnë edhe bashkëluftëtarit të heroit Salih Çekaj, z. Saim Tahiraj, themeltar dhe kryetar nëntë vjeçar i shoqatës, tanimë kryetar nderi i shoqatës, i cili gëzon respektin e madh dhe autoritetin e pakontestuar, si personalitet unifikues me vlera të larta kombëtare.
Kështu pra, sukseset dhe puna kolosale dhe vlerëmadhe humanitare e shoqatës janë rezultat i një pune ekipore të kryesisë, anëtarëve dhe donatorëve, ku që të gjithë së bashku, kanë bërë që shoqata ta bartë me krenari emrin e kryeheroit kombëtar Salih Çekaj.
Jo vetëm kaq, me punën vlerëmadhe dhe transparencën e plotë në veprime, shoqata “Salih Çekaj”, e ka fituar besimin e mërgatës edhe jashtë kufijve të shtetit zviceran, duke kaluar edhe përmasat e një shoqate, për të marrë keshtu formën e një institucioni të përgjegjshëm që kujdeset dhe ndihmon bashkatdhetarët në Kosovë dhe trojet etnike shqiptare, duke u bërë shëmbulli më i mirë i organizimit dhe sinonim i unitetit në mërgatën shqiptare.
Shoqata Humanitare dhe Kulturore “Salih Çekaj” krahas ndihmave të pakursyera për bashkatdhetarët, në mënyrë të veçantë po e bënë edhe promovimin e vlerave të trashëgimisë kulturore siq është “Darka e Lamës”, e ripërtërirë për herë të parë nga ana e saj në diasporën shqiptare, festë kjo e lashtë iliro-dardane e cila ishte rikthyer në kujtesën tonë nga presidenti historik Ibrahim Rugova.
Si rezultat i kësaj, sot shoqata humanitare “Salih Çekaj” në Zvicër, konsiderohet shoqata më e organizuar dhe më unike, më humanitare dhe më emblematike në mbarë diasporën shqiptare.
Prandaj, respekti u takonë drejtuesve, aktivistëve, veprimtarëve, sponsorëve, donatorëve dhe anëtarësisë së gjërë, që e ngriten në piedestalin më të lartë shoqatën “Salih Çekaj” në Zvicër.
Zoti i bekoftë shpirtërat human të mërgatës sonë!
P.S. Fotograf: Reshat Murati dhe Vesel Xhaferi
26.11.2019