Banorët e Hong Kongut votuan në shifra rekord të djelën në zgjedhjet lokale që shihen gjerësisht si një referndum de-fakto për protestat e fundit pro-demokracisë. Votuesit krijuan rradhë të gjata në qendrat e votimit, duke pritur me orë të tëra për të hedhur votën. Votuesit po zgjedhin më shumë se 400 anëtarë në 18 këshilla qarqesh që përbëjnë territorin e vogël të Hong Kongut.
Qyteti që është tronditur nga protestat, më në fund po merr pjesë në votime. Qendra e votimit nëpër Hong Kong panë pjesëmarrje të mëdha të dielën herët, me votuesit e etur për të thënë fjalën e tyre pas disa muaj protestash dhe trazirash.
Votuesit po zgjedhin anëtarët e këshillit të qarkut, të cilët në të vërtetë nuk kanë aq shumë pushtet. Arsyeja kryesore që këto zgjedhje janë të rëndësishme është se janë zgjedhjet e para që kur filluan protestat antiqeveritare pesë muaj më parë.
Në orët e para të mbrëmjes të së dielës, sipas shifrave qeveritare pjesmarrja e votuesve dukej se ishte dyfish më madhe se në zgjedhjet lokale të vitit 2015.
“Kurrë nuk kam parë kaq shumë njerëz. Janë shumë votues,”- thotë një votues.
Në mbrëmje, shumica e rradhëve të gjata në qendrat e votimit u fashitën, por trotuaret aty pranë ishin të mbushura me kandidatët dhe mbështetësit e tyre që mbanin parulla në përpjekje për të bindur kalimtarët që të votonin.
“Jam lodhur por mendoj se është më e rëndësishme të luftosh,”-thotë një votues i cili priti rreth një orë për të votuar në mëngjes dhe pastaj doli vullnetar për të treguar mbështetje për një kandidat pro-demokracisë në Qarkun Universitar.
Ai dhe shumë protestues i shohin zgjedhejt si një vazhdim i lëvizjes së protestave.
“Shumë njerëz duan ndryshim ndaj këto zgjedhje janë të rëndësishme,” – thotë ai.
Policia premtoi një prani të madhe të forcave të sigurisë në qendrat e votimit. Por jashtë shumë qendrave votimi nuk pati një prezencë të dukshme policiore. Në disa qendra të tjera, kishte automjete me forca të gatshme policie. Nuk ka patur njoftime për përplasje të mëdha.
Këto zgjedhje janë të rëndësishme edhe për një arsye më pak të dukshme.
Megjithëse anëtarët e këshillit të qarkut nuk mund të miratojnë ligje, ato ndihmojnë në përcaktimin e përbërjes së legjislaturës së Hong Kong-ut.
Dhe madje ndihmojnë në përcaktimin e shefit ekzekutiv të qytetit.
Shefja e tanishme ekzekutive,Carrie Lam, ka mbështetjen më të ulët të përkrahjes së banorëve.
Ndësa shumë anketa tregojnë se protestat mbeten popullore, votimi i sotëm do të ndihmojë të përcaktojë nëse kjo është e vërtetë.