Qeveria e Malit të Zi me urgjencë ka miratuar, të premten vonë, projektligjin për simbolet kombëtare të propozuar nga Ministria për të Drejtat e Njeriut dhe Popujt Pakicë. Pritet që ky propozim të dalë për miratim në mbledhjen e parë të kuvendit të Malit të Zi.

Ky ligj u miratua nga qeveria edhe vitin e kaluar por nuk pati shumicën në Kuvend. Dënimet për shfaqjen e simboleve kombëtare në Mal të Zi janë pasojë e ligjit për ruajtjen e qetësisë publike, i cili është në kundërshtim me këtë ligj dhe parasheh dënime në rast se shpalosen simbolet e shteteve të tjera.

Qeveria e ka ngarkuar Ministrinë e Punëve të Brendshme që të dalë me propozimin për ndryshimet dhe plotësimet e këtij ligji, i cili po ashtu pritet të dalë në Kuvend në seancën e ardhshme. Përveç miratimit të projektligjit për simbolet kombëtare, qeveria ka kërkuar nga Ministria e Punëve të Brendshme që të paraqes projektligjin për ndryshim të ligjit për rendin dhe qetësinë publike, i cili ishte miratuar nga parlamenti malazez në vitin 2011.

Projektligji i miratuar nga qeveria parasheh që flamuri shqiptar të përdoret lirshëm kudo që jetojnë shqiptarët në Mal të Zi.

Sipas ligjeve aktuale të Malit të Zi, kur një qytetar mban në publik një flamur, stemë ose një simbol të një shteti tjetër pa autorizim, gjobitet me 100 deri 500 euro ose me burgim deri në 30 ditë.

Partitë politike shqiptare, përmes deputetit të tyre në parlament Genci Nimanbegu, propozuan vitin e kaluar ndryshimin e ligjit, duke kërkuar heqjen e gjobave për ngritjen e simboleve kombëtare, por propozimi nuk u miratua.

Në Mal të Zi, gjykatat shpesh lëshojnë gjoba ndaj pjesëtarëve të pakicave për shkak të përdorimit të simboleve kombëtare të shteteve të tjera.

Reagimi i përshpejtuar i qeverisë së Malit të Zi pason gjobitjen e ish sportistit Irfan Domnori nga Shqipëria dhe dëbimin e tij nga territori i Malit të Zi për një muaj, për shkak të ngritjes së flamurit të Shqipërisë pa leje në një manifestim, të mbajtur këto ditë në Krajë.

Ky veprim i policisë malazeze shkaktoi reagime të ashpra dhe u bë objekt debatesh midis forcave politike shqiptare dhe zyrtarëve malazezë.