Presidentja e re e Bankës Qendrore Evropiane, Christine Lagarde, thotë se orientimi më i mirë i shpenzimeve publike, do të ndihmonte për mbështetjen e rritjes në Eurozonë.

Në fjalimin e saj të parë zyrtar të premten në Frankfurt, zonja Lagarde në mënyrë të tërthortë kritikoi vendet si Gjermania që janë treguar të kursyer me buxhetet e tyre publike, por bëri të qartë se edhe shpenzimet e tepruara do të ishin të rrezikshme.

Zonja Lagarde tha se “ka argumenta të forta për të investuar në një të ardhme të përbashkët më produktive, më digjitale dhe sigurisht më të gjelbër”, dhe paralajmëroi se shpenzimet publike në Eurozonë “mbeten në një farë mënyre nën nivelet e para krizës”.