Data 13.11.2019

(publikuar më 21.11.2019)

Ka qenë një traditë e mirë që së paku nga dy herë në vit dy copë katunde të Bytyçit ishin si në një familje të madhe së bashku, tradita e mirë e festive që janë mbajt edhe në Zogaj të krahinës së Bytyçit të Malësisë së Gjakovës.

Festat e Bajramit në Kam, Kepenek e Zogaj

Festat e Bajramit (e Bajramit të Madh dhe Bajramit të Vogël) ishte më së shumti si një festë vëllazërore se sa ajo të ishte si një festë fetare. Festa mbahej si për Bajram të Madh ashtu edhe për Bajram të Vogël me të njëjtin rregull e traditë. Vetëm kur festa e Bajramit binte në dimër që ishte kohë e keqe e aq më shumë kur kishte borë, ajo nuk mbahej sikurse në rastet e tjera sepse kushtet nuk e lejonin nje gjë të tillë që ajo të festohej lirshëm sikurse ishte tradicionalisht mbajtja e përvitshme e kësaj feste. Para viteve 1945, kryesisht ishin vetëm festat e Bajramit të cilat festoheshin masivisht përmes vizitave tek njëri tjetri e me angazhime të ndryshme manifestive të traditës. Kurse datat e tjera të shënuara ishin më shumë si festa familjare dhe me më pak ceremoni e angazhime. Ali Mulaj sjell nga kujtesa me përpikmëri duke riprodhuar përmes tregimeve të tij se si festoheshin Bajrami i Madh dhe ai i Vogël në fshatrat Kepenek dhe Kam të Krahinës Bytyç në Malësinë e Gjakovës, Tropojë. Ai thotë se festat e Bajramit i prisnin me gëzim të veçantë i madh e i vogël tan katundi sepse shkëmbeheshin vizita me njëri tjetrin e gjithë së bashku të tubuar duke ja nis në krye të katundit e duke përfunduar në fund të katundit. Para se të vinte festa e Bajramit, mbahej Ramazani përgjatë një muaj, me rregullat që kishte. Gjatë Ramazanit, Kami, Kepeneki e Zogajt e kanë pas një tupanxhi të paguar rrethazi, i cili kishte për detyrë që gjatë të gjitha ditëve të Ramazanit t’i binte tupanit nga dy herë në 24 orë. Një herë i binte tupanit për iftar, pra në aksham kur mbaronte dita dhe një herë i binte në Syfyr, ose një sahat para sabahit. Për t’i ra tupanit dilke në Qafën e Padinave që ndan fshatin e Kamit nga fshati i Kepenekit. Krisma e tupanit e kishte për detyrë me u ndëgjue deri në Zogaj. Dita e Bajramit fillojke me faljen në Xhaminë e Kepenekut, Kam, Kepenek e Zogaj së bashku vetëm burrat. Kami e Kepeneki janë shokë në mes veti, kurse me Zogajt jemi kumarë. Ishte zakon e traditë se në këtë festë gjithsejcili i madh e i vogël me u veshë me rrobat ma të mira që kishin nga ma i madhi deri tek më i vogli. Çdo familje e katundit Kepenek natën dhe ditën e Bajramit e festojke në shtëpinë e vet, por përjashtim ishte Kami. Pra Kami e Kepeneki që ishin shokë në mes veti, e nga kjo mos me e mbajtë festën e Bajramit të veçuem nga njani-tjetri, vendosën që Kami me e mbajtë festën një ditë mrapa Kepenekit. Kjo për arsye se natën e Bajramit i gjithë Kami, zbriste shpi për shpi (pa kufizim) në Kepenek, dhe çdonjëra familje e Kamit e kishte të caktueme se te cila shpi në Kepenek me shkue me ndejtë e me fjetë natën e Bajramit, me hangër drekën e ditës së Bajramit e me festuar së bashku.

Mbaj mend se te shpija jonë për vizitë e për natë të Bajramit vinin të shpisë së Isuf Muasë nga Kami e na shkonim te shpija e tyne të nesërmen për vizitë. Kurse unë isha ba përbatim me Muj Baramin e Kamit e përndryshe asaj që ishte tradicionale në mes familjeve të Kam-Kepenekut, unë shkojsha te shpija e atij e ai vinte tek shpija ime, kurse familjet tona shkonin ku kishin shkuar edhe herët e tjera duke e vazhduar atë traditë lidhje në mes familjeve tona. Çdo shtëpi e Kepenekut e cila kishte për darkë edhe nga një familje nga fshati Kam, e kishte për traditë dhe për kënaqësi që ta kthente ambjentin familjar gjatë asaj nate në një ambjent festiv, me këngë, valle, lojra të ndryshme, mahiti, etj. Të nesërmen u falke Bajrami te Xhamija e Kepenekut së bashku tri copë katunde e për këtë ishte ora e caktueme. Pra me u falë në Xhaminë e Kepenekit vinin edhe Zogajt, të gjithë të organizuar. Kurse Kepeneki e Kami i cili kishte ardhur atë natë në Kepenek i prisnin së bashku deri sa vinin edhe Zogajt e ata e faleshin në xhami të gjithë njëherësh. Në kohën kur burrat e Kepenekut e të Kamit kishin dal te xhamija e prisnin që të vinin edhe burrat e Zogajve, ata shiheshin sapo dilnin në Qafën e Mive e cila ishte si një pritë e kufizim i Luginës së lumit Skatinë, të cilët vinin të vendosur varg njëri pas tjetrit, dikush në kamë e dikush në kualë shale e samari. Atij vargu burrash që vinin nga Zogajt, i prijke gjithmonë Avdyl Keqa, i cili vike kaluar mbi një atki e i thanshin, atkija e Avdyl Keqës. Due ta theksoi se Avdyl Keqa ka qenë figurë e njohur e binte edhe në sy në mes të tjerëve sepse vinte i veshur më së miri me rroba të veçanta. Ishte me tirqe galena e me qyrkë (të cilët ishin të rrallë për atë kohë), ku kishte të varur edhe qystekun e sermës i cili ishte i përbërë nga shumë vargonj, cigare qelibari të cilën e fuste në shokë të përmjetit, e kapuç të bardhë devje. Vetëm atëherë kur u bashkojshin të gjithë burrat e Kamit, (vëllazëritë e Kamit: Jahelezët, Mertint, Halilajt, Hajdarajt); Kepenekut (vllaznitë e Kepenekut: Hysenlekajt, Metlekajt, Mulakt, Sadikajt, Adullahajt, Athemajt); Zogajve (lagjia Gjediaj, Halilaj, Haxhibek, Xhuxh e Mahall e Epër) fillojke me u ba ceremonia e faljes së Bajramit në Xhami të Kepenekut. Ceremonia fillojke me thirrjen e zanit nga hoxha i cili në fillim e therriste zanin jashta xhamisë me qëllim që ta ndëgjonin edhe ata që nuk kishin ardhur me u fal në xhami e më pas u futshin të gjithë burrat në xhami me u falë. Ishte zakon se pa e ba faljen në xhami, pjesmarrësit nuk e urojshin njani-tjetrin për festën e Bajramit. E pas faljes me të dalë prej Xhamije, fillojke urimi: “me fat Bajrami – me fat e me të mira edhe për ty” duke u përqafuar me njani-tjetrin e duke ja uruar gjithsejcilit pjesëmarrës në atë ceremoni falje. Menjëherë pasi u falshin me njani-tjetrin, kriske pushka përpjetë e duke ja uruar me za të lartë “o për hajr Bajrami”, “o për hajr edhe ty” e vazhdonin pushkët duke u shkëmbyer e përzier zërat me njëri tjetrin. Përshëndetja me të shtime pushkësh në ajër bëhej sidomos kur ndaheshin nga ajo ceremoni falje, Zogajt me Kam-Kepenekun e ktheheshin për në shtëpitë e tyre. Fill mbasi ishin nisur Zogajt me u kthye për në shtëpitë e tyre e mbaronin thirrjet përshëndetëse me zë të lartë e shtimje pushkësh, ktheheshin burrat e Kamit e të Kepenekut nga xhamija e i fillonin vizitat në katundin e Kepenekut, duke shkue shpi për shpi nga krye katundit që fillonte shpija e Ozman Ukës e duke përfunduar në fundin e katundit që ishte shpija e Ali Binakit. Vizitat bëheshin në formë të organizuar, ku burrat ishin më vete e lëvizshin së bashku shpi në shpi, kurse rinia nga mosha gjashtë vjeçe e deri në njëzet vjeç ishin më vete së bashku edhe ata lëviznin për vizita shpi për shtëpi. Ata që ishin të moshës 20 vjeç e poshtë nuk pinin kafe por shkonin vizitë shpi për shpi deri në oborrin e shtëpisë ku i priste dikush, kur i shihnin duke ardhur i cili u uronte festën, po ashtu edhe mirseardhjen dhe i qerasnin gjithsejcilin ose me rriska hallme, ose me petulla e kush ishte ma në gjendje të dobët ekonomike, i qeraske me nga një rriskë sheqeri. Në ato raste kur vizitat për në çdo familje të fshatit Kepenek, maronin ma herët se sa të ishte e bame dreka gati, kur ishte koha e përshtatshme e ditë e mirë, mblidheshin të gjithë së bashku në një livadh dhe argëtoheshin me lojra të ndryshme popullore. Kurse në vaktin e drekës shkonte sejcili në shtëpinë e tij duke marr me vete edhe ata që kishin ardhur nga Kami, duke shkuar në shtëpinë që e kishin kaluar natën e Bajramit.

Kurse fill pas dreke familjet e Kamit që e kishin kaluar natën dhe ditën e Bajramit në Kepenek, ktheheshin në shtëpitë e tyre e gjithashtu merrnin masat pregaditore për atë natë sepse Kepeneki do të ua kthente vizitat për në Kam që i binte për natën e dytë të Bajramit e cila për Kamin kishte mbet të quhej nata e parë. Kurse të nesërmen edhe në Kam ashtu sikurse një natë më parë në Kepenek, kishte festë familjare ku në çdo familje të fshatit Kam ishte për qëndrim e fjetje për natë të Bajramit nga një familje nga Kepeneku, ku edhe aty nata kalonte me hajgare, lojra të ndryshme popullore, këngë, vegla muzikore e kërcime, lojra kapuçash. Kurse të nesërmen e asaj nate që i binte vizita kthyese e Kepenekut në Kam, ndonse nuk kishte falje në xhami e thirrje zani nga hoxha, por vazhdojshin njësoj sikurse edhe një ditë më parë në Kepenek, vazhdonin direkt vizitat duke ja nisur në krye të katundit të Kamit e pikërisht i binte të ishte shpija e Mustaf Isufit (baba i Ramë Mustafës) e vazhdonim pa u ndalur deri në fund të katundit qe i binte të ishte shpija e Baram Zeqirit. Pas vizitave ashtu sikurse edhe një ditë më parë në Kepenek, pasi e hanin drekën së bashku Kam e Kepenek duke shkuar sejcili në shtëpitë që kishin fjetur atë natë, këta të fundit ktheheshin në shtëpitë e tyre duke mbyllur ditët e asaj feste e cila ishte shumë mbresëlënëse e që forconte lidhjet vëllazërore jo vetëm në mes familjeve të fshatit me njëra tjetrën por njësoj edhe në mes fshatrave Kam e Kepenek.

Në Xhaminë e Kepenekut hoxha i saj ishte Metë Hoxha i Bregit të Pacit i cili e kishte gjithë fisin për xhematë. Mbas tij në këtë Xhami e ka marr detyrën e hoxhës aty, Ajdin Zeneli i Kepenekit, i cili ishte Myfti e për këtë qëllim e kishte mbaruar edhe shkollën. Më kujtohet se kur Metë Hoxha e ka fal Bajramin për herë të fundit në Kepenek, u ba merak se nuk do mujke me e falë, e i binte me ja marrë detyrën Ajdin Zeneli. Atë radhë që erdhi për herë të fundit Metë Hoxha me e falë Bajramin në Kepenek, edhi që në darkë me fjetë te shpija jonë që nesrit me e fal Bajramin si përherë. Por këtë radhë nuk ishte si herët e tjera sepse ishte edhe i plakun edhe i sëmurë e nuk ishte në gjendje me ndejtë në këmbë, por e kishte vendos mos më ja lënë kujt tjetër me e fal Bajramin, por vetë ai. Biles me të kishte ardhur edhe i biri i tij, Zenel Hoxha sepse duke e pa gjendjen e tij shëndetësore, nuk kishte besim se do mujke me e fal këtë radhë Bajramin deri në fund e po të metke, me e krye ai faljen, por Meta nuk deshke. Por ditën e Bajramit, Meta e pa Zenelin te xhamija dhe i tha ik knyna se jam unë në ketë punë. Kur Metë Hoxha të nesërmen doli me e thirrë zanin nuk ishte në gjendje me ndejtë në këmbë e për ketë e ka mbajt për krahësh baba im deri sa e ka thirrë zanin. E filloi faljen duke e thirr zanin, kur e filloi me e falë zanin, filloi më ju muer goja e u pa se nuk ishte në gjendjë për me e thirr zanin. E panë njerzit që ishin në xhami se nuk po mundej ma tepër e mos më e mërzitur për atë shkak, e pranuen ashtu deri sa mujti dhe e qujtën të kryeme faljen. Pas asaj dite e mbrapa e muer detyrën Myftia i Kepenekut me e fal Bajramin deri në vitin 1943, kur u bombardue Xhamija e pas asaj here nuk asht fal ma Bajrami në Kepenek.

Me këtë rast dua ta theksoj se unë kam qenë famull i Baram Hoxhës (vëllai i Metë Hoxhës) sepse mue me kishte qethur për herë të parë e famulli ishe kur të qethke tjetri në ketë rast. Pra shpija jonë ka qenë shumë e lidhur me shpinë e Metë Hoxhës. Biles ka qenë një rast kur një parti që ishte në fuqi po e kërkonte me e zanë Met Hoxhën e ai vjen te shpija jonë dhe strehohet. Kur dikush solli lajmin se se janë ka vinë për kontroll në shpin ton nëse është ose jo Metë Hoxha, nëna ime e merr menjëherë atë dhe e fut në orov të laknave (lakrat e vendosura kavalet, me rrënjë në tokë e të mbuluara me kashtë mos me u prishur nga dimri) duke e sistemuar dhe mbuluar në mënyr të përshtatshme. Kjo ngjarje ka ndodhur pa le unë. Nga aty e mbrapa kemi mbet të lidhura në mes njëra tjetrës shpijat tona. Ka qenë veçori se për Bajram as gratë e as vajzat nuk dilnin për vizita nepër katund, përpos tek kushërinjt e afërt që ishim në një oborr. Kurse Zogajt sikurse e thash vinin në Kepenek vetëm me u fal në Xhami sepse nuk kishte Xhami në Zogaj e vetëm tek tuk i nalshim për ditë të Bajramit në ato raste kur kishim shpit e përzira me marvajtje.

Mbaj mend se shpija jonë shkojke shumë me shpinë e Sadik Ozmanit e me shpinë e Muhamet Ozmanit. Kur vishin ata me ndejtë ditën ose për darkë, u gëzojshim shumë. Shpija ime edhe me shpinë e Arif Ahmetit të Zogajve kishim të hyme e të dalme sepse Kune Miftarja, nana e Ukë Arifit ma kishte pre kthizën. Ajo që ta prejke kthizën quhej nrikull e me të kishim afërsi më të madhe se sa me shpitë e tjera. Bile për pun të kthizës thonë : “ çka po e din aq mirë, a ja ke pre kthizën”. Edhe Binake Arifja e Arif Ahmetit e Gjylë Avdylja (motra ime prej nane) kanë qenë të vllaznuemr e si e tillë lidhjet e këtyre dy familjeve tona kan qenë më të forta. Kjo traditë e mirë për t’u marrë shembull e për t’u përtri si e tillë e di se deri tani është  dobësuar dhe zbehur ndjeshëm.

Shënuar, sistemuar e përshtatur nga: Agron Isa Gjedia