Amnesty International thotë se forcat iraniane të sigurisë kanë vrarë të paktën 106 njerëz në protestat mbarëkombëtare anti-qeveritare që nga e premtja, katër herë më i lartë se sa numri i viktimave gjatë protestave të fundit masive në Iran dy vjet më parë.

Në një intervistë të së martës me shërbimin persian të Zërit të Amerikës, studiuesja e organizatës Amnesty International për Iranin, Raha Bahreini, tha se organizata për të cilën ajo punon ka përcaktuar se forcat e sigurisë vranë 106 protestuesë bazuar në historitë e dëshmitarëve okularë, videot e publikuara në mediat sociale dhe raportet e aktivistëve iranianë në mërgim. Ajo tha se Amnesty International së shpejti do të publikojë hollësitë e incidenteve që çuan në vrasjen e protestuesve në qytete të ndryshme të Iranit.

Shërbimi në gjuhën persiane i Zërit të Amerikës ka konfirmuar në mënyrë të pavarur vrasjet e të paktën shtatë protestuesve nga forcat iraniane të sigurisë të shtunën. Mediat shtetërore iraniane kanë raportuar se disa njerëz janë vrarë përfshirë të paktën një anëtar të forcave të sigurisë në protestat që filluan të premten dhe u përhapën në dhjetëra qytete të tjera të vendit. Por qeveria iraniane nuk ka publikuar ndonjë numër zyrtar të personave të vrarë.

Protestat shpërthyen në përgjigje të një vendimi të premten, për rritjen me 50 për qind të çmimit të karburantit të subvenciunuar nga qeveria. Shumë iranianë e shohin këtë rritje si një barrë tjetër mbi ta në një kohë të përkeqësimit të kushteve ekonomike.

Zonja Bahreini tha se Amnesty International u ka bërë thirrje Kombeve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian që t’i bëjnë thirrje urgjente Iranit që t’i japë fund shtypjes së dhunshme të protestave dhe të respektojë të drejtat e iranianëve për liri të shprehjes dhe tubimit.

Irani shtypi me dhunë valën e fundit të protestave mbarëkombëtare që përfshiu vendin nga fundi i dhjetorit të vitit 2017 deri në fillim të janarit të vitit 2018. Të paktën 22 njerëz u vranë në operacionet për shtypjen e atyre protestave, të cilat u nxitën nga zemërimi i publikut me korrupsionin e qeverisë dhe keqmenaxhimin.