Ballina Kulturë “SHTOJZOVALLJA E VALBONËS” – Nga Ardian PROGNI

“SHTOJZOVALLJA E VALBONËS” – Nga Ardian PROGNI

Në Shtator 2018, mbas restaurimit të Hotel Turizmit Shkëlzeni në qytetin e Bajram Currit, (2017), diskutonim me bashkëqytetarin tonë Petrit Imeri, (pronarin e Turizmit) se çfarë mund të bënim në faqen anësore që përkonte me hyrjen kryesore në Turizëm).

Duke qënë një qytetar i vjetër dhe një biznesmen i suksesshëm, me vizion dhe dëshirë për zhvillimin e qytetit të tij, ai dëshironte diçka që të ishte një vepër arti dhe jo diçka komerciale.

Kënaqësinë për të krijuar një Projekt – Ide ma besoi mua dhe pas konsultimeve me bashkëqytetarë të fushave të ndryshme vendosëm që të pasqyronim diçka nga Eposi i krahinës tonë.

Të gjithë ne, Tropojanët, e dashurojmë Valbonën e ndërsa në mendje më vinin vargjet e At Gjergj Fishtes për Valbonën: “Aty rrin ora e Shqypnis”.

E ndërsa në imagjinaten time Valbona ishte dhe mbetet “Shtojzovallja e Alpeve Shqiptare”.

Kështu vendosa që Valbonen ta paraqes si një shtojzovalle me veshje tradicionale të zonës tonë, në madhësinë e maleve që shoqërojnë Valbonen.

Kështu lindi ideja e realizimit të një mozaiku ku nuk mund të mungonte edhe “kapuçi” i malit të Shkelzenit si vend legjendash dhe si pika e mesit të të gjitha trojeve të hershme ilire në drejtimin veri-jug nga jugu i Danubit deri në Prevezë.

E konsultuam këtë ide përsëri me bashkëqytetarë të njohur nga ana jonë dhe ideja u pëlqye. Kështu filloi dhe realizimi i mozaikut me gurë mermeri, ku u përdorën mermerë cilësorë nga Shqipëria, Greqia, Spanja, Egjipti, India dhe Turqia.

U realizua fillimisht piktura nga Arbër Bejkosala, i cili erdhi në Valbonë për të parë karakterin e lumit dhe ambjentin përreth. Në bazë të pikturës u bë grafika mbi të cilën u punua me gurët e mermerit, një punë që zgjati 4 muaj nën drejtimin e mjeshtrit Gëzim Bejkosala (babai i Arbrit).

Mozaiku u montua pjesë-pjesë te Turizmi me datë 18 Tetor 2019 dhe nga përshtypjet tona dhe të qytetarëve ky mozaik përbën një vlerë të shtuar dhe një vepër arti për qytetin e Bajram Currit.

I falenderoj të gjithë ata që morën pjesë në realizimin dhe montimin e mozaikut “Shtojzovallja e Valbonës”.