Dy në pesë amerikanë e kanë “mashtruar” veten duke e bindur se kanë sëmundje serioze, duke u konsultuar me “Dr. Google” – sipas një hulumtimi të ri.
Një studim me dymijë amerikanë ka gjetur se 43 për qind e tyre kanë shikuar online për simptomat e tyre dhe kanë përfunduar duke besuar se kanë sëmundje më serioze sesa që kanë në të vërtetë.
65 për qind e të anketuarve kanë përdorur internetin për të diagnostikuar veten, por rezultatet kanë treguar se simptomat në të cilat kanë kërkuar ata në internet i kanë sjellë më shumë dëme sesa të mira të anketuarve.
Në vend se të lehtësojnë shqetësimet, 74 për qind e atyre që e kanë diagnostikuar veten online kanë thënë se kërkimi për simptomat e tyre ka bërë që të shqetësohen edhe më shumë për shëndetin.
Kjo mund të jetë falë përgjigjeve që jepen në internet, pasi këshillat e dhëna nga aty u gjet se janë më pak se 40 për qind të sakta.
Hulumtimi i bërë nga “OnePoll” ka gjetur se kërkimi në internet nuk është zgjedhja e parë për të gjithë. Kur njerëzit ndihen që janë ftohur, 51 për qind e tyre kanë thënë se shkojnë për konsultë të menjëhershme te qendrat profesionale të mjekësisë.
Në të njëjtën kohë, një çerek i atë anketuarve, 26 për qind, nuk kanë një mjek kujdestar për vete dhe gjashtë në dhjetë persona shmangin vizitat te doktori. Kjo, sipas “DailyMail”, ndodh për shkak të pagesës së lartë për kujdes mjekësor, për shkak të mosbesimit ndaj doktorëve dhe mungesa e kohës për të shkuar në vizitë te mjeku.
Në studim, të anketuarit janë pyetur se sa dinë për trupin, dhe teksa 68 për qind e tyre besonin se kishin njohuri të mira për organizmin, të saktë, pas testimit, dolën vetëm 45 për qind. Problemet më të mëdha ishin për pjesën e brinjëve dhe zemrën.
“Fakti që më shumë se gjysma e të rriturve në Amerikë hyjnë në Google për të mësuar për simptomat e tyre është shqetësuese. Fakti që mund t’u marrë javë apo muaj për të caktuar termin te mjeku nënvizon nevojën për zgjedhje më të mirë për testimin, menaxhimin dhe njohurinë për shëndetin. Testimi i shëndetit në shtëpi do t’u mundësonte njerëzve të testojnë shëndetin e tyre në orare të caktuara dhe të merrnin vazhdimisht përkrahje mjekësore. Kjo do të ishte zgjidhje më e mirë sesa që të besojnë në ‘Dr.Google’ për çdo përgjigje”, ka thënë Robert Mordkin, drejtor mjekësor në “LetsGetChecked”.