Qeverisja e mirë dhe normalizimi i marrëdhënieve me Beogradin pritet të jenë sfidat kryesore të qeverisë së re të Kosovës. Ndërsa KQZ-ja njoftoi sot se përfundoi numërimin e votive, këtu në Uashington në universitetin “Johns Hopkins”, Programi i Menaxhimit të Konflikteve, synoi të mësojë më shumë rreth qasjes së fituesve të zgjedhjeve mbi sfidat që ka vendi, si dhe pritshmëritë e medias dhe shoqërisë civile rreth këtyre zhvillimeve. Kolegia Menada Zaimi na sjell më shumë hollësi.
Qeveria e re e Kosovës pritet të përballet me një sërë sfidash të mëdha, të cilat lidhen ndër të tjera me mirëqeverisjen si dhe arritjen e nje marrëveshje normalizimi me Beogradin. Vetëvendosja, partia fituese e këtyre zgjedhjeve me nje diferencë të vogël ndaj LDK-së, premton të qeverise me transparencë.
“Për Vetëvendosjen askush nuk është mbi ligjin. Kjo qasje do t’u hapë rrugë gjithashtu investimeve të huaja që janë tejet të ulta, sepse ligjet janë jo-funksionale. Prokurorët në thelb kontrolloheshin nga politika dhe gjykatësit nuk ishin në gjendje të merrnin vendime të pavarura. I gjithë misioni i bashkësisë ndërkombëtare, përmes EULEX-it, dështoi në mënyrë të mjerueshme dhe asnjë zyrtar i lartë nuk u ndoq penalisht. Ndaj na takon ne “të pastrojmë oborrin tonë” dhe për këtë Vetëvendosja është e angazhuar”, thotë Haki Abazi i cili kandidoi në zgjedhjet e fundit në emër të Vetëvendosjes, duke fituar një vend në parlamentin e ri të Kosovës.
Komentet zoti Abazi i bëri gjatë takimit me temë “Kosova, qeveria e re, Bashkimi Evropian, dialogu me Serbine dhe e ardhmja e shtetit”, që u mbajt në universitetin “Johns Hopkins”.
E ftuara e dytë në këtë takim, drejtoresha e Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Investigative në Kosovë, BIRN, Jeta Xharra, thekson se rezultati i 6 tetorit, ishte përgjigjja që votuesit i dhanë qeverisjes së keqe, që nuk arriti të manipulohej as nga qasja patriotike e ndonjë politikani.
“Ramush Haradinaj shkoi në zgjedhje duke vendosur taksën 100 për qind, duke pretenduar se po mbron territorin e Kosovës, kundër Hashim Thaçit. Dhe këtë e ktheu në mesazhin kryesor të fushatës. Por ajo që ndodhi ishte se ai nuk doli i pari, as i dyti dhe as i treti. Për njerëzit nuk pati rëndësi se çfarë bëri ai me Serbinë pasi njerëzit zgjodhën të mbajnë mend faktin se ai dyfishoi pagën e tij, duke u kthyer në me të paguarin në rajon në këtë funksion. Ai krijoi nje qeveri të madhe dhe zgjodhi të jetë jo transparent me faturat që kishte paguar në udhëtimet e tij jashtë vendit. I dha medias faturat e Hashim Thaçit, por jo të tijat. Ndaj njerëzit e ndëshkuan”.
Pritshmëritë janë që qeveria e re t’i japë shtysë dialogut me Beogradin, dialog që u ndërpre pas vendosjes së taksës ndaj mallrave serbe. Por për zonjën Xharra besueshmëria e politikanëve që përfaqësojnë Kosovën në këtë proces është tejet e rëndësishme.
Ajo shton se megjithë angazhimin amerikan që të arrihet një marrëveshje brenda presidencës Trump, më shumë se afati kohor, duhet të marrë rëndësi thelbi i saj.
“Nuk është në interesin e Vuçiçit dhe Thaçit që të arrihet një marreveshje, sepse pas kësaj ata nuk do të jenë më të rëndësishëm për komunitetin ndërkombëtar. Me shqetëson protagonizmi i këtyre që do t’i quaja patriarkë të Ballkanit, përfshirë Edi Ramën që ka mbështetur idenë e ndryshimit të kufijve. Do t’i rekomandoja bashkësisë kombëtare që ta shndërrojë këtë çeshtje, jo në çështje protagonizmi, por t’i mëshojë më shumë cilësisë se marrëveshjes. Në këtë drejtim edhe ndërkombëtarët kane qenë disi protagonist”, thotë Jeta Xharra, drejtoresha e Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Investigative në Kosovë, BIRN.
Sipas zotit Abazi Shtetet e Bashkuara dhe institucionet e Bashkimit Evropian janë gjithnjë e me të hapura ndaj idesë që të mos kufizohet koha në arritjen e një marreveshje, por që thelbi i saj të jetë i qartë.
“Padyshim që dialogu duhet të ndodhë dhe do të ndodhë. Mendoj se Presidenti Vuçiç e ka kuptuar se ekziston një realitet i ri në Kosovë. Ata kanë nje partner shumë konstruktiv tek pala kosovare, që do të thotë, nëse të gjithë mendojmë se e ardhmja është BE-ja, po kështu edhe marreveshja duhet të jetë një marrëveshje evropiane, mbështetur edhe nga Shtetet e Bashkuara. Ne nuk do të kthehemi pas dhe të rihapim çështjen e kufijve. Por nëse ka një tendencë për sabotazh mendoj se reciprociteti do të ishte përgjigjja jonë, zgjidhje që e kemi parë kudo në botë dhe nuk shohim arsye pse Ballkani të bëjë përjashtim nga kjo”, thotë zoti Abazi.
Per analistin Daniel Server shanset për arritjen nje marrëveshjeje përpara përfundimit të mandatit të presidentit Trump në vitin 2021 janë të pakta. Po sipas tij nuk duhet nxituar për një marrëveshje. Kosova thotë ai duhet të dijë si të largohet nga një marreveshje e keqe, për të arritur një të mirë.
“Çdo marrëveshje që cënon sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës natyrisht është marrëveshje e keqe. Një marrëveshje e mirë është ajo që lejon decentralizim të madh dhe vetëqeverisje në nivelin vendor për komunitetet serbe e shqiptare. Serbia mund të mësojë disa gjëra në këtë drejtim, sepse është shumë e vështire që serbët të kërkojnë gjëra nga Kosova që nuk duan t’i pranojnë në Serbi. Për shembull përfaqësimi i garantuar i pakicave në Kosovë nuk ka ekuivalent në Serbi, por reciprociteti është një nga rregullat themelorë të diplomacisë”, thotë analisti Serwer.
Rezultati i zgjedhjeve të 6 tetorit në Kosovë solli një ndryshim rrënjësor të konfiguracionit politik. Sfida më e afërt është formimi i qeverisë se re, që mendohet të jetë një koalicion i Vetëvendosjes me Lidhjen Demokratike të Kosovës. / Zëri i Amerikës