1.
Në këtë fillim shkrimi për profesorin e nderuar Anton Çeta,nuk kam deshirë të përdor fjalën -vdekje. Anton Çeta është në mes nesh. Njerëz si profesori i shquar i Kosovës,njerëz, si burri i madh i Paqes, Anton Çeta, zor se vdesin.Poeti ynë, i mirënjohur nga të gjithë, Dritëro Agolli, në një vjershë të tij për vdekjen, shkruan (në esencë) se: -kur të vdes, mos u thoni njerëzve që vijnë në shtëpi që, ka vdekur Dritëroi. Thojuni atyre se, -Ai, ka ikur me shërbim dhe do të kthehet prap… Kjo është, (me fjalet e mia), përmbajtja e vjershës së Dritëroit. Dhe m’u kujtua pikërisht tani, që shkruaj për profesorin, për mikun tim dhe të shumë e shumë shqiptarëve, në të dy anët e kufirit shqiptar-shqiptar, kur shkruaj, për Antonin e dashur. Sepse, me të vërtetë, Anton Çeta nuk ka vdekur… -Ka ikur me sherbim, -siç thotë Agolli…!
Për profesor Antonin është folur e, do të flitet edhe më shumë në të ardhmen. Si profesor, si folklorist, si burrë i njohur i odave shqiptare, si veprimtar i palodhur shoqëror, veçanërisht në Aksioni e Pajtimit të Gjaqeve në Kosovë, … ai mbetet shembull për të gjithë ata që duan të mësojnë diçka nga e mira, diçka nga ajo që, është dashur e, duhet të bëhet për këtë komb, për këtë vend.
Kam patur fatin dhe nderin të njihem nga afër e të rri me nge’ me profesor Antonin. Në bllokun tim të shënimeve kam disa faqe me mbresa e shënime nga Antoni i nderuar. Koha, do t’i shpalosi ato, në shenjë nderimi për këtë burrë të rrallë.
2.
Ishte, vjeshtë e vitit 1992. Me një grup intelektualësh të Tiranës e të rretheve, po punonim për krijimin e Lëvizjes Shqiptare për Mirëkuptim e Paqe. E mendonim të nevojshem këtë subjekt shoqror, bile të domosdoshëm, në jetën e re pluraliste shqiptare. Projektet e dokumenteve që përgatitëm, ua dërguam të gjithë partive shqiptare, shumë intelektualëve,(te varur e te pavarur), për t’u konsultuar, për të na dhënë mendime. Një kopje ia dërguam edhe profesor Antonit në Prishtinë.
Morëm mendime të ndryshme dhe përfundimisht, do të shkonim në aktivin themelues të Lëvizjes Shqiptare për Mirëkuptim dhe Paqe, që u mbajt në Durrës.Disa ditë,para Aktivit, u lidha në telefon me profesor Antonin në Prishtinë. Me atë zërin e tij të butë, të dashur,shumë prindëror, mund ta quaj, Ai, më dha një përkrahje shumë të madhe në punën që kishim nisur. Përfundimisht më tha:
– Ju falenderoj për punën shumë të mirë që keni bërë. Ju përgëzoj nga shpirti për qëllimet fisnike që i keni vënë vetes.Ju lutëm, që sot, më regjistroni një anëtar të thjeshtë të Lëvizjes
Shqiptare për Mirëkuptim dhe Paqe.Ua thash këtë bisedë, besnikrisht, siç e bëra dhe siç po e shkruaj ketu, shokëve me të cilët mblidheshim rregullisht për të punuar në prag të aktivit kombëtar. Fjalët e profesor Antonit ishin një inkurajim për të gjithë ne. Duke u konsultuar me njëri-tjetrin edhe për disa kandidatura të mundshme për Komitetin Drejtues, doli mendimi që profesor Anton Çetën ta propozojnë për President Nderi të Lëvizjes sonë. Më ngarkuan mua që të lidhem prap me telefon, dhe, t’i marr mendimin për aprovim, profesorit.
Disa herë fola ato ditë në telefon me Prishtinën.Përfundimisht Ai pranoi të ishte kandidaturë për President Nderi, ashtu edhe siç u zgjodh njëzëri, me duartrokitje e me dashuri nga të gjithë delegatët. Autoriteti i tij por dhe veprimtaria e tij e papërtuar, në Prishtinë e në Tiranë, në të mirë të Lëvizjes Shqiptare për Paqe, kurrë nuk do të harrohen…Me gjithe përpjekjet, (deri dashakeqe), Anton Çetën, nuk mund ta manipulonte kush…sidomos, politikanët e karrigeve “të marra hua, nga monizmi punist”!!
3.
Ishte gushti i vitit 1993. Kisha nderin që profesor Antonin ta kisha mik në shtëpine time, në Breg të Lanës, në Tiranë.Një natë e paharruar, ku dëshira për të dëgjuar e për të dialoguar me atë njeri të Urtisë Popullore të bën të harrosh se është mbaruar shishja e rakisë dhe se jemi në të gdhirë.
Të nesërmen kishim mbledhjen e Komitetit, të cilën e drejtoi profesor Antoni. Eshtë shkruar për ato që u thanë në atë mbledhje por, dua të kujtoj vetëm diçka intime: Mbasi mbaroi mbledhja,profesori pyeti:- “A kemi këtu në komitet ndonjë njeri nga Berati?” …Zotria nga Berati (Llambi Shella), u ngrit nga vendi dhe erdhi në presidium, e takoi, i dha dorën zotri Antonit. Duke i shtërnguar dorën, profesori i tha atij:- “Kam respekt për Beratin.E kam patur një shok të ngusht të shkollës së mesme nga Berati, -Kristaq Tutulanin… dhe, iu mbushën sytë me lot… ”.
Gjatë një shëtitje mbas mbledhjes, në bulevardin e madh të Tiranës, i them profesorit:
– Si tu duk Komiteti i Paqës, zotni Anton ?
Profesori,e ngadalësoi më tej hapin, u kthye nga unë, më zuri për krahu e më tha: -”Komitetin e kemi shumë të mirë. Kemi njerëz të nderuar e të ditur në Komitet. Kemi shumë të mirë edhe nga rrethet. Ka rëndësi që në masë, kemi intelektualë. Pashë, që të gjithë janë të shqetësuar për shumë probleme të Lëvizjes por edhe në përgjithësi për jetën politike në Shqipëri…
– Mos u mërzitni. Shoh që jeni disi të mërzitur, Zeqir!-Kështu e kanë këto punë. Nuk ndreqen për një ditë. Ka rëndësi që, keni një qëllim shumë të mirë dhe, kam besim që, edhe qeveria do të na ndihmojë…A e ke vënë re Ti,që, njeriu shpesh është i sëmurë dhe nuk e din se çfarë ka. Për besë po, nuk e din se ku i dhemb. Ja, unë megjithë moshën, e ndjej veten mirë me shëndet, por, këto ditë, në Durrës, bana një kontroll, se, atje e kam dhe një vëlla timin, mjek. Ma shumë për merak më bani vëllai një kontroll të përgjithshëm.Dhe, e di ç’farë më tha? Më tha se, nuk je mirë me stomakun…!
Kështu e kanë këto punë… Punoni, punoni, përditë nga pak, përditë e të gjithë dhe, bëhet boll, – foli me urtinë e tij karakteristike, Antoni i paharruar.
4.
Për figurën e gjerë të Anton Çetës, mund të flitet në shumë plane. Veçse, nëse ka një pikë, që shumëfishon vlerat e tij të gjithanshme, do të thoja se, ajo është thjeshtësia dhe modestia e këtij njeriu fisnik. Me trup të gjatë e të drejtë, me ato flokë të bardha- borë, me atë ecje, e cila sikur ishte sinkronizuar me urtinë e fjalën e tij me peshë, Antoni, ishte i barabartë në mes të barabartëve. Fliste me të njëjtin përkushtim e kujdes me një intelektual, me një fshatar nga Jugu a Veriu, me një fëmij shkolle,me cilindo. Edhe kur pyetjet e bashkëbiseduesit e detyronin të thoshte diçka për vete, Ai, me kulturën dhe dinjitetin e njeriut modest kurrë, nuk dinte të thoshte: -Unë!
Më ka qëlluar në mbledhje, por dhe në biseda të lira sa e sa herë, ta degjoj të fliste për aksionin e madh te pajtimit të gjaqeve në Kosovë.
– Pajtimin e gjaqeve e bani rinia e Kosovës dhe jo Anton Çeta, -thoshte prer ai. Ata, rinia ishin nismëtarët, ata na morën dhe ne,intelektualëve me vete,në një Aksion aq të madh e të paharruar.
Kur fliste për traditat e popullit, Profesori, me të vertetë të kënaqte. E njihte Kosovën dhe Shqipërinë, si i thonë fjalës ,në pëllëmbë të dorës. Kudo shokë e miq, të njohur e dashamirë, të
rinisë e të pleqrisë.
– Populli është pasuria më e madhe, – thoshte plot bindje. Ai është i mënçuri, ai është i zgjuari, ai e ka urtinë ashtu ,origjinale. Ne,kemi vetëm një detyrë: ta njohim, ta mbledhim e ta botojmë këtë urti. Në fakt, – shtonte duke qeshur shumë sinqerisht,- edhe librat që unë kam botuar nuk janë të mijat, janë të popullit. Thonë njerëzit në biseda:- “Kështu ka thënë Anton Çeta”. -Jo more, jo. Këtë fjalë e kam dëgjuar në filan fshat ,nga filan njeri… Unë, vetëm e kam shkruar,- për besë!
I dashuri, i thjeshti, i papërtuari Anton Çeta. Ai kurrë nuk dinte të thoshte jo, ose nuk mundëm, as nuk kam kohë.Një ditë,tek po e përcillja para hotel “Dajtit” në Tiranë, sapo bëhej gati të nisej për në Kosovë, vjen korrespondenti i “Zërit të Amerikës”, ish kolegu i im i “Zërit të Rinisë”, (Xhevdet Shehu) dhe, më thotë: – Të lutem Zeqir! -Po ikën Profesori?
– Po, – i thashë unë, – ja, gati po niset.
– Aah, ç’më ngeli pa i marrë një intervistë për Zërin e Amerikës,, – tha ai, plot sinqeritet e shqetësim!
U ktheva dhe i thash profesorit se, një gazetar, një Ish-kolegu im, ka nevojë për një intervistë për “Zërin e Amerikës”. -Te lutëm, për mua, mos i thuaj -‘Jo”!
– Po ku të bëjmë intervistë? Këtu, në rrugë? – tha Antoni,jo me hezitim, por, si gjysëm me shaka.
– Jo, jo në rrugë profesor, -i thash unë. – Po hyjmë tek hotel “Dajti”, po pijmë dhe nga një kafe, para përcjelljes, e aty, jepi edhe intervistën gazetarit. -Dakord, -miku im?
Pa asnjë mëdyshje, u nisëm dhe, u krye edhe ajo punë e dobishme.
Atë natë, intervista u transmetua në “Zeri i Amerikës”.
* * *
… Njerëz si Anton Çeta,nuk mund të vdesin. Nuk mund të vdesësh, kur emri dhe vepra jote, janë të pranishme në çdo vatër, në mendjen, në zemrën e në kulturen e një kombi.Kështu, edhe vet vdekja …, sfidohet!
…Heeej! –Të dashur lexues ! -Mos harroni vjershën e Dritëroit:…- Ka shkuar me sherbim! …Do kthehet së shpejti…!
Njerzitë e mëdhenj, vertetë që duhet të besojmë se, do të na kthehen!
Tiranë,Dhjetor, 1995
Në foto:- Prof. Anton Çeta (majtas), me autorin e këtij libri
Tiranë, 1993. ( Foto; RTVSH )
-Nxjerrë nga libri me shkrime publicistike “Dyqani i mendjes”,i autorit Zeqir Lushaj, botuar nga Kristalina KH, Tiranë 2009. ISBN:978-99956-43-08-9-