Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i bëri thirrje Meksikës që, me ndihmën e SHBA-së, t’i luftojë kartelat e drogës, që besohet se kanë zënë në pritë një grup amerikanësh mormonë në veri të Meksikës, duke vrarë nëntë gra dhe fëmijë.

“Nëse Meksika kërkon apo i duhet ndihmë për pastrimin e këtyre monstrave, Shtetet e Bashkuara janë të gatshme dhe janë në gjendje për t’u përfshirë dhe për ta bërë punën shpejt dhe në mënyrë efektive”, tha Trump në një postim në Twitter.

Donald J. Trump

@realDonaldTrump

A wonderful family and friends from Utah got caught between two vicious drug cartels, who were shooting at each other, with the result being many great American people killed, including young children, and some missing. If Mexico needs or requests help in cleaning out these…..

13.1K people are talking about this

Prita ka ndodhur të hënën në Ranço de la Mora, një zonë famëkeqe për trafikantët e drogës.

Julian Lebaron tha për mediat në Meksikë se kushërira e tij ka qenë duke udhëtuar me katër fëmijët e saj, kur automjeti i tyre është sulmuar dhe vënë në zjarr me viktimat brenda.

Dy automjete të tjera u gjetën po ashtu me trupat e pajetë të dy grave, të një djali dhe të një vajze.

Trump tha se presidenti i Meksikës, Andres Manuel Lopez Obrador, e ka bërë luftimin e karteleve të drogës një çështje të madhe, por shtoi se “kartelat janë bërë aq të mëdha dhe të fuqishme saqë ndonjëherë ju duhet një ushtri për të mposhtur një ushtri”.