Tokë e pjerrët,
shkëmbinj që nisin te fytyrat e njerëzve
e bien thikë mbi lumenj.
Mbi ta pak diell
si i mbajtur nga një dorë fëmije
lëkundet lehtë.
Dhe heshtje. Heshtje.
Trupi i brishtë i barit nën borë,
lumenjtë e fryrë
dhe shkrepëtima nevrike e një rrufeje-
brenda kësaj heshtjeje.
Tokë e pjerrët
që mbahet te krahët e fortë të njerëzve
për të mos u gremisur në humnerat e veta.