Ballina Kryesore Kërkohet drejtësi për viktimat e përdhunimeve

Kërkohet drejtësi për viktimat e përdhunimeve

Pjesëtarë të komuniteti shqiptar, boshnjak dhe kroat në Shtetet e Bashkuara protestuan të martën para konsulllatës së Serbisë në Nju Jork, me kërkesën që të vihen para drejtësisë urdhërdhënësit dhe autorët e përdhunimeve gjatë luftërave të viteve të 90-ta në Ballkan. Veç viktimave të përdhimimeve, protestës iu bashkuan edhe shumë figura të njohura të politikës e aktivistë. Viktimat e përdhunimit janë në qendër të vëmendjes falë edhe një fushate në rrjete sociale me slloganin “tubim për drejtësin e saj”. Kronika e kolegut Burim Goxhuli, na sjell më shumë hollësi lidhur me mbarëvajtjen e protestës.

E mbijetuara e përdhunimit në luftën e Kosovës, e cila doli e para publikisht me historinë e saj, Vasfije Krasniqi-Goodman, në një intervistë për Zërin e Amerikës u bëri thirrje të gjitha viktimave që të flasin hapur për përjetimet e së kaluarës.

“Ato edhe nëse nuk donë ta bëjnë publike historinë e tyre, është nw rregull. Por të paktën të kenë lirinë të flasin në familje dhe dretjtësia është kryesorja që neve na duhet, duhet gjithsesi të kërkojmë drejtësi. Edhe pse janë bërë 20 vite, drejtësia duhet të shkojë në vend”, tha ajo.

Aktiviteti që është nismë e organizatës së grave shqiptaro-amerikane, ka për qëllim që t’i kujtojë botës ndodhitë e luftërave të Ballkanit, në kohën e regjimit të ish presidentit serb Sllobodan Millosheviq.

“Jemi mbledhur këtu që të jemi zëri për ata që vuajnë në heshtje. 20 vjetët e fundit bota ka harruar se cfarë vuajtjesh u kaluan në Ballkan. Por ne jemi këtu sot që t’ia kujtojmë botës, sepse jemi këtu me motrat, me nënat tona, me vajzat tona, se cfarë ndodhi 20 vjet përpara të mos ndodhi më” tha për Zërin e Amerikës, Arjana Elezaj nga Organizata e Grave Shqiptaro-Amerikane.

“Ky aktivitet nuk do të përfundojë me kaq. Në fakt është nisur në Nju Jork por do të vazhdojë edhe në shumë shtete të tjera të botës, gjithmonë duke protestuar para konsuallatave ose ambasadave të Serbisë nëpër botë, për të kërkuar drejtësi për këto viktima”, tha Elvana Shala, abamsadore e vullnetit të mire për Kosovën.

“70 mijë gra të përdhunuara por duket që bota nuk e di këtë. Kombet e Bashkuara kalojnë disa rezoluta, që thonë amerikanët me lot krokodili, vetëm sa për të thënë që është në letër, mirëpo nuk bëhet kurrfar gjykimi apo denimi për ata që i kryen këto masakra”, tha Gjivalin Nikço, protestues.

Tubimi protestues është udhëhequr nga anëtari i këshillit bashkiak të Nju Jorkut, Mark Gjonaj.

“Lufta nuk mbaroi kurrë. Dekada më vonë, viktimat e përdhunimit zgjohen çdo mëngjes, duke e ditur që kryesit e atyre krimeve të tmerrshme të luftës ecin lirshëm, duke gëzuar të mirat e jetës. Ata mendojnw se shpëtuan nga krimi më i madh kundër njerëzimit, përdhunimi. Jemi këtu tu themi se u ka mbaruar koha” tha gjatë protestës, Mark Gjonaj.

Në pamundësi për të marrë pjesë në protestë, në emër të ligjvënësit amerikan, Eliot Engel, në protestë foli bashkëshortja e tij, Patt Engel.

“Zërat e viktimave duhet të dëgjohen. Meritojnë të shkojnë në gjykatë dhe të përballen me ata që kryen këtë mizori. Është e rëndësishme të dëgjojmë zërin e atyre që u tmerruan nga duart e Beogradit”, tha në fjalimin e saj në protestë zonja Engel.

I pranishëm në protestë ishte edhe ish-shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, William Walker.

“Pas luftës mendoja se me Millosheviqin në Hagë, qeveritë e reja në Serbi do të pranojnë atë që ndodhi duke i treguar botës se nuk do të tolerojnë atë gjë. Fatkeqësisht për mendimin tim, qeveritë në serbi vazhduan mohimin e krimeve dhe aktivitetet si kjo proteste i kujtojnw botws se ka ende shumë kriminelë lufte të pandëshkuar”, tha zoti Walker.

Konsullata e Serbisë në Nju Jork nuk ka pranuar të komentojë protestën, e cila nuk u komentua as nga autoritetet serbe në Beograd.