Bashkimi Evropian ka rënë dakord ta shtyjë daljen e Britanisë deri më 31 janar vitin e ardhshëm, tha sot kreu i BE-së, Donald Tusk. Zoti Tusk tha në një mesazh në Twitter se “BE-27a ka rënë dakord të pranojë kërkesën e Britanisë për një zgjatje elastike të Brexit-it…” që do të thotë se Britania mund të largohet më herët nëse parlamenti i saj ratifikon projekt-ligjin e ndarjes me BE-në. Vendimi për një “zgjatje elastike” erdhi pas një takimi 30 minutësh të ambasadorëve të bllokut prej 27 anëtarësh në Bruksel, pasi Franca tërhoqi kundërshtimet e saj që e kishin bllokuar marrjen e një vendimi javën e kaluar. Çdo shtyrje për shkëputjen e Britanisë mund të pranohet vetëm me votën e njëzëshme të të 27 anëtarëve. Megjithatë, një shtyrje e tretë dhe e fundit e mundshme e shkëputjes, do të shoqërohej me kushte, duke përfshirë refuzimin për të rinegociuar marrëveshjen dhe duke lejuar anëtarët e BE-së të mblidhen pa Britaninë për të diskutuar mbi të ardhmen e bllokut.