Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti është takuar të hënën me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Philip Kosnett në ambientet e kësaj partie në Prishtinë.

Përmes një postimi në rrjetin social, Facebook, Kurti dhe Kosnett është thënë të kenë diskutuar për formimin e qeverisë së re në Kosovë, derisa ambasadori amerikan është thënë të ketë “uruar që institucionet e Republikës së Kosovës të themelohen sa më parë, në mënyrë që edhe puna për një shtet të së drejtës që lufton korrupsionin dhe zhvillon ekonominë t’i sjellë rezultatet e para”.

Pjesë e takimit ka qenë edhe shefja e Sektorit Ekonomik ambasadën amerikane, Lori Michaelson, e cila sipas komunikatës, ka vënë theksin te rëndësia e zhvillimit ekonomik në Kosovë.

“Kryetari Kurti e njoftoi ambasadorin z. Kosnett me ecurinë pozitive të takimeve me Lidhjen Demokratike dhe shprehu bindjen se shumë shpejt do të formohet qeveria e re. Prioritet, tha ai, do t’i kushtohet sundimit të ligjit dhe luftimit të krimit të organizuar e korrupsionit të lartë institucional, në mënyrë që t’i hapet kështu rrugë edhe progresit socio-ekonomik”, është thënë mes tjerash në komunikatë.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë janë mbajtur më 6 tetor të këtij viti.

Lëvizja Vetëvendosje ka fituar më së shumti vota, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Këto parti është thënë se janë duke zhvilluar takime për formim të qeverisë së re, pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve nga Komisioni Qendror Zgjedhor.

Mirëpo ky Komision ka thënë të hënën se ende nuk e parashikon një datë të caktuar se kur mund të ndodhë një gjë e tillë.