Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta dhe ai i Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski shprehën sot keqardhjen për mungesën e një vendimi nga ana e udhëheqësve të Bashkimit Europian, javën e shkuar, në favor të hapjes së bisedimeve për anëtarësim me të dy vendet ballkanike.
Presidenti Meta tha se asnjë nuk është i lumtur, porse të dy vendet ndajnë një qëndrim të përbashkët se e vetmja rrugë dhe e vetmja alternativë e pakonkurueshme nga çdo ide tjetër, për to, por edhe për rajonin e Ballkanit Perëndimor, mbetet anëtarësimi në Bashkimin Europian. Çdo ide tjetër – theksoi zoti Meta – do të ishte e papranueshme për një rajon që është aq jetik për të ardhmen e vetë kontinentit dhe aq më tepër që sot është i rrethuar, edhe gjeografikisht nga vetë Bashkimi Europian, u shpreh kreu I shtetit shqiptar.
Nga ana e tij presidenti Pendarovski theksoi se të dy vendet u përpoqën që të bindin vendet e BE-së se nuk bëhej fjalë për anëtarësim të plotë por vetëm për fillimin e një procesi që do të vazhdojë me vite të tëra. Ai tha se mungesa e një vendimi ishte një ndëshkim i pamerituar për gjithë rajonin, i cili, shtoi ai nuk duhet harruar. Nëse nuk ka një Ballkan të qëndrueshëm, as kontinenti europian nuk mund të jetë i qëndrueshëm, theksoi presidenti maqedonas.