Bashkimi Evropian ra dakord të premten me kërkesën e Londrës për një zgjatje të afatit për shkëputjen e vendit nga BE-ja. Por blloku nuk morri vendim mbi ndonjë datë të re, duke i dhënë kohë parlamentit të ndarë britanik të vendosë rreth propozimit të Kryeministrit Boris Johnson për zgjedhje të parakohshme.
“Ramë të gjithë dakord rreth nevojës për një zgjatje të afatit të shkëputjes” tha një zyrtar i BE-së pasi ambasadorët e 27 vendeve u takuan për të diskutuar shtyrjen e datës së shkëputjes së Britanisë vetëm një javë përpara afatit të paracaktuar, 31 tetorit.
Zoti Johnson tha se tashmë i takon BE-së të vendosë mbi zgjatjen e afatit vetëm një ditë pasi pranoi se ai nuk mund ta përmbushte zotimin e tij për shkëputjen “gjallë a vdekur” të Britanisë me 31 tetor,
Por zoti Johnson tha se nëse kundërshtarët e tij do ta pengojnë propozimin për zgjedhje më 12 dhjetor, qeveria e tij nuk do të përfshihej në atë që ai e cilësoi si kalvar të gjatë e të pakuptimtë mbi Brexit-in në parlament.
Të dërguarit e BE-së kishin si qëllim të diskutonin se sa do të zgjatej afati i kësaj shtyrjeje të tretë të Brexit-it, por diplomatët vendosën ta lënë çështjen në duar të zhvillimeve në Londër.