Formimi i qeverisë së ardhshme mund të vonohet për shumë arsye. Certifikimi i rezultateve nga ana e KQZ-së, i cili do t’ia jepte dritën e gjelbër krijimit të qeverisë, pritet të marrë së paku një muaj kohë nga data e zgjedhjeve.
Kjo për shkak të vendimit të KQZ-së për të rinumëruar votat në 844 vendvotime për arsye të disa gabimeve teknike, shkruan sot gazeta “Zëri”.
Mungesa e rezultateve të certifikuara pritet ta zvarrisë edhe nisjen e negociatave në nivel të lartë mes Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje për lidhjen e një koalicioni paszgjedhor. Njohësit e çështjeve politike theksojnë se formimi i qeverisë së re mund të marrë shumë kohë nëse LVV-ja e LDK-ja nuk arrijnë ujdi për ndarjen e posteve qeveritare.
Madje ata nuk e përjashtojnë as mundësinë e përsëritjes së një ngërçi politik siç kishte ndodhur në vitin 2014, i cili sipas tyre mund të çojë në krizë institucionale.Një muaj pas zgjedhjeve është afati më i mundshëm që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve t’i certifikojë rezultatet elektorale të tetorit. Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të vitit 2014 dhe 2017 KQZ-së i është dashur përafërsisht kohë e njëjtë për ta shpallur dhe pastaj për ta certifikuar rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve.
Kësisoj zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi ka pohuar se ky organ është duke u munduar që ta përmbyllë këtë proces së paku në afatet e njëjta kohore, siç kishte bërë në dy palë zgjedhjet e kaluara.
“Në vitin 2014 nga dita e zgjedhjeve deri në certifikim të rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve ishin plot 27 ditë, kurse në vitin 2017 një ditë më shumë. KQZ-ja po bën përpjekje maksimale për të arritur të paktën të njëjtat afate”, ka deklaruar Elezi.
KQZ-ja ka njoftuar se rezultatet do të shpallen pas rinumërimeve eventuale të vendvotimeve, për të cilat ka vendosur ajo dhe pas numërimit të votave me kusht dhe atyre të personave me nevoja të veçanta. Ndërsa certifikimi sipas Elezit parashihet të bëhet në një fazë tjetër, pasi të përfundojnë të gjitha çështjet në ankesat e mundshme që subjektet politike dhe kandidatët mund t’i parashtrojnë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe Gjykatën Supreme për rezultatin përfundimtar të shpallur nga KQZ-ja.